Ndërtimet pa leje pas 2009 dy muaj afat për aplikimet

Jul 28, 2015 | 12:22
SHPËRNDAJE

Familjet që kanë ndërtuar pa leje pas 2009- s do të kenë edhe dy muaj afat për të bërë vetëdeklarimin. Burime nga ALUIZNI bëjnë me dije se aplikimet për këtë kategori, që u përfshi rishtazi në proces, do të mbyllen në datën 30 shtator. Pas kësaj date, qytetarët që kanë ndërtuar pa leje në tokë shtet dhe tokë me pronarë, deri në 2014, nuk do të kenë më mundësi që të pajisen me leje legalizimi. Nga ALUIZNI mësohet se janë 50 mijë familje që përfitojnë nga heqja e fashës dhe zhvendosja e afatit.

foto ilustruese
foto ilustruese
APLIKIMET

Pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore që amnistojnë këtë kategori, në mesin e muajit korrik u hap edhe procesi i vetëdeklarimit. Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, apeloi qytetarët që të paraqiteshin për të plotësuar formularin dhe t’u nënshtroheshin procedurave të legalizimit. Lame vuri në dukje se nga 50 mijë ndërtime pa leje që rezultonin pas 2009-s, pjesa më e madhe e kishin bërë vetëdeklarimin. Sipas tij, ata që kishin aplikuar një herë nuk do ta kishin të nevojshme t’u nënshtroheshin procedurave nga fillimi, pasi do të konsiderohej i vlefshëm aplikimi i bërë.

PAGESA

Trajtimi i këtyre familjeve që përfshihen rishtazi në proces do të bëhet me të njëjtat lehtësira dhe reduktime të parashikuara në ligjin e ri. Kalimi i pronësisë për këtë kategori do të bëhet për trefishin e bazës së objektit, por jo më shumë se 500 m2 për shtëpitë. Toka do të llogaritet me gjysmën e vlerës së tregut, por jo më shumë se 2 000 lekë m2. Ndërkohë 50% do të mund të paguhet me bono privatizimi. Veç kësaj, për pagesat që do të derdhen brenda 45 ditëve nga tërheqja e faturës do të aplikohet 20% zbritje. Vlen të saktësohet se ligji u jep 6 muaj afat qytetarëve për derdhjen e shumës së faturuar, më pas toka regjistrohet në Hipotekë në emër të ALUIZNI-t.

PRONARËT

Nga amnistia për ndërtimet e pas 2009-s preken 22 mijë pronarë, të cilët do të përfitojnë kompensimin në të holla në masën 57% të vlerës së parcelës ndërtimore. Paralelisht me legalizimin e objekteve, do të bëhet edhe shpërblimi i pronarëve. Sipas ligjit të ri, rreth 70% e të ardhurave që arkëtohen nga procesi i legalizimit do të shkojnë për kompensimin e pronarëve të shpronësuar për efekt të procesit legalizues.

MATJET

Nga miratimi i ligjit të ri, ekipet e ALUIZNI-t kanë trokitur në çdo shtëpi për të kryer matjet dhe verifikimet. Nga të dhënat e ALUIZNI-t mësohet se deri më tani është përditësuar informacioni në terren për më shumë se 112 mijë familje. Pas kësaj, nis prerja e faturës për ata që kanë ndërtuar në tokë shtet dhe tokë me pronarë. Menjëherë pas shlyerjes së detyrimit financiar, bëhet pajisja me leje dhe lind e drejta për të bërë regjistrimin e pronës në Hipotekë. Ndërkohë, më e thjeshtuar është procedura për qytetarët që kanë ndërtuar në tokën e tyre, të cilët janë të përjashtuar nga çdo pagesë.

NGA ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura