Ndahet nga jeta në moshën 76-vjeçare, grafisti Pandi Mele

Dec 22, 2015 | 12:19
SHPËRNDAJE

Është ndarë nga jeta në moshën 76-vjeçare, piktori Pandi Mele. Sipas një njoftimi nga Galeria Kombëtare e Arteve, artisti u shua pak ditë më parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak të një sëmundjeje të rëndë. “Piktori i Merituar”, Pandi Mele, lindi në vitin 1939 në Korçë. Ndoqi Liceun Artistik në Tiranë për Pikturë, në drejtimin e pedagogëve Abdulla Cangonji, Sadik Kaceli, Qamil Grezda, Abdurrahim Buza, Kristina (Koljaka) Hoshi.

Piktori Pandi Mele
Piktori Pandi Mele

Studioi dy vite për Grafikë në Akademinë “I.E.Rjepin” në Shën Petërburg, Rusi në atelienë e S.M. Vasiljeviç dhe u diplomua në Tiranë në vitin 1964. Pandi Mele ka dhënë një kontribut të rëndësishëm si pedagog i Grafikës në Ish-Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë, sot Universiteti i Arteve, duke drejtuar për shumë vite atelienë e grafikës. Ekspozoi për herë të parë në moshën 17-vjeçare “Portreti i gjyshes” (1956, GKA, Tiranë).

Pandi Mele ishte i pari artist grafist shqiptar, që aplikoi ciklet grafike (kompozime), duke u mbështetur në veprat letrare apo legjendat shqiptare (cikli “Motive Migjeniane” 1964 (GKA, Tiranë); serinë grafike “Shtypi i Partisë” 1984; cikli “Rozafa”, 1999, (studio e artistit). Një tjetër cikël grafik është ai për filmin dokumentar, që i kushtohet Gjergj Kastriotit Skënderbeut, kompozimi “Aleksandër Moisiu me Stanislavskin në Moskë” dhe “Nënë Tereza”.

Këtyre veprave tani së fundi i shtohet edhe portreti i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obamës. Mele vazhdoi traditën e grafikës shqiptare (në linoleum) të filluar nga piktori Sadik Kaceli, duke e modernizuar atë edhe në teknika të tjera, si litografi, akuaforte, gdhendje në dru. Me veprën e tij, Pandi Mele ndikoi dukshëm në realizimin e një grafike bashkëkohore, si në teknikë, ashtu dhe në konceptimin e saj. Piktori Pandi Mele është autor i shumë pllakateve, emblemave, pullave postare, apo ilustrimeve të ndryshme për veprat e shkrimtarëve shqiptarë.

Në pikturë, ai ka realizuar tablo kompozicionale me temën e jetës shqiptare të periudhës së socializmit. Mele ka qenë pjesëmarrës në ekspozitat jashtë Shqipërisë deri në vitet 1990, si Greqi, Kosovë, Jugosllavi, Rumani, Turqi, Itali, Francë, Austri, Bienale – Egjipt, Kinë. Mele ishte i ftuar në Bienalet dhe Trienalet Ndërkombëtare të grafikës nga viti 1989–1999 në Europë dhe Lindjen e Largët.

Është gjithashtu autor i shumë artikujve në shtypin e kohës mbi zhvillimin e grafikës, dizajnit dhe arteve figurative shqiptare. Në fondin e Galerisë Kombëtare të arteve ruhet një koleksion prej 54 veprash në pikturë, grafikë e vizatim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura