Muzeu i Apollonisë nuk është gati para shtatorit

Jul 5, 2011 | 10:46
SHPËRNDAJE
Muzeu Arkeologjik i Apollonisë

Kur në hapësirën e Apollonisë u zbulua një bust i rrallë burri, ish-ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj, dha fjalën se shumë shpejt do të hapej muzeu i qytetit antik.Ky premtim u përforcua edhe më tepër, kur kryeministri i vendit, Sali Berisha, shkoi të shihte nga afër këtë gjetje të mrekullueshme, e cila gjendej në ambientet e Institutit të Arkeologjisë në Tiranë. Megjithatë, edhe pse u premtua se gjithçka do të ishte gati brenda sezonit turistik, duket se kjo do të jetë e pamundur. Muzeu i Apollonisë me shumë gjasë do të jetë gati në vjeshtë, edhe pse tani është edhe sezoni më i preferuar prej vizitorëve. Për rihapjen e këtij muzeu, një ndër më të rëndësishmit në gjithë Shqipërinë, po punon një grup pune, i drejtuar nga arkeologu Skënder Muça. Specialisti Muça thotë se do të jetë e pamundur që muzeu të hapet brenda këtij sezoni turistik. Sipas tij, ende nuk ka përfunduar realizimi i vitrinave, për të vazhduar më pas me objektet e ndoshta nga shtatori gjërat do të kenë marrë udhë. U bë kohë tanimë që Muzeu i Apollonisë është mbyllur, por 2-3 vitet e fundit, specialistët ngritën e alarmin për shkak të rrëshqitjeve të dheut. Këto shkarje në kodrën ku ngrihet muzeu, sollën dëmtime edhe në strukturën e godinës, në dysheme dhe mure, duke rrezikuar jo vetëm shkatërrimin e saj, por edhe të objekteve që ndodheshin aty. Kjo ishte edhe arsyeja pse një pjesë e mirë e objekteve të muzeut u zhvendosën në hapësira më të sigurta. Sipas arkeologut Muça, tashmë ka përfunduar faza e parë e punimeve për përforcimin e strukturës së godinës e tanimë punimet kanë përfunduar në hapësirën e katit të dytë, ku do të ekspozohen objektet. Sipas tij, në një fazë të dytë do të ndërhyhet për forcimin e themeleve. Sipas Muçës, me ndërhyrjet e bëra deri më tani, godina është e sigurt. Megjithatë, vetëm një pjesë e muzeut pritet të hapet për vizitorët.
Muzeu
I ngritur në ambientet e Manastirit të Shën Mërisë, i cili mendohet të jetë ndërtuar në shek. XIII, Muzeu Arkeologjik i Apollonisë ka qenë një nga më të rëndësishmit në Shqipëri. Një muze me rreth 5 mijë objekte, mes të cilave statuja të rralla, gurë varesh, amfora e objekte të tjera arkeologjike, i ngritur në vitin 1958. Pas viteve ‘90, një pjesë e objekteve të Muzeut Arkeologjik të Apollonisë u shkatërruan ose u vodhën. Ashtu si edhe qendrat e tjera arkeologjike, edhe Apollonia nuk mund t’i shpëtonte valës së vjedhjeve dhe dëmtimeve, që pasuan ndryshimin e sistemeve politiko-sociale. Trazirat e vitit 1997 çuan në mbylljen përfundimtare të tij. Një pjesë e mirë e objekteve u dërguan për ruajtje në fondet e Institutit Arkeologjik të Tiranës, të tjera u ruajtën në ambientet e muzeut, gjatë vitit 2009-2010 një pjesë e statujave u lëvizën drejt një vendi më të sigurt, për shkak të dëmtimeve të mëdha që kishte pësuar portiku i Manastirit, ku ato ekspozoheshin. Shqetësimi për rrëshqitjet e dherave dhe dëmtimin e mundshëm kishte vite që kishte nisur, por vitet e fundit ai u bë alarmant. Faktit që muzeu ishte gati-gati inekzistent, i shtohej edhe rreziku i shkatërrimit përfundimtar. Sipas specialistëve, në ambientet e këtij muzeu kishte 25-30 vjet që nuk ishte vënë dorë për rikonstruksionin e saj, u desh rëndimi i situatës që strukturat shtetërore të viheshin në lëvizje dhe mbi një projekt të hartuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës nisi puna për forcimin dhe rikonstruksionin e ndërtesës. Drejtuesi i grupit të punës për ringritjen e muzeut, Skënder Muça, thotë se muzeu i “ri” do të ruajë të njëjtën strukturë që ka pasur edhe më parë, veçse me një frymë më bashkëkohore. Sipas tij, objekteve të vjetra do t’i shtohen edhe disa të reja, që nuk janë ekspozuar më parë, ndërsa do të zëvendësohen disa objekte të ekspozuara në muzeun e “vjetër”. Megjithatë, kjo punë do të dojë edhe 2-3 muaj kohë. Pasi të përfundojë realizimi i vitrinave të reja, në to do të vendosen objektet për ekspozim. Pjesë e projektit për Muzeun e Apollonisë është edhe realizimi i një “pavijoni” natyror, por Muça thotë se kjo do t’i përkasë një faze më të vonshme.

Gjurmët e “Luftës së ftohtë”

Edhe antivlera mund të kthehet në vlerë. Kur vizitoi Apolloninë, me qëllim hartimin e studimit “Menaxhimi fiskal dhe struktura drejtuese e sistemit të parqeve arkeologjike në Shqipëri”, specialisti italian, prof. Sebastiano Tusa, vuri re një shumësi bunkerësh në hapësirën e parkut të Apollonisë, që kanë dëmtuar një zonë të rëndësishme arkeologjike. Por edhe për këtë mund të ketë një zgjidhje. Tusa ofron një propozim: “Situata te Akropolis është një shkatërrim nga pikëpamja arkeologjike, sepse ai është sheshuar tërësisht e mbi të janë vendosur disa armë e bunkerë. Nuk mund të bëhet më asgjë për të rikthyer situatën arkeologjike siç ka qenë në të kaluarën. Por, ky shkatërrim mund të kthehet në një burim për të kujtuar që këta bunkerë janë stereotipi i faqes së fundit të historisë së Shqipërisë, përpara se të niste periudha e demokracisë. Pastrimi dhe restaurimi i pjesshëm i tyre mund të jepte mundësinë për të rivlerësuar një zonë interesante të Apollonisë. Kjo zonë mund të bëhet një vend ku njerëzit mund të hyjnë në atmosferën e “luftës së ftohtë”, kur Shqipëria, e sunduar nga një regjim i egër komunist, ishte tërësisht e izoluar, në pritje të një pushtimi nga “Perëndimi” që s’ndodhi kurrë. Stacionet e bunkerëve dhe armëve mund të bëhen një rast për të treguar hapin e fundit të historisë së gjatë të zonës së Apollonisë si dhe të të gjithë Shqipërisë. Në këtë zonë, do të ishte me interes të lexoheshin ato që kanë shkruar disa ushtarë gjatë pritjes së gjatë të armikut që s’erdhi kurrë!”

Apollonia

Qyteti i lashtë i Apollonisë ka qenë një koloni greke, kulmin e lulëzimit të vet në shek. V para Krishtit. Për shkak të vendosjes së favorshme gjeografike, me afërsi nga deti dhe Rrugën Egnatia, ajo ka qenë një nga qendrat më të rëndësishme të kohës. Ndër të tjera Apollonia mbahet mend për faktin se Oktaviani, përpara se të bëhej perandor, është shkolluar në Apolloni. Apollonia është deklaruar si zonë arkeologjike në mbrojtje prej vitit 1963 dhe u shpall Park Kombëtar Arkeologjik në vitin 2005.

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura