Na duhen të zgjedhurit mes njerëzve

Dec 4, 2019 | 11:30
SHPËRNDAJE

ARTAN FUGA fuga

Në këto ditë sa të trishta aq edhe tragjike, kamerat televizive drejtohen thuajse ekskluzivisht te Kryeministri dhe tri a katër personazhe të tjera politike.

Sigurisht, ata përballojnë një stres dhe lodhje që vjen si pasojë e detyrës që kanë marrë përsipër, por çështja është gjetiu.

Duket sikur në Shqipëri ka vetëm tri realitete: Tri a katër figura politike;

Shkatërrime të gjera në zonën Lezhë – Durrës – Tiranë;

Një popullsi që pret të kujdesen për të.

Sigurisht që edhe punonjës të bashkive dhe zyrtarë të tjerë kanë detyrat e tyre dhe kontribuojnë.

Mirëpo nuk shohim të zgjedhurit. Të zgjedhurit lokalë në këshilla bashkiakë dhe të zgjedhur qendrorë në Kuvendin e Shqipërisë.

Janë ata mes njerëzve ditën dhe natën? Kanë përveshur llërat ata për t’i dalë Zot popullit, që i kanë kërkuar dhe marrë votën, elektoratit, që i kanë kërkuar t’i zgjedhin? Janë në terren? Drejtojnë ekipe? Kanë kompetenca? Kanë krijuar komitete qytetare për shpëtimin e jetëve dhe sigurimin tyre, si edhe administrimin e gjendjes? Shkruajnë raporte, bëjnë kontrolle pranë administratës, kanë pamjet dhe pikëpamjet e tyre për gjendjen dhe daljen prej saj?

Nëse edhe përballimi gjendjes të pastërmetit do të bëhet si ai i ushtrimit të pushtetit, pra në formë piramidale, atëherë nuk kemi një model optimal për të nxitur dhe mobilizuar forcat njerëzore dhe materiale të vendit për rindërtim.

Duke vlerësuar pa masë median, sidomos ata djem e ato vajza gazetare që raportojnë gjithë përkushtim nga terreni, pa u lodhur, këtu kam një vërejtje ose sugjerim.

Në ekrane duket sikur katër a pesë njerëz përballojnë të gjithë situatën.

Kamerat rendin pas Kryeministrit dhe transmetojnë edhe fjali që ai thotë në një marrëdhënie familjariteti të natyrshëm me ata që e shoqërojnë. Kryetarja e Durrësit dha dorëheqjen e lodhur dhe e këputur. Në Tiranë, pushtetit lokal i jepet detyra të lyejë një shkallë, sikur kjo të ishte detyra kryesore. Po në ekrane, në komitetin e rindërtimit shohim biznesmenë dhe veç të njohurve, edhe fytyra krejt të panjohura. Nuk dihet se çfarë detyrash kanë. Në drejtim duhet të jenë liderë të opinionit publik, jo kontribuues financiarë, sepse, pasi i kanë dhuruar paratë, ato parà nuk janë më të tyret. I takojnë komunitetit qytetar. Nuk është: topi është imi, penalltinë e gjuaj vetë!

Shohim fytyra natyrisht të mërzitura qytetarësh që presin, vetëm presin. Në të keqe kërkohet mobilizim qytetar, kërkohet që të nxiten liderët e opinionit lokal të ngrohin shpirtrat dhe të mobilizojnë masat, të solidarizojnë njerëzit.

Të zgjedhurit të kenë rol aktiv, të marrin detyra dhe t’i zgjidhin e përballojnë ato. Nuk mund të shkojnë sa për të bërë një vizitë e një qokë. Natë e ditë të zhvendosen atje, në lagje, në hotele, në sheshe ku janë njerëzit dhe të kenë iniciativë.

Çfarë ka ndodhur? Ose media, e mësuar të ndjekë politikanët kryesorë te dera e Kuvendit, vazhdon të njëjtin avaz dhe kamerat i çon vetëm atje ku ndodhet Kryeministri ose shefi i opozitës? Ose ndjek agjendën që këta i japin medias dhe media ka një pamje vertikale të informacionit, sipas parimit jashtë piramidës së politikës, nuk ka asgjë tjetër.

Ose këta të zgjedhur janë të mpirë nga shefat e tyre, që nuk u lejojnë të luajnë ndonjë rol, duke bërë një strategji imazhi për veten e tyre. Ose këta të zgjedhur nuk dinë, nuk duan, nuk kanë asnjë kompetencë për të vepruar energjikisht.

Opinioni publik ka nevojë t’i shohë në krye të detyrave. Edhe më keq akoma nëse ata janë në terren, por nuk kanë vizibilitet. Media televizive e shumëfishon mesazhin optimist që ata do të përcillnin.

Mos harrojmë se shoqëria piramidale me gjoja reformën e pushtetit lokal fshiu me një të rënë të dorës mijëra të zgjedhur komunarë në të gjithë territorin e vendit. Territori mbeti i boshatisur nga kontrolli i të zgjedhurve lokalë. Për më tepër, sot qytetarët kanë nevojë për këta mijëra, për t’i pasur pranë vetes, por ata nuk janë më. Shohin punët e tyre individuale, sepse numri i komunave dhe i të zgjedhurve u reduktua në minimum me pretekste të padëgjuara.

Media dhe pushteti lokal nuk duhet të na japë vetëm fytyrën e shqiptarit të hutuar dhe që pret si i anesteziuar, por duhet të kemi një organizim sa nga lart, ashtu edhe nga poshtë.

Metodat piramidale, si në të gjithë sektorët edhe në menaxhimin e pasojave të tërmetit, japin minimumin e rendimentit. Për të mos thënë që edhe për ndërtimet e dobëta, të paudhët kanë përfituar edhe nga bllokimi i kontrollit qytetar mbi cilësinë e ndërtimeve dhe në proceset e dështuara të urbanizimit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura