Rama izoloi vendin në ditën e Fiter Bajramit, KMSH njofton besimtarët myslimanë: Falja do të bëhet në xhamia

May 23, 2020 | 11:38
SHPËRNDAJE

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka njoftuar të gjithë besimtarët myslimanë se namazi i Fitër Bajramit këtë vit do të falet nëpër xhamia sipas masave dhe protokollit të përcaktuar.

“Duke vlerësuar situatën dhe ecurinë e zhvillimeve të fundit mbi përhapjen e Covid-19 në Shqipëri, KMSH bën me dije se namazi i Fitër Bajramit këtë vit do të falet nëpër xhamia sipas masave dhe protokollit të publikuar më parë,”- njoftoi KMSH.

Ceremonia qendore e Fitër Bajramit, ku do të jetë i pranishëm edhe kryetari i KMSH, Bujar Spahiu, do të zhvillohet në xhaminë e “Kokonozit” në Pazari e Ri në Tiranë ditën e dielë.

bujar spahiu

“Nesër është Fitër Bajrami dhe me këtë rast i uroj të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë kudo që ndodhen, gëzuar e për shumë vjet. Paqe, lumturi dhe harmoni sjelltë bajrami në familjet tuaja!

Fitër Bajrami është kurorëzimi i muajit të Ramazanit, është ftesa e shpalosjes së vlerave të fituara në këtë muaj, është shpërblimi i sakrificës, është afrimi më shumë me Zotin. Bajrami është ditë shprese, gëzimi dhe solidarizimi, është dita e manifestimit të vlerave dhe virtyteve që Ramazani i ka rizgjuar tek njeriu, është dita e falënderimeve dhe dita e dashurisë.

Këtë muaj e përjetuam ndryshe nga Ramazanet e tjera, u privuam nga namazet e përbashkëta, iftaret dhe festimet me të dashurit. Por falë Zotit ky Bajram vjen në një situatë më të përmirësuar,”- uroi Bujar Spahiu.

Ndërsa drejtoi edhe një mesazh për mjekët: “Me këtë rast dua të falënderoj në mënyrë të veçantë të gjithë punonjësit e shëndetësisë, që punuan me përkushtim për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e qytetarëve të prekur nga pandemia.

Në një hadith kudsi Allahu u drejtohet besimtarëve: “Për Mua agjëruat në muajin e Ramazanit dhe sipas urdhërit tim falët namazin e bajramit. Kthehuni tani në shtëpitë tuaja të pastruar nga gjynahet e të falur”.

Allahu ua pranoftë agjërimin, adhurimet dhe lutjet që kemi bërë gjatë këtij muaji të bekuar.

Rama izolon vendin 

Ndërkohë kryeministri Edi Rama ka rikthyer në fuqi ditën e djeshme urdhërin që njerëzit të izolohen në shtëpi gjatë fundjavës.

Pavarësisht lehtësimit thuajse të plotë të masave kundër koronavirusit, e diela u mbyll sërish.

Vendimi i papritur i kryeministrit Rama u lajmërua shkurtimisht në Facebook dhe vlen për zonat të cilat konsiderohen ende të kuqe për shkak të koronavirusit.

Festa është kulmi i një muaji agjërimi, i cili mbyllet zakonisht me lutje të përbashkëta mëngjesin e ditës pas mbylljes së muajit të shenjtë të Ramazanit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura