Muzeu i Durrësit, nisin punimet për rikonstruksionin

Jul 20, 2011 | 11:13
SHPËRNDAJE
Kryeministri Berisha, dje në Muzeun e Durrësit

Kishte të drejtë Kryeministri kur tha se “bukuroshe të fjetura” mund të ketë shumë në Shqipëri. Veçse duhen zbuluar e mbi të gjitha duhen mbrojtur. Muzeu Arkeologjik i Durrësit është një nga galeritë më të pasura me objekte arkeologjike në të gjithë vendin, por që deri më sot nuk është bërë shumë për ta bërë të njohur. Pas një periudhe të gjatë harrimi, ndarje e ngatërresa kompetencash, rrudhje ambientesh… është gjetur një zgjidhje. Dje në Durrës u zhvillua një ceremoni përurimi për rikonstruksionin e këtij muzeu, ku merrte pjesë edhe kryeministri i vendit, Sali Berisha. Rikonstruksioni i Muzeut Arkeologjik është projektuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe me një investim me vlerë 100 milionë lekë parashikohet rikonstruksion i godinës dhe rikonceptimi i ekspozimit të objekteve, sipas standardeve më bashkëkohore. Projekti përfshin edhe ngritjen në ambientet e tij të një biblioteke dhe një salle konferencash. Rikonstruksioni i muzeut parashikohet të përfundojë në vjeshtën e vitit 2012, në prag të 100-vjetorit të pavarësisë. “Në Durrës është bërë një përpjekje e madhe për ta ekspozuar, falë një pune të jashtëzakonshme që ka bërë një burrë mendjendritur i Durrësit, Vangjel Toçi. Unë dua t’ju garantoj se ne jemi vetëm në hapat e parë dhe sigurisht të rëndësishëm të zbulimit të pasurive përrallore që ka kjo tokë dhe ky vend”, u shpreh kryeministri Berisha. “Ministria e Kulturës ka bërë një veprimtari frutdhënëse. Këtë vit, fatmirësisht, është siguruar një buxhet, më i madhi në tërë historinë e vendit, për zbulimin, kujdesin, restaurimin e monumenteve të kulturës, që shkon rreth 20 milion dollarë. Por nevojat janë shumë më të mëdha. Ne do mund të ekspozojmë, të promovojmë pasuritë tona të mëdha, kur në çdo rreth, Ministria e Kulturës së bashku me qeveritarët vendorë do të marrë vendimet për të ngritur muzetë arkeologjikë, arkeologjikë-etnografikë, të cilët duhet t’u dëshmojnë vizitorëve të gjithë udhëtimin tonë në shekuj e mijëvjeçarë”, tha Berisha.
Rikonstruksioni
Projekti për rikonstruksionin e muzeut është i ndarë në disa faza dhe parashikon restaurimin e plotë të muzeut, duke përfshirë fasadën e jashtme, ashtu dhe në vënien në funksionim të katit të dytë, vend në të cilën sipas arkitektëve, do të mundësohet edhe ekspozimi i objekteve të shumta, të cilat deri më tani janë ruajtur në vende të mbyllura për shkak të mungesës së hapësirave në muze. Pas kryerjes së punimeve në katin e dytë, punimet do të përqendrohen tek çatia e godinës dhe tek fasada e jashtme. Por pavarësisht ndërtimeve, muzeu nuk do të mbyllet për turistët e shumtë që mbushin qytetin 3 mijë vjeçar gjatë periudhës së verës.  Punimet për rikonstruksionin e muzeut kanë nisur dhe pas një viti, vizitorët do të kenë mundësi të vizitojnë një muze brenda të gjitha parametrave bashkëkohorë. Muzeu arkeologjik i qytetit të Durrësit është krijuar më 13 mars të vitit 1951, nga arkeologu Vangjel Toçi. Tashmë Muzeu Arkeologjik i Durrësit ka një koleksion tejet të pasur. Në ambientet e tij gjenden rreth 20 mijë objekte, duke përfshirë qeramikë, enë qelqi, skulpturë arkitektonike, dekorative, skulpturë e rrumbullakët, relieve, gurë varresh, stela, objekte të argjendarisë, monedha etj. Ndërkohë, nëntoka e qytetit të Durrësit ofron vazhdimisht zbulime, të cilat do të duhet të gjenin vend në këtë muze.                           l.musai

100 milione
është shuma që po financohet për rikonstruksionin dhe rikonceptimin e Muzeut Arkeologjik të Durrësit, ku ruhen 20 mijë objekte.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura