Murataj: Si i gjetëm të rinjtë shqiptarë që fituan në Berlinale

Feb 26, 2011 | 13:05
SHPËRNDAJE

Por “Falja e gjakut” (“The Forgiveness of Blood”) mund të kishte dalë edhe më me shumë trofe që andej. Kjo është përshtypja që skenaristi mori me vete nga Berlini. Por, siç thotë ai, trofetë janë për t’u vendosur për zbukurim. “Çmimin e kishim marrë duke bërë filmin e duke shkuar atje. Do të ishte megalomane të thoshim që çmimi nuk na intereson, por për ne ai ishte vetëm një konfirmim”, thotë ai. Pasi të ketë shëtitur dhe në ca festivale të tjerë, “Falja e gjakut” do të shfaqet edhe në Shqipëri. Pritet vetëm vendosja e datës. I sapoardhur në Tiranë nga Festivali i Berlinit, Andamion Murataj tregon si lindi bashkëpunimi mes tij dhe regjisorit Joshua Marston, si e ngritën historinë, si i gjetën aktorët e më pas… Berlini.
Ta fillojmë nga e para, si u takuat me Joshua Marston dhe si u ngjiz ideja për të bërë një film në Shqipëri?
U takuam si miq në Nju Jork. Aso kohe kisha në duar një projekt. Teksa më pyeti se më çfarë po merresha, i thashë se po bëja një film komedi për gjakmarrjen. Aty më thotë se edhe ai kishte dëgjuar për Shqipërinë dhe dëshironte të bënte një film këtu. Më tregoi se kishte lexuar në një gazetë amerikane për fëmijët e ngujuar prej gjakmarrjes dhe me thënë të drejtën rrudha buzët se të gjithë të huajt duan të bëjnë një film të tillë. Është kthyer si në një klishe. Por të bësh një film për gjakmarrjen, është si të bësh një film për dashurinë, që gjithnjë mund të jetë i ri dhe i freskët. Filmat nuk shihen nga tema, por nga mënyra e këndvështrimit, cilësia, nga e veçanta që sjellin. Kështu nisi aventura jonë shqiptare.
Ku i fokusuat kërkimet tuaja?
Nuk ishte një kërkim i lokalizuar. Bëmë udhëtime në të gjithë Shqipërinë për të mësuar mbi mënyrën e jetesës dhe të të menduarit të shqiptarëve sot. Ky nuk është një film etnografik, nuk është një film me qeleshe dhe mustaqe. Kemi kërkuar në Vlorë, Himarë, Fier, Berat… Kemi takuar një pafundësi njerëzish. Ne mësuam se histori gjakmarrjeje kishte ngado, edhe në Poliçan, edhe në Himarë, edhe në Mirditë, Pukë… Për shkak të numrit më të madh të rasteve u fokusuam në Shkodër, në qytet dhe në fshatrat përreth, ku kishte shumë të zbritur. Kemi prekur jetë njerëzish të “vegjël”, për të krijuar një mozaik njohjeje gjigante. Duke ecur krijohej struktura bazike, struktura familjare, konfliktet kryesore, që ishin kryesisht për pronën. Dalëngadalë struktura merrte formë, por pa u hedhur në skenar. U kthyem në Nju Jork, ku vazhduam debatin mbi ato që na kishin bërë përshtypje dhe mbi karakteret, ndërsa në udhëtimin e dytë, gjërat morën formë dhe u ngrit skenari.
Çfarë ju goditi më shumë në këtë udhëtim, i përmbahej imagjinatës tuaj, apo kishte dhe të papritura?
Kisha 15 vjet larg dhe njohja ime për Shqipërinë ishte shumë e kufizuar. Por kjo na dha mundësinë ta preknim çdo gjë si për herë të parë dhe t’i shkonim në fund çdo gjëje. U çuditëm nga ajo që pamë, nga lidhja e të rinjve me teknologjinë, telefona të shtrenjtë, internet, lojëra elektronike… Nuk bëhej fjalë për qytetin, por edhe nëpër fshatra fëmijët ishin shumë në kontakt me teknologjinë moderne. Ne pamë një Shqipëri që edhe vetë shqiptarët nuk e njohin. Pamë një fshat tjetër nga ajo që na përshkruhej në Tiranë. Kishim në mendje një vend të varfër në skamje, po pamë çuna të rinj, të bukur, plot energji, plot ide për ngritje biznesesh, që na lanë pa fjalë. Dhe filmi ynë këtë jep. Njerëz të ngujuar, ne gjetëm si në fshat, edhe në qytet. Nuk ishin detyrimisht familjet më të varfra, por kishte edhe të tillë, jo domosdoshmërisht ishte për faj të babait të tyre, por edhe të atij tjetrit. Dhe të gjitha këto ne na krijuan disa linja, na hapën një perspektivë, sipas së cilës, nuk bëhej fjalë për të gjetur se kush ishte fajtori, por të marrjes së një vendimi, të faljes, apo të shpagimit. Gjithnjë më ka tërhequr koncepti i së drejtës. Ku qëndron e drejta në një konflikt? E drejta ndryshon kah në çdo kthesë dhe është e pagjetshme. Në filmin tonë, kur lexon skenarin, nuk gjen se kush e ka fajin. Është një faj i madh dhe janë këto konfliktet e vogla. Dhe ne ishim shumë të interesuar ta shihnim me ndershmëri këtë çështje.
Kur të huajt vijnë në Shqipëri janë të interesuar posaçërisht për gjakmarrjen, u duket ekzotike, ndërsa për shqiptarët, kjo është bërë paksa e mërzitshme, si iu shmangët përsëritjes?
Unë i pari do të mendoja që një film mbi gjakmarrjen është i mërzitshëm. Edhe projekti që po punoja nuk ishte një film mbi gjakmarrjen, por një komedi mbi të. Ishte një situatë tërësisht komike në esencë, sesi një njeri me mustaqe të ngatërron jetën. Në filmin tonë nuk ka thelb komik, por tërësisht të ri. Është perspektiva e njeriut të ri që ne e takonim në çdo shtëpi. Kishte të rinj që u ishin vrarë baballarët, por që kishin një jetë të tyren, që gjaksin e kishin pasur shok klase apo kushëri dhe nuk donin ta vazhdonin këtë zinxhir. Kështu që ne fokusohemi tek këndvështrimi i të rinjve, mentaliteti i tyre. Sigurisht ne nuk pretendojmë të zgjidhim problemin e gjakmarrjes, por të jemi një zë i të rinjve dhe mendimi i tyre i freskët, humane është një rrugë zgjedhjeje, në të kundërt ky rreth vicioz shekullor nuk ka fund kurrë. Ne na interesonte rinia, jo gjaku. Si një djalë, apo një vajzë e re përballet me këtë rrethanë specifike, dramatike. Na interesonte të shihnim se si këta të rinj kërkonin zgjedhje në këto rrethana. Gjakmarrja është sy për sy dhe është një fenomen gjithëbotëror. E gjen edhe në Amerikë e në vende të tjera, pavarësisht emrit që ka. Në thelb është po ajo, pavarësisht kanuneve. Por ne nuk na interesonte kanuni, ai kalon tangent. Ne na intereson përpjekja e këtij djalit të ri që është i rrethuar nga vajzat, që ka ëndrra për të ngritur një biznes që 14 vjeç dhe gjendet në çark. Ai është një njeri modern që duhet të zgjidhë një situatë që i ka lidhur këmbët dhe perspektiva e filmit është këndvështrimi i dy personazheve, vëllait dhe motrës, mbi këtë fenomen.
Na tregoni pak për aktorët, si i gjetët këta të rinj, për të cilët askush nuk kishte dëgjuar më parë?
Unë isha drejtues i audicioneve. Gjatë kohës që mblidhnim materiale për skenarin, kemi takuar shumë të rinj, që ose ishin vetë të përfshirë në një gjakmarrje, ose kishin njerëz të afërm, apo kishin informacion mbi të. Shumë të rinj mund të kishin qenë në vend të Tristan Halilajt. Joshua tashmë e kishte eksperiencën në këtë fushë, “Maria full of grace” ka qenë i nominuar për aktoren më të mirë dhe e kishte shumë të qartë procesin. Për mua ishte hera e parë. E filluam me shkollat rurale, me shpresën se aty do të gjenim karaktere që ishin më afër së vërtetës. Pasi mbarova 30 të parat, isha shumë i emocionuar, ndërsa Joshua më thotë: mos u mërzit se ke edhe 670 përpara. Aktoren e “Maria full of grace” e kishte gjetur te 700 e ca. Mendova se nuk do të qe e vështirë, por kaluan 1000, pastaj 2000, erdhi vetë Joshua me Paul dhe kaluam 3 mijë.
Po në fakt çfarë kërkonit, si e imagjinonit “djalin” tuaj?
Ajo çka ne kërkonim ishte një i ri që mban jo vetëm identitetin e tij personal, por dramën e një grupi më të gjerë se vetvetja. Ne kërkonim dikë që të ishte më i mirë se “Maria”, dikë që ka të dhëna të brendshme natyrale. Jo se nuk kishte. Kishim takuar shumë fëmijë të talentuar dhe të bukur shpirtërisht. Çdonjëri prej tyre mund të kishte qenë Niku i skenarit dhe në këtë rast është edhe më e vështirë. Gati po bënim një studim antropologjik në gjithë zonën e Shkodrës. Pastaj takova Tristanin, një djalë i përjashtuar nga të tëra shkollat. Nuk ishte gangster, po si duket nuk ishte kuptuar. Kur e shihje për herë të parë, ishte një djalë më se i zakonshëm, i qetë. Ndërkaq, ne e kishim një ide në kokë. Na duhej një djalë fshati edhe pak i fortë fizikisht… Ishte një ditë e shëmtuar në Shkodër, kishim dështuar me fshatrat. Sa filloi tregimin Tristani, i gjithë karakteri i tij ndryshon, është ndriçues. Tregoi një ngjarje komike, që pasurohej hap pas hapi. Mbaroi dhe thashë: E gjetëm djalin! Por teksa po dilte, i kërkova të më tregonte një histori të trishtë. Tregoi një histori rrënqethëse, të thellë… dhe mënyra se si e tregonte ishte e mrekullueshme. Pak më parë ishte gazmor, shpërthyes dhe më pas kishte ndryshuar tërësisht gjendjen emocionale. Marr Joshuan në telefon, i jap lajmin e mirë dhe ai vjen ta takojë vetë.
Po vajzat?
Pastaj takuam Sindin. Ishte një radhë e gjatë për audicion dhe ajo shpërthen derën e donte të bënte performancën e saj para të tjerëve, edhe pse nuk ishte e asaj klase. Bëri pjesën e saj. Ajo ishte! Pastaj Zana ishte dashuri me shikim të parë për Joshuan. Kishte një botë të thellë shpirtërore dhe mund të ndryshonte shumë shpejt nga një gjendje në tjetrën. Sa e pa, tha: “Kjo është vajza!”. Ajo shpërtheu në lot e na thotë: “S’më len baba!”. Shkuam të takonim prindërit e saj. Njerëz tepër të mirë, por si çdo prind që është i merakosur për vajzën… Ky ishte kërkimi ynë që i dha frytet. Filmi ka ulje-ngritjet e veta, por nëse kishte diçka, për të cilën ne ishim krenarë, ajo ishte kasti dhe në Berlin ne ishim të bindur që këta do ta merrnin trofeun, madje jemi të bindur edhe sot. Sepse asnjë juri nuk ia ka borxh ndokujt t’i kërkojë falje një aktori. Isabela Roselini i ka thërritur të dy dhe u ka kërkuar ndjesë. Për ne kjo ishte shumë.
Është një film që u bë shpejt dhe me buxhet të vogël…
Krahasuar me nivelet e kinematografisë botërore, është një prodhim me buxhet të vogël. Procesi ka qenë absolutisht i shkëlqyer. Shumë pak filma zhvillojnë këtë fazë kërkimore dhe audicione. Ky film dallohet për autenticitetin e vet. Të njëjtin proces që zhvilluam unë dhe Joshua, e zhvilluan edhe kasti i aktorëve. Shkuan në disa familje, takuan të rinj në zona të ndryshme për të ndërtuar karakteret e tyre. Tashmë kanë vendosur marrëdhënie miqësore me ta.
Këtë vit u fol për “çmime politike”, ju vjen keq që morët vetëm çmimin për skenarin më të mirë?
Unë jam krenar për skenarin, por nuk ka gjë më të bukur se kur takon njerëz në rrugë e të falënderojnë, apo duan të bëjnë fotografi me ty. Por ne ishim të bindur që filmin e kishim të mirë, sepse ishim të ndershëm me atë që kishim bërë. Çmimin e kishim marrë duke bërë filmin e duke shkuar atje. Do të ishte megalomane të thoshim që çmimi nuk na intereson, por për ne ai ishte vetëm një konfirmim.

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura