Mungesa e xhamisë, Bajrami falet sërish në shesh

Aug 31, 2011 | 10:45
SHPËRNDAJE
Besimtarët myslimanë, dje gjatë faljes në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”

Për të dytin vit me radhë, besimtarët myslimanë e kanë falur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” festën e Fiter Bajramit.Mungesa e një xhamie të madhe dhe ndërtimet që po bëhen në sheshin “Skënderbej” i kanë detyruar organizatorët që të drejtohen në zonën përballë ish-hotel “Dajtit” për të kryer ritualin e tyre. Dy ditë më parë, kryetari i Bashkisë së Tiranës premtoi ndërtimin e një xhamie të madhe për të shmangur në të ardhmen faljen në një ambient të hapur. Në orën 07:00 ka filluar falja e namazit të Bajramit. Pas faljes, besimtarët myslimanë kanë uruar njëri-tjetrin. Në mesditë, krerët e shtetit janë drejtuar në Komunitetin Mysliman për t’i uruar festën e Fiter Bajramit. Presidenti Bamir Topi, i shoqëruar nga bashkëshortja dhe stafi i tij, ka takuar krerët e Komunitetit dhe në komunikimin me mediat është shprehur se politikanët duhet të jenë ata që në këtë ditë duhet të demonstrojnë më shumë tolerancë. “Sipas kësaj doktrine filozofike të Islamit, e gjithë shoqëria duhet të jetë në ato kushte kur duhet të tolerojë më shumë, duhet të japë më shumë mirëkuptim dhe besoj se kjo vlen më shumë për ata që kanë fatet e vendit në dorë, që do të thotë: për politikanët në radhë të parë, për institucionet, në mënyrë që të demonstrojnë më shumë tolerancë, më shumë butësi në mesazhet e tyre, sepse ajo që demonstrojnë politikanët amplifikohet pastaj në mbarë shoqërinë”, është shprehur Topi. Gjatë largimit nga ambientet e Komunitetit, ai është përballur me kreun e PS-së, Edi Rama, me të cilin ka shtrënguar dorën.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, mbërriti në ambientet e Komunitetit në orën 11:30, ku pasi u takua me Haxhi Ing. Selim Muçën, ka uruar të gjithë myslimanët. Më pas ai ka shpërndarë disa dhurata dhe ndihma ushqimore për fëmijët e fshatit SOS në Tiranë, si dhe për të moshuarit e qendrës komunitare në Kombinat, “Të vazhdojmë së bashku”. “Sot është dita ku e gjithë shoqëria duhet të tregojë vëmendje, mbështetje dhe solidaritet”, u shpreh Basha, duke u uruar fëmijëve dhe të moshuarve festën e Bajramit. Në të njëjtën kohë, edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e shoqëruar nga ministri i Financave, Ridvan Bode, kanë përcjellë urimet e tyre për besimtarët myslimanë: “Festa e Bajramit, duke mbajtur vetë fjalën festë, është një gjë e bukur, është një ditë e gëzueshme. Unë i uroj të gjithë besimtarët myslimanë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë atdheut, gëzuar Bajramin! Ky është një shpërblim që vjen pas një muaji sakrifice, meditimi, reflektimi, durimi dhe shpërblimi më i mirë është gëzimi në familje, paqja dhe optimizmi”, tha Topalli.

Kavajë, tortë gjigante për besimtarët
Festa e Fiter Bajramit në qytetin e Kavajës është festuar ndryshe këtë vit. Falë një kontributi të disa biznesmenëve të qytetit, me në krye kryebashkiakun Elvis Roshi, në sheshin para xhamisë së qytetit ishte përgatitur një koktej i larmishëm me ëmbëlsira, fruta dhe pije joalkoolike, të cilat u janë servirur qytetarëve të pranishëm në shesh. E veçanta e kësaj feste ka qenë torta gjigante, 10 metra e gjatë, e realizuar për gati 2000 racione. Sipër tortës ishin shkruar fjalët: “Bashkia Kavajë ju uron Gëzuar Fiter Bajramin”. l.m

Rama uron myslimanët, u shmanget mediave
Kreu socialist, Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja Linda, ishte dje në mesditë në selinë e Komunitetit Mysliman. Në Selinë e Komunitetit Mysliman, kryetari i PS-së u prit nga kryetari i këtij komuniteti, Haxhi Selim Muça, të cilit i shprehu urimet më të ngrohta e të përzemërta për besimtarët myslimanë shqiptarë për këtë ditë të shenjtë në kalendarin islam. Ndryshe nga herët e tjera, kreu i PS-së, i shoqëruar nga bashkëshortja, nuk ka preferuar të japë një urim publik në përfundim të kësaj vizite kortezie.

Berisha: Krerët e fesë rindërtuan besimin
“Dua të shpreh edhe një herë nderimin tim më të thellë për të gjithë udhëheqësit shpirtërorë të kombit shqiptar, udhëheqësit e të gjitha besimeve për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në ndërtimin e infrastrukturës shpirtërore, ndërtimin e besimeve fetare, nisur nga kushtet dhe rrethanat më të vështira, më të paprecedenta. Në një hark kohor të shkurtër ata ia dolën të ngrenë vlerat hyjnore, të ngrenë dhe të rindërtojnë besimet  e mëdha të shqiptarëve”, u shpreh Berisha.

Kukës, myftiu uron besimtarët

Edhe në rajonin e Kukësit, mijëra besimtarë dhe besimtare myslimane kanë nisur festimet e Fiter Bajramit që në orët e para të mëngjesit në xhaminë e qytetit me faljen e namazit. Besimtarëve të shumtë u është drejtuar myftiu i Kukësit, Islam Hoxha, i cili i ka falënderuar besimtarët në emër të Allahut për sakrificën e bërë gjatë Muajit të Shenjtë të Ramazanit. j.h

Fiter Bajrami, të dënuarit falën namazin në burgje

Fiter Bajrami është festuar në të gjitha burgjet e vendit ditën e djeshme. Pas një muaji agjërim për shkak të Ramazanit, të dënuarit kanë festuar dje Fiter Bajramin. Sipas Drejtorisë së Burgjeve, 512 persona kanë agjëruar këtë vit në të gjitha burgjet. Ndërkohë, dje në mëngjes, në paraburgimin 313 në Tiranë, 39 të paraburgosur, mes të cilëve 27 burra dhe 12 të akuzuar që nga vrasjet, grabitjet e trafiku i drogës, kanë kryer faljen e namazit të Fiter Bajramit. Një prej këtyre të dënuarve që ushtron besimin fetar në burg, Eduart Karai, thotë se megjithëse ndodhet i dënuar, vazhdon të kryejë ritet e festës së Bajramit. Pjesë e këtij rituali kanë qenë dhe personazhe VIP, si anëtarët e bandës se Durrësit, Lulzim Berisha, Edmond Taullau, Bujar Gashi, i akuzuari i bandës se Cërrikut, Alban Toska, apo dhe ish-drejtori i stadiumit “Qemal Stafa”, Gazmend Sallaku, i arrestuar pak ditë më parë për korrupsion.

 

ADI SHKEMBI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura