Ndahet nga jeta Sofokli Koçi, gdhendësi i portreteve

Dec 1, 2016 | 11:07
SHPËRNDAJE

Para disa ditësh, më 27 nëntor 2016, u nda nga jeta skulptori Sofokli Koçi (Lushnjë 10.07.1948 – Pogradec 27.11.2016). Emri i artistit Koçi tashmë ka zënë vend në historinë e artit shqiptar si një nga figurat e rëndësishme të skulpturës shqiptare të shekullit XX. Sofokli Koçi është pjesë e brezit të skulptorëve shqiptarë që kryen studimet në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë, në fillimin e viteve ’70 të shekullit XX. Babai, Sotir Koçi, ishte nëpunës.

“Valltari”, veper e skulptorit Sofokli Koçi në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve
“Valltari”, veper e skulptorit Sofokli Koçi në fondin e Galerisë Kombëtare të  Arteve

Skulptori Koçi kreu Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë dhe vazhdoi studimet për skulpturë në Institutin e Lartë të Arteve në atelienë e skulptorit Muntaz Dhrami. Pas studimeve, Koçi ishte skulptor – modelist në fabrikën e porcelanit, Tiranë. Ai në vitin 1970 u bë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Artisti Koçi ka qenë pjesëmarrës në ekspozitat kombëtare duke filluar nga viti 1974 e në vazhdim. Krijimtaria e tij i përket realizmit socialist shqiptar dhe në artin e tij ai trajtoi skulpturën e rrumbullakët, relievin dhe ishte bashkautor në disa monumente me skulptorin Muntaz Dhrami.

Nusja, qeramike
Nusja, qeramike

Tematika e artistit Koçi është ajo historike (kryesisht nga Lufta Nacionalçlirimtare) dhe ajo e ndërtimit socialist (kryesisht me figura rinore dhe nga folklori). Nga krijimtaria e gjatë e artistit Sofokli Koçi mund të kujtojmë “Luftërat e Batos” (1981) në Muzeun Historik Kombëtar, Tiranë; Relievi në Muzeun Historik, Skrapar; në Muzeun e Tërbaçit (Vlorë); Portreti i skulptorit Odise Paskali; cikli i portreteve të ndryshme në disa muze (Korçë, Pogradec, Durrës).

Në punimet e skulptorit Sofokli Koçi ndihet qartë ndikimi i shkollës realiste shqiptare. Por, duke pasur një ndjeshmëri plastike të veçantë, punimet e Koçit ruajnë ngrohtësi plastike dhe një profesionalizëm të një mjeshtri. Skulptura e tij dallohet për zgjidhje kompozicionale të veçanta.

Portreti i Odhise Paskalit
Portreti i Odhise Paskalit

Në disa prej punimeve të tij, që ruhen në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, ai preferon t’i realizojë kompozimet vetëm me një figurë si: “Tokë e begatë” (1977, GKA); “Hekurkthyesi” (1980, reliev, GKA); “Pranvera” (1981, bronz, GKA); “Ditë feste” (1984, GKA, bronz); “Valltari” (1984, GKA); “Nusja” (1989, qeramikë, GKA). Artisti Koçi ka realizuar një cikël portretesh të njerëzve të thjeshtë, si dhe të personaliteteve të artit shqiptar, ku mund të kujtojmë portretin “Punëtori” (1984, dru, GKA); portretin e piktorit Abdurrahim Buza (1982, GKA); portretin e skulptorit Odise Paskali (1986, bronz, GKA).

Në këto portrete dallohet qartë vërtetësia dhe psikologjia e figurave të njohura të realizuara me një plastikë të “rrjedhshme” dhe delikate. Në punimet e Koçit ndihet pulsi i një artisti të fuqishëm që ka ditur të ndërtojë figura të vrullshme në lëvizje, po aq sa të krijojë me një delikatesë magjike figurat femërore, ku shihet ndikimi i skulpturës bashkëkohore dhe asaj klasike. “Nusja” – qeramikë, është shembulli më tipik i shpirtit të tij krijues delikat.

Në Galerinë Kombëtare të Arteve janë koleksionuar 17 punime të skulptorit Sofokli Koçi, duke filluar nga viti 1974, një koleksion që e prezanton artistin denjësisht përpara publikut artdashës. Pas viteve 1990, skulptori Sofokli Koçi jetoi dhe krijoi kryesisht në qytetin e Pogradecit, ku dhe ka lënë disa nga krijimet e tij të fundit.

YLLI DRISHTI (studiues – kurator arti)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura