Ndeshja në futboll, RENEA mund 3-0 policët francezë

Aug 31, 2011 | 11:47
SHPËRNDAJE
Dje gjatë ndeshjes mes dy policive

TIRANE – Skuadra e forcave speciale të policisë shqiptare, RENEA, ka mundur ekipin e kolegëve francezë gjatë një ndeshjeje miqësore futbolli, që u zhvillua dje në stadiumin “Selman Stermasi”. Ndeshja përfundoi me rezultatin 3 me 0, në favor të forcave të Policisë së Tiranës, që nuk lejuan policët e Nicës së Francës të shënonin asnjë gol. Ekipi i punonjësve të policisë së kryeqytetit drejtohej nga trajneri Skënder Dado, i cili është drejtor stërvitjeje në Qendrën e Formimit Policor dhe përbëhej nga 3 oficerë të RENEA-s dhe 8 efektiva nga Drejtoria e Policisë së Tiranës. Golat për ekipin shqiptar u shënuan, dy nga Adi Pojana, oficer i RENEA-s dhe një nga oficeri Memia, i Drejtorisë së Policisë të Tiranës. Në fund të ndeshjes, drejtori i Policisë së Tiranës, Saimir Muça, i dorëzoi kupën kapitenit të skuadrës së policëve të kryeqytetit. Mësohet se gjatë takimit miqësor, një prej futbollistëve të ekipit francez është plagosur lehtë në fytyrë, pas një përplasje, të fortë në fushë. Policia e Tiranës njoftoi dy ditë më parë për ndeshjen që u zhvillua dje në orën 17:00, në stadiumin “Selman Stërmasi”. Sipas policisë, një ndeshje e tillë zhvillohej për herë të parë mes ekipeve me punonjës të policisë së Tiranës (DPQ  Tiranë, forcat RENEA dhe Qendra e Formimit Policor) dhe ekipit me punonjës policie nga qyteti Nicë i Francës. Sipas policisë, takimi u zhvillua si rezultat i njohjeve personale  midis punonjësve të policisë të dy vendeve respektive dhe në këtë kontekst përbën një risi në historinë e punonjësve të Policisë së Shtetit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura