Nderohet Malbardha, fshati mysliman që lutet në kishë

Sep 30, 2014 | 12:54
SHPËRNDAJE

Banorët e Malbardhës, dje në kishën 600-vjeçare
Fshati me rreth 90 për qind banorë myslimanë financon ndërtimin e një kishe 600-vjeçare, e cila ishte kthyer në rrënojë.
Gjesti i banorëve nuk ka kaluar pa marrë vëmendjen e Ambasadës Amerikane, e cila ka nderuar fshatin Malbardhë të komunës Milot me një çmim për bashkëjetesën fetare. Banorët janë shprehur se kjo harmoni është trashëguar brez pas brezi dhe ata respektojnë besimin dhe ritet fetare të njëri-tjetrit. Madje mjaft myslimanë shkojnë të luten në kishë në raste të caktuara. Për shkak të kësaj harmonie, banorët e besimit mysliman kanë kontribuar në rindërtimin e kishës, si një dhuratë për bashkëfshatarët e besimit katolik. Nëpërmjet zv.ambasadorit Henri Zhardin, dje u akordua në fshat çmimi i parë i nismës “Act Noë” që simbolizon përpjekjet e këtyre banorëve për ta bërë fshatin e tyre një vend ku çdo njeri mund të besojë në fenë që do. “Po jua akordoj këtë çmim për bashkëpunimin fetar midis jush, duke dhënë edhe një kontribut për fshatin tuaj. Në këtë mënyrë po bëni një ndryshim për komunitetin, dhe ky është një shembull shumë i mirë. Jam impresionuar kur mora vesh që 90 për qind e këtij komuniteti janë myslimanë, por nxisin një respekt për të gjitha fetë dhe festojnë festat së bashku. Ky është një shembull shumë i mirë për të gjithë botën, pasi në asnjë vend nuk ka një bashkëjetesë fetare të tillë. Ky është edhe një rast ku faktohet edhe fjala e Papa Françeskut gjatë vizitës në Shqipëri kur tha që ky vend ka një bashkëjetesë fetare që duhet marrë shembull”, u shpreh zv.ambasadori Zhardin.
“Unë jam 85 vjeç. Nuk kemi bërë ndonjë mbledhje për këtë bashkëjetesë fetare midis nesh, por e kemi ftuar njëri-tjetrin në festat që kemi pasur”, u shpreh Hasan Abedini, banor i besimit mysliman. Të gjithë bashkë kanë festuar gjatë ditës së martë festën e Shën Mëhillit, një festë e të krishterëve.
Bashkë me ta dje festoi edhe zv.ambasadori amerikan i shoqëruar edhe nga autoritetet vendore. “E kemi të trashëguar nga të parët tanë prej dekadash dhe ne e kemi ruajtur këtë traditë edhe në ditët e sotme. E kalojmë shumë mirë me njëri-tjetrin dhe i festojmë të gjitha festat së bashku. Për rindërtimin e kësaj kishe kanë dhënë një kontribut të madh myslimanët, pasi edhe ata vetë luten në këtë kishë”, u shpreh një nga banorët e fshatit, besimtar katolik.

MILOT/ ELVIS HILA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura