Natasha Korn: Ndërtesat shqiptare në mëndafsh

Sep 24, 2012 | 14:17
SHPËRNDAJE
Natasha Korn dalë në një nga këndet e hotel “Sheraton” ku janë ekspozuar punët e saj. Foto: Erdi Mara

Ngjyrat e Shqipërisë e bënë të “tradhtonte” pasionin për anijet. Inxhinierja nga Uzbekistani, që ndoqi të shoqin drejt Shqipërisë, ka gjetur një rrugë fitimi të veçantë. Prodhon shalle dhe kravata me ndërtesa karakteristike shqiptare, nga Kruja, Gjirokastra, Berati, nga Butrinti antik, deri te pallatet e pikturuara në kohën kur Edi Rama ishte kryebashkiak i Tiranës.

Kur thotë se ishte Tirana që e zbuloi atë… e ka seriozisht. Nga një inxhiniere anijesh me përvojë, në një “artiste” që delli artistik iu shfaq sapo këmba i shkeli në kryeqytetin shqiptar. Jo si turiste, por si grua që kish vendosur të ndiqte bashkëshortin me punë në Korpusin e Paqes në Shqipëri. Fillimisht ishin pallatet e lyera me bojëra shumëngjyrëshe detajet e motivet asimetrike që, si gjetje e ish-kryetarit të Bashkisë Edi Rama, grishën fantazinë e gruas nga Uzbekistani, Natasha Korn, e cila në bashkëpunim me të shoqin materializonte të gjitha këto detaje në shalle dhe kravata prej mëndafshi. Vitet dhe njohja i zgjeruan gamën gjetjeve, duke përvijuar krijime interesante me motive nga qyteti antik i Butrintit, rrugicat me kalldrëm dhe qyteti i gurtë i Gjirokastrës, ndërsa punimi i fundit që ka ndër duar quhet “Bukuroshja e Durrësit”…

Kultura shqiptare në shalle e kravata.

Panoramë e krijimeve të Natashës, ekspozuar në ambientet e hotel “Sheraton”

Tashmë nuk ka më asgjë të veçantë “La Tour Eiffel” në Paris, “Koloseu” në Romë, “Syri i Londrës”… Me kënaqësi mund të lidhësh rreth qafës një shall apo kravatë me linjat e pallatit me shigjeta, ndërtesat shumëngjyrëshe të Rrugës së Durrësit, asaj të Kavajës, shtëpitë karakteristike të Beratit, apo teatrin e kolonat e Butrintit antik. Përpara se të vendosej në kryeqytetin shqiptar, Natasha Korn ishte marrë me punë inxhinierike në anije detare. Diploma e saj universitare ishte në këtë profil, ndaj në vendin e lindjes, Uzbekistan, në një nga ish-republikat e Bashkimit Sovjetik, kish punuar vetëm në këtë drejtim. Por, kur u gjend në Tiranë, kuptoi se ishte e zonja të bënte diçka të re, ndryshe. Nëntë vite të shkuara, kur pallatet e lyera rishtas në Tiranë feksnin, befas ato ndollën prirjen artistike të Natashës, e cila në bashkëpunim me të shoqin nisi të realizonte krijime të veçanta. “Fillimisht kur u vendosëm në Tiranë, na bënë shumë përshtypje pallatet e lyera me bojëra shumëngjyrëshe, motive asimetrike. Menduam të bëjmë diçka të re. Procedura është sa e thjeshtë, aq edhe impenjuese. Është im shoq që bën fotot e objekteve të caktuara, më pas unë i bëj një përpunim kompjuterik pa ia humbur identitetin. Duke i sjellë në një formë më të rikonstruktuar, mandej i printoj, dhe i dërgoj në një fabrikë jashtë shtetit, e cila këto detaje i materializon në shalle apo kravata në copa mëndafshi cilësor. Për të përfunduar të gjithë këtë procedurë më nevojiten rreth 40 ditë, ndaj dhe nuk prodhoj në seri modele. Maksimumi dy, deri në tri të tilla”, thotë Natasha. Harta e simboleve historike shqiptare është zgjeruar nga viti në vit, dhe realizimi i këtyre punëve artistike nga Natasha cilësohet edhe si një formë e mirë promovimi e vlerave kulturore dhe historike tonat. Duke kryer shpesh ekspedita si turistë nëpër vende të ndryshme, por duke gjurmuar kryesisht ato historike si qyteti i Krujës, i Beratit, Gjirokastrës, qyteti antik i Butrintit etj., Natasha së bashku me të shoqin munden të bëjnë zbulime të reja, të cilat menjëherë i materializojnë në shalle apo kravata, e më rrallë në kalendarë. “Janë detajet simbolike dhe historike shqiptare ato që na tërheqin. Sigurisht, në momentet që bëjmë fotot, shumë prej objekteve apo mozaikëve janë në gjendje të mjerueshme për shkak të faktorëve atmosferikë që i kanë dëmtuar vit pas viti. Për këtë arsye, unë i punoj në mënyrë dixhitale duke u “ndryshuar” fytyrën dhe duke i bërë më të pranueshme vizualisht. Thuajse të gjitha shallet apo kravatat që kam punuar ndër vite, janë ekspozuar apo shitur në formë suveniresh, si materiale me vlerë të rrallë simbolike”, thotë Korn.

Klientët VIP

Natasha Korn me Klaudia Kardinale, në Festivalin e Filmit në Durrës

Krijimeve të saj të veçanta shumë shpejt do t’i ndienin lezetin njerëz që çoç marrin vesh nga arti e moda. Vitet e fundit ajo ka bashkëpunuar me Neritan Cekën, arkeologun e politikanin e njohur. Përmes tij ajo ka mundur të marrë disa foto të veçanta nga Butrinti antik. Disa prej këtyre simboleve ka nxituar t’i materializojw në shalle dhe kravata të mëndafshta. “Shumë prej klientëve të interesuar për punimet e mia janë edhe personalitete shqiptare. Në fillimet e krijimtarisë, ka qenë Edi Rama që blinte shumë nga punët e mia. Ndërsa, pak ditë më parë, ishte ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, e cila me sa kuptova do të udhëtonte jashtë shtetit dhe kërkonte për dhuratë dy shalle të realizuara nga unë. Gjithashtu, një delegacion japonez që para pak kohësh vizitoi Tiranën, ishte interesuar për të marrë një kravatë, për t’ia dhuruar Kryeministrit Berisha në formë suveniri të veçantë. Shumë nga punimet e mia gjenden në “Duty Free Shop” në Aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë ose mund të bëhen me porosi speciale. Më vjen mirë që puna ime vlerësohet, sepse është diçka shumë e rrallë”, thotë Natasha Korn. Në fakt, e tillë është…
ERMIRA ISUFAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura