Manastirin e quan Bitola, pas reagimeve MPJ korrigjon deklaratën e takimit Bushati-Popovski

Sep 30, 2013 | 16:08
SHPËRNDAJE

TIRANE- Qyteti i Manastirit për Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë njihet me emërtimin sllav Bitola. Por menjëherë pas reagimeve në media, ministria e Jashtme është kujdesur të korrigjojë gabimin, duke vënë emërtimin në shqip Manastir.

Lajmi shkaktoi reagime nga shoqata “Kongresi i Bashkimit” me seli në Manastir, e cila kerkoi urgjentisht korigjimin e këtij skandali të bërë nga shërbimet për informim të MPJ-së në Tiranë. 

Reagimi erdhi pas komunikatës së Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë , lidhur me takimin e zhvilluar të ministrit të ri të jashtëm Ditmir Bushati me homologun e tij nga Maqedonia, Nikolla Popovski, në kuadër të sesionit të 68-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. 

Deklarata e parë

Ja se çfarë shkruhet në pjesën e komunikatës, ku përmendet qyteti i Manastirit apo “Bitola” sipas MPJ-së. 

“Projektet infrastrukturore që lidhin më shpejt dy vendet tona si, rruga Durrës-Shkup dhe linja e interkonjeksionit Bitola-Elbasan, mbeten në linjën e prioriteteve infrastrukturore në shërbim të të dy vendeve. Thellimi i dialogut në nivel politik në të gjitha fushat e interesit të përbashkët është një mundësi që adreson qartasi çështjet mes të dy vendeve, sidomos në kuadër të procesit të integrimit evropian”, thekson komunikata e MPJ-së.

Deklarata e korigjuar

Siç shihet edhe nga fotografite tashmë eshte vene edhe emërtimi në shqip; “…rruga Durrës-Shkup dhe linja e interkonjeksionit Manastir- Elbasan ( Bitola-Elbasan), mbeten në linjën e prioriteteve infrastrukturore në shërbim të të dy vendeve. “

Lajmi nxiti reagime të mëdha në rrjetet sociale. Lidhur me emërtimet e toponimeve shqiptare, kohë më parë Qeveria Shqiptare pranoi ndryshimin e emrave të komunave dhe vendbanime në pjesën e kufirit me Maqedoninë, ku sidomos komunës Liqenas i’u ndërrua emri dhe u vendos emërtimi sllav Pustec, pas kërkesave të partisë minore të përfaqësuar nga maqedonas të kësaj zone kufitare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura