Ndërmarrja madhore e një instrumenti të çmuar

Sep 22, 2019 | 12:43
SHPËRNDAJE

PROF. DR. GJERGJ SINANI
4425_80366003403_1192435_n

Pikat e takimit me një libër mund të jenë nga më të ndryshmet. Por kur bëhet fjalë për mendimin shqiptar, sidomos atë të viteve ‘30-të, këto pika bëhen një referim, i cili përmblidhet te një emër, studiuesi Ndriçim Kulla. E kjo, për arsyen e thjeshtë se ka një jetë të tërë, që në vitet e para paskomuniste, që përmbledh në monografi të veçanta veprën e mendimtarëve të asaj kohe.

Pastaj katalogizon në një antologji, e më pas në një enciklopedi trevëllimshme, pjesën më të çmuar dhe më përfaqësuese të këtij mendimi. Ndaj, të dukej e natyrshme, që lexuesi ynë, pasi ka marrë në duar tekstin (“Antologjinë”, “Enciklopedinë”, vepër-përmbledhjet e secilit prej autorëve) e mendimit shqiptar të njohur dhe të ndaluar nga regjimi komunist, të para dhe pas shpalljes së Pavarësisë, bashkë me atë të viteve ‘30-të të shekullit të kaluar, tashmë të kishte edhe një “interpret” të këtij teksti. Por, edhe kësaj here, studiuesi Kulla të befason me ndërmarrjen madhore që merr përsipër. Të realizojë një histori të mendimit shqiptar, të shtrirë në gjithë hapësirën kohore, që nga lashtësia e të kalojë nëpër çdo fazë të zhvillimit të tij historik.

Është kjo një vepër që duhej të ishte marrë përsipër jo vetëm nga institucionet tona akademike, por edhe duhej të ishte realizuar nga një grup autorësh, që të qenë fokusuar në studimin e mendimit të periudhave të caktuara, studimin e degëve të specializuara (Filozofi, Sociologji, Psikologji, Albanologji, etj.), e deri tek autorë të veçantë të këtij mendimi.

Kjo duket të ketë qenë vështirësia e parë e madhe, që autori ka arritur ta kalojë nëpërmjet një pune të mundimshme qëmtimi dhe analize të kujdesshme dhe shoshitëse. Një tjetër vështirësi mund të ketë paraqitur fakti se kemi të bëjmë me një vepër të munguar, që plotëson një boshllëk të madh, dhe kësisoj autorit i është dashur të sintetizojë gjithçka vetë, pa u mbështetur në ndonjë punim të mëparshëm, siç mund të ndodhte p.sh. për një histori të letërsisë, estetikës apo kritikës. Është arritur kështu në një histori mendimi, që përmbledh në “një det të vetëm” rrëke e lumenj dijesh nga fusha të ndryshme, që jo gjithmonë mund të ishin kompetencë e autorit.

Ndaj, si shtrojë e parë e një rrugëtimi, goxha analitik dhe sfidues, kjo histori mendimi merr përmasat e spikatura të një instrumenti të çmuar në duart e lexuesve, studiuesve dhe gjithë sistemit të institucioneve tona edukuese. Në radhë të parë, hartimi i një vepre kaq të domosdoshme për studimin e mendimit të prodhuar ndër vite nga elita shqiptare, tashmë ka përmbyllur edhe qarkun e rrugëtimit shpalosës gjatë këtyre tri dekadave, sidomos të pjesës së ndaluar të mendimit të viteve ‘30-të dhe të asaj të pastudiuar thellë të zonave jo shumë të njohura të mendimit latino-arbëror dhe mendimit humanist të klerikëve të veriut të shekullit XVI-XVII.

Por, më kryesorja është kërkimi që ndërmerr autori për të gjetur nëse mendimi historik shqiptar paraqitet si një mozaik apo si njësi. Kodet, modelet dhe fijet e padukshëm që psikika dhe shpirti shqiptar trashëgojnë nga epoka në epokë, nga njëri brez mendimtarësh në tjetrin, gjejnë nëpërmjet argumentimeve dhe përkitjeve të ideve dhe mendimeve një shkrirje rrafshesh e horizontesh, për t’u bashkuar në një njësi të vetme, me origjinalitetin dhe ngjyrën e burimit etnik shqiptar.

Madje, autori arrin edhe në një përfundim sa të rëndësishëm, aq edhe aktual për gjendje e sotme, sipas të cilit “në një histori të plotë të mendimit shqiptar, duhet pasur parasysh se proceset e largimit nga bota greko-romake dhe në përgjithësi nga bota romane, siç ishin skizmatizmi (sllav) dhe islamizmi (turk), e sidomos antieuropianizmi i mëvonshëm komunist, si një vizion jashtë europian i shqiptarëve, nuk mundën ta zbërthenin njësinë shpirtërore të popullit shqiptar dhe dëshirën e vazhdueshme të tij për të kultivuar patriotizmin evropian.

Një tjetër aktualitet që ndriçon ky libër, është gjetja e atyre vlerave të trashëguara dhe të nevojshme deri më sot të traditës së mendimit tonë, për t’i hallkëzuar ato me nevojat dhe problematikat e mendimit të sotëm, një mendimi që të ndikojë dhe udhëheqë jetën shoqërore të gjithë sistemit shqiptar. Është një detyrë e vështirë, kryqi dhe kalvari i gjithë intelektualitetit tonë, formimi i elitës dhe opinionit publik, ndaj një libër i historisë së një tradite siç është edhe historia e mendimit shqiptar, është gjithmonë një ndihmë e çmuar që s’duhet lënë kurrë pa u përdorur si një instrument i dobishëm.

Madje, nisur nga vlerat sipërore të mendimit të Rilindjes dhe atij të viteve ‘30-të që tashmë janë bërë të disponueshme, shfaqet si imperative (urdhëruese) nevoja që ato të hallkëzohen në një njësi me mendimin e shkuar dhe atë të sotshëm. Këtë qëllim besoj ta ketë arritur ky libër, për të shërbyer si një udhërrëfyes në “problematicitetin” e përditshmërisë së shoqërisë shqiptare.

Për më tepër, ky botim do t’i shërbejë sidomos rregullimit të “kaosit në unin tonë shoqëror”, siç shprehej Branko Merxhani, pasi është ky kaos që ende nuk na lejon që të dalim nga kriza e thellë e vlerave. Në këtë kontekst, nuk mund të mos biem dakord me Merxhanin se “Misioni ynë është që të pastrojmë nga gurët e nga gjembat rilindjen mendore të popullit… pasi jemi krejt të zhveshur në pikëpamje shoqërore dhe krejt të varfër në pikëpamjen mendore”. Edhe ky botim do të ndikojë në këtë rilindje mendore të shoqërisë sonë, sepse pa një rilindje mendore, nuk mund të mendohet një shoqëri moderne demokratike.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura