Motoja e rilindjes në drejtësi: “O e kapim, o e shqyejmë!”

Mar 24, 2021 | 9:25
SHPËRNDAJE

petrit vasili

PETRIT VASILI

Reforma në Drejtësi, e miratuar në 21-22 korrik me 140 vota në Parlament, sot është një mirazh. Një kor sorrash rilindësish recitues zëçjerrë shkatërron çdo ditë reformën dhe i heq asaj përditë nga një tullë.

Këto sorra bëjnë sikur harrojnë që reforma me insistimin e tyre u hartua nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë, duke përjashtuar qeverinë nga ky proces në atë kohë.

Ndërsa sot qeveria e rilindjes së bashku me Komisionin Parlamentar të Ligjeve po “marshojnë” e fusin duart e tyre të pista, duke shkatërruar hap pas hapi Reformën në Drejtësi me moton: “Ose e kapim, ose e shkatërrojmë reformën”.

Në reformën e miratuar në 21-22 korrik, ishte Komisioni Venecias që certifikoi atë në frymë dhe në tërësinë e elementeve konkrete të saj.

Ndërsa sot Komisioni i Venecias është harruar krejt dhe llafazanët e djeshëm e të sotëm të Reformës në Drejtësi nuk flasin më për të.

Ligjet e Reformës në Drejtësi po kafshohen qenërisht nga rilindja pa princip e pa ekspertizë. Reforma në Drejtësi ka vetëm një armik të betuar, që është Edi Rama dhe rilindja.

Ky kafshim i vazhdueshëm rilindës ka rrënuar gjerësisht besimin e shqiptarëve te Reforma në Drejtësi.

Askush, po askush fare, nuk bind dot njeri se kjo e ashtuquajtur Reformë në Drejtësi, që krijoi institucione të kapura, që kanë sjellë pandëshkueshmërine skandaloze të qeverise rilindëse, mund të pranohet nga shqiptarët.

Këta rilindës të pacipë, që kane tmerr nga Reforma në Drejtësi, po e degradojnë atë dita-ditës.

Rikthimi i Reformës në Drejtësi te 21-22 korriku i 2016-ës ku ajo u miratua nga 140 deputetë dhe sipas Venecias është ajo që presin shqiptarët.

Kushdo që mbulon këtë veprim shkatërrues të Rilindjes ndaj drejtësisë është bashkëfajtor me të.

Avokatia e deformimit të institucioneve të reja të drejtësisë me justifikimin vetëm të mbushjes së tyre sa më parë është një turp i vërtetë.

Institucionet e reja nuk mund të shndërrohen në magazina njerëzish, por në institucione të reformuara dhe cilësisht shumë të larta.

Mbushja e sforcuar e institucioneve si qëllim në vetvete, duke shkelur e deformuar ligjet e reformës është një degradim, që asgjëson qëllimin dhe objektivat e Reformës në Drejtësi.

Anëtarët rilindës të Komisionit të Reformës në Drejtësi që u përbetuan për reformën, duhet të kenë turp që kontribuojnë me votat e tyre për zhbërjen e Reformës në Drejtësi.

Ndaj, me të drejtë, shqiptarët, nga ekzaltimi për Reformën në Drejtësi po provojnë zhgënjim dhe deziluzion të thellë prej saj. Çdo reklamë dhe eufori në shqip apo anglisht tingëllon tërësisht boshe në mungesë të rezultateve dhe të një pandëshkueshmërie skandaloze, që e ka kthyer të ashtuquajturën “Drejtësi të re” në një mburojë të rilindjes.

Shqiptarët e kanë shumë të lehtë të krahasojnë këtë “Drejtësi të re” me drejtësinë e vendeve nga ku vijnë ndërkombëtarët e “ekzaltuar” dhe diferencat mes këtyre janë të frikshme dhe të pakrahasueshme. Ndaj, çdo lloj avokatie përballë këtij realiteti vetëm irriton.

Drejtësia, sipas 21-22 korrikut dhe Komisionit të Venecias, është vija e kuqe, që ndan reformën e vërtetë nga shkatërrimi rilindës i saj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura