Mungesë gatishmërie në disa raste të emergjencave civile/ Kompanitë e huaja nuk mirëmbajtën helikopterët Cougar, FA konsulent për vlerësim dëmi

Aug 21, 2023 | 12:10
SHPËRNDAJE

Mirëmbajtja e helikopterëve në vend jo në pak raste është bërë objekt debati sidomos e lidhur kjo me mungesën e gatishmërisë së tyre në disa raste të emergjencave civile.

helikopter

Dy raste të tilla ishin ato në verën e vitit 2021 kur disa zona në vend u përfshinë nga flakët dhe ishte Bashkimi Europian që ofroi ndihmë ndërkohë që edhe në verën e 2022 episodi ishte i ngjashëm.

Këtë herë ama ishte kërkesa e autoriteteve shqiptare për ato greke për një avion të specializuar për shkak se helikopterët tanë ishin jashtë për mirëmbajtje.

Në këtë kontekst një procedurë prokurimi e hapur këto ditë Reparti Ushtarak Nr.3001 Komanda e Forcave Ajrore Tiranë ka në objekt të saj “Blerje e shërbimit të konsulencës për vlerësimin e dëmit të ardhur nga mosrealizimi i kontratave të shërbimit të mirëmbajtjes së helikopterëve”.

Në dokumente nuk jepen specifika se cila është emergjenca ku kanë munguar helikopterët të cilëve nuk ju është kryer mirëmbajtja nga dy kompanitë e kontraktuara nga pala shqiptare dhe koha për të cilën bëhët fjalë.

Termat e referencës shpjegojnë se bëhet fjalë për tre helikopterë Cougar që janë pjesë e Forcave Ajrore.

“Komanda e Forcës Ajrore është në procesin e hartimit të një raporti të hollësishëm mbi dëmin e shkaktuar nga mos përmbushje e detyrimeve kontraktore me kompaninë polake “Heli –One S.P Z.O.O” dhe kompaninë italiane “Helicopters Italia S.r.l”, të cilat kishin si objekt vënien në gatishmëritë teknike – operacionale të mjeteve ajrore të helikopterëve tip Cougar FA631, FA632 dhe FA634.

Si rezultat i mospërmbushjes së detyrimeve kontraktore të kompanive, nuk u mundësua sigurimi i gatishmërisë tekniko operacionale të mjeteve dhe mbështetja e Forcave të Armatosura dhe organizmave të tjerë ne interes të misionit të emergjencave civile.

Objektivi i përgjithshëm i shërbimit të konsulencës që kërkohet përmes kësaj kontrate është ofrimi i ekspertizës në hartimin e dy akteve ekspertimi për vlerësimin e dëmit të ardhur nga mospërmbushja e detyrimeve kontraktore të shërbimit të mirëmbajtjes së helikopterëve” thuhet në dokument.

Ndërkohë i njëjti përmbledh edhe detyrat që do të ketë konsulenti mbi dorëzimin e dokumenteve ku së pari hartimi i një akti ekspertimi sa më të saktë dhe të bazuar në fakte, ku do të pasqyrohet dëmi i shkaktuar nga mos përmbushja e detyrimeve kontraktore të shërbimit të mirëmbajtjes së helikopterëve nga kompania polake “Heli –One S.P Z.O.O”.

Së dyti hartimi i një akti ekspertimi sa më të saktë dhe të bazuar në fakte, ku do të pasqyrohet dëmi i shkaktuar nga mos përmbushja e detyrimeve kontraktore të shërbimit të mirëmbajtjes së helikopterëve nga kompania italiane “Helicopters Italia S.r.l”.

Pak vite më parë një auditim i KLSH-së lidhur me forcat ajrore dhe flotën e saj nënvizonte se Shqipëria kishte të paktën 25 helikopterë të llojeve të ndryshme të cilat kishin kosto të larta mirëmbajtje. Në atë kohë propozimi ishte që të shkohej drejt pakësimit të llojit dhe rinovimit të flotës në mënyrë graduale.

Këtë vit në Shqipërisë i shtohen dy helikopterë Black Haëk helikopterët kryesorë të përdorur në ushtrinë amerikane./Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura