Muzikë mes telash me gjemba, Marsida Koni, një album pianistik në Itali

Sep 4, 2018 | 12:45
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ 

Suita folklorike, valle, kolona zanore filmash dhe miniaturat nga një “cep i humbur i Europës”.

Copëza nga krijimtaria më e mirë muzikore e viteve të diktaturës i përcillet dëgjuesit të huaj përmes tingujve pianistikë të pianistes së talentuar Marsida Koni, e cila prej vitesh zhvillon karrierën e saj muzikore në Itali. Prej datës 1 shtator është hedhur në qarkullim në Itali “Albanian Piano Music”, me 28 pjesë për piano të krijuara gjatë viteve të diktaturës komuniste në Shqipëri. Për të sjellë një panoramë sa më të gjerë të këtyre zhvillimeve, Koni ka përzgjedhur krijime të dy breza krijuesish.marsida-2

Ka përzgjedhur krijime nga Simon Gjoni, Çesk Zadeja dhe Tonin Harapi, të cilët i përkasin gjeneratës së parë të kompozitorëve profesionistë nga Shqipëria, të gjithë të lindur në vitet 1920. Një brez muzikantësh të shkolluar jashtë vendit, por që u kthyen në kryeqytetin dhe qendrën artistike të Tiranës, për të udhëhequr jetën kulturore në kushtet e një izolimi të thellë politik, social dhe kulturor.

Një brezi më të vonët kompozitorësh i takojnë Pëllumb Vorpsi, Thoma Simaku dhe Vasil Tole. CD-ja është shoqëruar nga një broshurë që ofron një informacion të përgjithshëm mbi zhvillimet muzikore gjatë gjysmës së dytë të shek. XX në Shqipëri. “Për shkak të izolimit të saj ekstrem, zhvillimi muzikor në Shqipëri ndoqi ritmin dhe drejtimin e saj, pavarësisht nga ajo që po ndodhte në vende të tjera.

Ky regjistrim i ri paraqet një pasqyrë unike të muzikës së kompozitorëve shqiptarë të shekullit të 20-të. Prej viteve 1950, jeta muzikore mori një shtysë të re në zhvillimin e sistemeve arsimore muzikore dhe themelimin e disa orkestrave simfonike dhe kompozitorët u frymëzuan për të shkruar në një stil të ri kombëtar, i cili u rrënjos në traditën e pasur të muzikës popullore shqiptare.marsida11

Muzika pianistike e paraqitur në këtë album është në përgjithësi në stilin tradicional, shumë atraktive, duke alternuar romantikën melankolike dhe muzikën e gëzueshme, ritmike të gjallë popullore”, thuhet në broshurën bashkëlidhur CD-së, por edhe një informacion të pasur për kompozitorët e përfshirë në këtë përmbledhje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura