NATO dhe ndërlidhja e kërcënimeve të sigurisë

May 15, 2016 | 12:00
SHPËRNDAJE

Fatmir Mediu

FATMIR MEDIU

Sfidat e sigurisë sot janë komplekse, hibride. Rreziqet konvencionale, të injoruara vite më parë, janë sot prezente, mjafton të përmend konfliktin RusiUkrainë dhe potencialin e konfliktit Rusi-Turqi kohë më parë, apo incidentet me Rusinë në vendet baltike  Gjeopolitika ka ndryshuar shumë, ajo është bërë shumëpolare.

Armiq të deklaruar më parë, si p. sh. Irani, janë, të paktën për momentin, në marrëdhënie bashkëpunimi, sidomos në marrëveshjet për armët bërthamore dhe mundësinë e bashkëpunimit në Siri. Ai që shfaqet si kundërshtar në një konflikt, siç është rasti i Sirisë, del aleat i domosdoshëm në marrëveshjen me Iranin, siç është marrëdhënia me Rusinë.

Marrëdhëniet dhe vendimet në kuadër të aleancës së NATO-s, jo rrallë marrin shumë kohë për pajtimin e palëve dhe janë të vonuara, për më keq, angazhimi dhe vendimi kolektiv tentohet të zëvendësohet nga ndërhyrje unilaterale, apo priret për marrëveshje më të drejtpërdrejta të vendeve të caktuara të Aleancës.

“Cyber Security” është tashmë një problem i madh dhe evident, i vështirë për t’u përballur,i kushtueshëm për t’u siguruar nga çdo vend anëtar i NATO-s dhe të jetë i ndërveprueshëm, edhe për shkak të ndjeshmërisë që ka informacioni i klasifikuar. Premtime të NATO-s, vite më parë, siç ishte rasti i mundësisë për zgjerim me Gjeorgjinë dhe bashkëpunim konkret me Ukrainën, sot jo vetëm janë lëkundur, por, përballë presionit të hapur të Rusisë, nuk janë në axhendën e diskutimeve as për Samitin e ardhshëm, dhe as për një kohë relativisht të afërt.

Rreziku i parë eminent për çdo vend, anëtar ose jo i NATO-s, është terrorizmi. Ai nuk është një kërcënim i ri, por ka marrë një përmasë të jashtëzakonshme. Rrezikun terrorist duhet ta shohim në këto drejtime:

-Terrorizmi i ri duhet konsideruar si një organizim i paprecedentë dhe që ka një potencial financiar, ushtarak dhe mediatik, që s’e ka pasur më parë. -Rreziku që ai prezanton me rritjen e vazhdueshme me foreign fighters, “Freedom Fighters”, më konkretisht me potencialin e tij real kërcënues në vendet tona në Ballkan.

-Terrorizmi sot është i përhapur në të gjithë botën dhe është më i lidhur dhe organizuar nëpërmjet uebeve që synojnë radikalizimin, rekrutimin dhe organizimin e kampeve të trajnimit. Ky lloj terrorizmi ka një histori të zhvillimit në Ballkan, që duhet analizuar në thellësi dhe është prezent, duke u përpjekur të strukturoret në Ballkan. Koha është për të vepruar tani dhe jo për të reaguar.

Lufta kundër ISIS-it u injorua në fillim, u tejzgjat në marrëveshje të pafrytshme politike dhe vazhdon të mbetet më tepër një diskutim politik, se një veprim i organizuar ushtarak apo shumëdimensional për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare. NATO mbetet, pa dyshim, Aleanca më e fuqishme politiko-ushtarake, por përballë saj shtrohet një sfidë:

A mundet NATO të përballet e vetme me të, apo do të vazhdojë të flasë për angazhimin kolektiv mbas akteve masive terroriste, si në Paris e Bruksel? Për sa kohë terrorizmi është shumëdimensional dhe i përhapur në të gjithë botën, kam bindjen se ajo kapërcen kapacitetet dhe angazhimin vetëm politiko-ushtarak të NATO-s.

Por që NATO të jetë forca kryesore e organizmit të një marrëdhënie shumëdimensionale në përballje me sfidat e sigurisë, përgjegjësitë duhet të fillojnë së pari në konceptimin e rolit dhe mënyrës së funksionimit të NATO-s. Së pari, NATO duhet të funksionojë si një aleancë, ku çdo anëtar duhet të marrë përsipër përgjegjësitë e veta.

Samiti i Uellsit përcaktoi disa detyrime për çdo vend, sidomos në shpenzimet ushtarake. Çfarë ka ndodhur nga koha e këtij vendimi? Sa vende anëtare të saj i kanë shpenzimet ushtarake në nivelin mbi 2%? Jo më shumë se 3, veç SHBA-ve. Kjo situatë është e papranueshme dhe qesharake. Të jesh pjesë e një aleance dhe të mos investosh në rritjen dhe modernizimin e kapaciteteve operacionale ushtarake apo elementeve të tjera të sigurisë, do të thotë të lësh derën hapur për çdo lloj rreziku.

Kjo po ndodh me Europën, falë edhe një lloj pasiviteti të SHBA–ve në këto vite për të forcuar rolin e saj në oqeanin Paqësor dhe një shmangie nga Atlantiku… Është e papranueshme që Shqipëria, e cila u bë vend anëtar i NATO-s me një buxhet 2 %, sot e ka buxhetin as 1 %, e pamjaftueshme për pagat, dhe jo më për modernizim dhe investime në rritjen e niveleve operacionale.

Kjo nuk është përgjegjësi thjesht e Ministrisë së Mbrojtjes, por e Qeverisë dhe politikës, që nuk kupton dhe vlerëson siç duhet përgjegjësinë e të qenët vend anëtar i NATO-s. FA-të duhet të jenë kudo ku qytetarët kanë nevojë, pasi janë konsumuar të gjitha mundësitë e tjera, por ato nuk janë brigada pastrimi, apo kanalizimesh, ato janë Forca të Armatosura, që detyrë të parë kanë mbrojtjen e sovranitetit kombëtar dhe në kuadër të NATO-s, kanë detyrimet e veta brenda konceptit të sigurisë kolektive.

Nuk ka gjë më të papërgjegjshme që Parlamenti kalon Strategjinë e Sigurisë Kombëtare dhe Sigurisë Ushtarake pa asnjë diskutim të vetëm. Kjo tregon se sa të sipërfaqshëm jemi ne në analizën e strategjive me interes të veçantë për vendin, por duket se kjo sjellje vjen si shkak i keqkuptimit se siguria jonë është e garantuar nga NATO dhe nuk ka ç’duhen FA-të apo investimet në mbrojtje dhe siguri.

Sa funksional është një nga institucionet më të rëndësishme të çdo vendi, që sjell së bashku përfaqësuesit më të lartë të të gjitha pushteteve për të plotësuar detyrimin e tyre të parë kushtetues, sa funksional është Këshilli i Sigurisë Kombëtare?

Megjithatë, nëse i kthehem edhe një herë terrorizmit në sfidën globale, kam bindjen se edhe një “smart action”, në bashkëpunim me organizata të tjera ndërkombëtare, qeveritë e tyre përkatëse, nuk ka aftësinë të zhvillojë një strategji efektive kundër terrorizmit, pa një strategji bashkëpunimi me partnerët tanë në Mesdhe, Lindjen e Mesme dhe më tej.

Kjo është një luftë globale. Shumë vendime dhe organizime të reja ushtarake të NATO-s, apo “join exercise” janë të domosdoshme dhe konsistojnë në gërshetimin e përballimit të rreziqeve konvencionale dhe jokonvencionale. Në Europë, Mesdhe, është e nevojshme një vizion i ri proaktiv, jo vetëm reaktiv, një strategji për të adresuar sfidat shumëdimensionale dhe multiefektive dhe, sidomos, kërcënimet e sigurisë në rritje, që vijnë nga Afrika dhe Azia.

BALLKANI

Ballkani po përballet me sfida serioze. Rivaliteti gjeopolitik është i shoqëruar me tensione, Turqia është agresive në promovimin e interesave të saj. SHBA akoma tregon interes për zgjerimin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, ndërsa Rusia e konsideron Ballkanin si “back yarding” e vet dhe kërcënon se NATO nuk mund të shtrihet më tej. Mali i Zi dhe Serbia janë shembull tipik i këtij interesi…

Anëtarësimi në BE, edhe pse qëllim i vendeve të Ballkanit, shoqërohet me lodhje dhe paqartësi. Ballkani është shumë vulnerabël ndaj infiltrimit të grupeve terroriste, radikalizmit dhe kampeve të trajnimit të foreign fighters të ISIS-it. Diferencat multietnike dhe multireligjioze kanë qenë dhe janë prezente në forma të ndryshme në rajonin tonë, një pjesë e tyre të fjetura, por potencialisht të rrezikshme.

Situatat politike në Ballkan janë jostabile, ekonomia shumë problematike; korrupsioni është masiv dhe lidhja e tij me krimin e organizuar dhe me terrorizmin po bëhet një rrezik i jashtëzakonshëm -siç e theksoi dhe Sekretari Kerry në Londër.

Shqipëria është shembulli tipik i këtij qerthulli shumë të rrezikshëm. Kthimi i luftëtarëve fanatikë, foreign fighters, në vendet tona është një rrezik shumë i madh dhe imediat. Situata e refugjatëve dhe penetrimi i terroristëve mes tyre përbën një rrezik prezent dhe mundësi për sulme terroriste. SHBA dhe Gjermania po këmbëngulin që, sipas informacioneve të tyre, ka infiltrime të konsiderueshme të terroristëve mes refugjatëve.

Ballkani është një rrugë e penetrimit të terrorizmit për në Europë, prandaj ai ka një rëndësi dhe rol të veçantë. Tendenca e ndërtuar në vite për radikalizimin e islamit në Ballkan nuk është një fenomen spontan dhe rastësor, ky radikalizim ka shumë vite që zhvillohet në mënyrë të organizuar dhe ka shërbyer si bazë e rekrutimit të foreign fighters. Janë më shumë se 850 foreign fighters në Ballkan.

Në muajin shkurt, me përfaqësues të Ballkanit dhe në bashkëpunim me “Armed Service Committee”, nën kujdesin e senatorit McCain, zhvilluam një debat për rrezikun e ISIS-it në Ballkan; dhe disa nga sugjerimet për t’u përballur me këtë sfidë ishin:

– Ndërtimi i një qendre koordinimi dhe bashkëpunimi inteligjence për mbledhjen dhe shpërndarjen e informacionit në bashkëpunim me shërbimet inteligjente US dhe EU.

– Ndërtimi i një database (clearing house) për një skanim më të mirë të refugjatëve.

– Bashkëpunimi i lidershipit rajonal, për një plan koherent për zgjidhjen e krizës së refugjatëve në bashkëpunim me BE-në.

– Në bashkëpunim me NATO-n dhe BEnë, vendet e Ballkanit duhet të zhvillojnë një strategji imediate bashkëkohore të sigurisë kibernetike, për të adresuar propagandën dhe radikalizmin e rekrutimin e bërë nga ISISi.

– Një debat serioz i të gjithë vendimmarrësve dhe krahëve të politikës për çështjet e luftës ndaj ISIS-it. Informim më i mirë i qytetarëve dhe bashkëpunim me liderët fetarë, në mënyrë që të zvogëlohen hapësirat publike për ISIS-in për rekrutimin dhe indoktrinimin.

– Strategji e koordinuar, për t’u përballur me problemin e kthimit të foreign fighters. Kjo do të ndihmonte për të ndërtuar një bazë të shëndoshë për përballjen me ISIS-in dhe terrorizmin në Ballkan, i cili do të vazhdojë për një kohë të gjatë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura