Shuhet Petro Zheji, i biri: Me veprën e tij bëri dishepuj e tradhtarë

SHPËRNDAJE

UPDATE/  I tërhequr prej kohësh në botën e tij të kodeve, të numrave, simboleve, mistereve të fshehura, Petro Zheji, i fundmi i rilindësve dhe shkencëtarëve shqiptarë, u largua përgjithnjë nga kjo botë.

Petro Zheji

Ndoshta kishte edhe nga ata që mendonin se Zheji nuk i përkiste më kësaj bote, dhe jo pa të drejtë, sepse bota e tij ishte krejt tjetër nga ajo tokësorja. Por fizikisht gjuhëtari dhe përkthyesi Petro Zheji u nda nga jeta pikërisht dje në mëngjes, në moshën 85-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë.

Po dje iu dha edhe lamtumira e fundit nga artistë, politikanë, shkrimtarë, përkthyes, si dhe miq e të afërm, të cilët bënë homazhe pranë trupit të tij të pajetë dhe i shprehën ngushëllime të birit, Arturit dhe njerëzve të tij më të dashur. Homazhet u zhvilluan prej orës 14:00-15:00 në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar.

Nuk munguan në këtë ndarje edhe politikanë të majtë e të djathtë, të cilët do të vlerësonin kontributin e jashtëzakonshëm që Zheji dha në fushën e letrave, në lëmë të gjuhësisë e të përkthimit, duke bërë të flasin shqip sa e sa emra të mëdhenj të letërsisë botërore.

“Petro iku e na la detin e shpirtin e njeriut universal”, do të shprehej ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. U përkulën para tij dhe vendosën kurora me lule kreu i Parlamentit Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama, kreu i opozitës dhe Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ministrja Kumbaro etj. “Petro Zheji, mendje që i bashkohet qiellit. Mirënjohje për përkthimin dhe dashurinë që na përcolli nga Saint Exupery, Servantes deri tek Asturias!!”, këto fjalë i dedikon Ministria e Kulturës përkthyesit dhe gjuhëtarit Petro Zheji.

“Studiues i gjuhës shqipe dhe njëherësh njihet si një nga përkthyesit më elitarë, cilësia e tij është në përpjesëtim të drejtë me vëllimin e punës së bërë. Në një artikull kulturor më 2008, botuesi i përkthimit më të mbramë të tij (‘Jeta e Galileit’ e Bertolt Brehtit) Mehmet Gëzhilli kumton se Zheji mund të ketë 13 mijë faqe përkthim të botuara”, thuhet më tej në mesazh. 

Homazhe per Petro Zhejin tek Muzeu

GJUHËTARI
Profesor Petro Zheji në Tiranë më 18 tetor 1929. Që në moshë fare të re u shqua për një talent të rrallë në njohjen dhe zotërimin e gjuhëve të huaja. Poliglot që njihte me themel shqipen dhe filozofinë e saj, njihte e zotëronte deri në rrënjë edhe gjuhën italiane, frënge, angleze, spanjolle, gjermane, ruse, hebraishten, sanskritishten e vjetër, greqishten e vjetër dhe latinishten.

Nuk është fjala vetëm për zotërimin leksikor e gramatikor, por edhe njohjen e thellë në historinë e tyre, në kulturën e atyre popujve dhe vendeve me të cilat lidhen ato gjuhë në rrugëtimin e tyre historik, në mitologjinë dhe mistikën e tyre, në historinë etimologjike dhe në raportet me kozmogoninë, mesjetën dhe modernitetin. Petro Zheji realizoi mbas një pune të thellë dhe të pandërprerë studimin e tij me dy vëllime “Shqipja dhe sanskritishtja”, dy vëllime.

Vepra është një monument mendimi shkencor dhe akademik, mes dialogimeve të historisë dhe filologjisë, filozofisë dhe matematikës, simbolikës dhe kozmogonisë, religjionit dhe interpretimeve transhedentale. Studiues të ndryshëm, në vlerësim të kësaj vepre, gjykojnë se ajo i tejkalon të gjitha studimet e mëparshme që e trajtojnë gjuhën thjesht si një materie gramatikore të disiplinuar apo si etimologji historike e krahasuar.

 

Veprat më kryesore të Petro Zhejit

Përkthimet, ndër qindra shqipërime vecojmë:

1. Ringjallja – Leon Tolstoi

2. Vilet e zemërimit – John Steinbeck

3. Zoti President – Migel Asturias

4. Don Kishoti – vol i Dytë, Migel Servantes

5. Galileo Galilei – BertoldBreht

Studimet Gjuhësore:

1. Shqipja dhe Sanskritishtja – dy vëllime

2. Libri i aforizmave

3. Roli mesianik i gjuhës shqipe

Te lidhura

 

10 KOMENTET

Comments are closed.