Ndërtonin xhaminë e fshatit, policia ndalon tre punëtorë të ‘pasiguruar’

Oct 4, 2015 | 12:29
SHPËRNDAJE

Ndërtonin xhaminë e fshatit, hetohen për sigurimet tre banorë të fshatit Kullaj në Shkodër. Ata po punonin në mënyrë vullnetare për ndërtimin e xhamisë në fshatin Kullaj, të njësisë administrative Postribë, por për policinë ishin në mënyrë ilegale.

2015-04-11 11.27.08Xhamia ka nisur së ndërtuari që në muajin prill të këtij viti dhe të gjithë banorët e fshatit Kullaj thonë se punojnë në mënyrë vullnetare për ndërtimin e xhamisë së re.

Policia e Shkodrës, duke dyshuar për punë në të zezë, siç ka pasur disa raste të mëparshme, ka bërë shoqërimin e tre personave që po punonin për ndërtimin e xhamisë gjatë ditës së premte.

Banorët e fshatit e quajnë absolutisht jashtë logjike dhe jo normale shoqërimin në polici apo kërkesën nga policia nëse janë apo jo të siguruar. Sipas tyre, për punimet që po kryhen kanë lejen e ndërtimit, ndërsa kontributi i tyre është tërësisht vullnetar dhe jo me pagesë.

“Na thanë se jeni pa sigurime. Ne nuk e dimë se te kush duhet të sigurohemi kur po punojmë vullnetarisht. Unë kam ardhur sot që të punoj vullnetarisht, ndërsa dje ishin të tjerë banorë të fshatit dhe kështu e bëjmë me radhë. Është e palogjikshme që të na çojnë në polici”, thonë banorët.

Një i moshuar shprehet: “Për sa kohë që të jetoj, gjatë këtyre viteve unë dua që të falem në xhami. Përse të na bllokojnë kur po punohet vullnetarisht. Është e turpshme”. Xhamia e Kullajve është ndërtuar afro 120 vite më parë, ndërsa prej disa vitesh rrezikonte të shembej si shkak i amortizimit.

Pasi ishte marrë leja për rikonstruksionin e këtij objekti të kultit, ka nisur puna. Policia ka bërë shoqërimin e punëtorëve pasi sipas saj nuk kanë qenë të siguruar, pa ditur mbase se të gjithë punojnë vullnetarisht.

Ndaj tyre janë kryer veprimet hetimore, deri në fund të verifikimeve të mëtejshme. Xhamia e re në fshatin Kullaj të komunës Postribë ka hedhur gurëthemelet e para për ndërtimin e saj në muajin prill. Në ceremoninë e inaugurimit të fillimit të punimeve morën pjesë, përveç besimtarëve, edhe myftiu i Shkodrës, imam Muhamed Sytari dhe ish-kryetari i komunës Postribë, Faz Shabaj.

Më parë, në të njëjtin vend ka ekzistuar xhamia e vjetër, por për shkak të amortizimit është gjetur mundësia që përmes një familjeje nga Kuvajti të bëhet i mundur ndërtimi i xhamisë së re në Kullaj të Postribës. Familja kuvajtiane ka kontribuar për bazën materiale, ndërsa banorët e fshatit që në atë kohë kanë siguruar se do e bëjmë vullnetarisht ndërtimin e xhamisë. 

SENAD NIKSHIQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura