“Mos u mërzit motër!”- Pandeli Majko, tender për 2 mijë lojëra “Mos u nxeh”. Çfarë qëndron pas porosisë së ministrit të Diasporës që ngjalli habi. Reagon ministri

Aug 4, 2020 | 14:39
SHPËRNDAJE

Një tender për blerjen e 2000 lojërave “Mos u nxeh” shkaktoi habi të madhe dhe ndezi kureshtjen e shumë mediave online. Organi shtetëror përgjegjës për këtë tender, Qendra e Botimeve për Diasporën, në varësi të ministrit të shtetit për Diasporën, e kishte hapur këtë thirrje në datën 30 korrik për 4 qytete, Tiranë, Korçë, Gjirokastër dhe Shkodër.

majko tender mos u nxeh 6

Në shpalljen e tenderit, Qendra e Botimeve për Diasporën ka bërë edhe specifikimet për përmasat e lojës që duhet të realizojnë kompanitë që të marrin pjesë në këtë garë.

REAGIMI

Nga mediat pati një reagim shumë të fortë për këtë tender, ku nuk munguan edhe etiketimet, duke e konsideruar atë si të çuditshëm. Por pas këtyre lajme, reagoi Qendra e Botimeve për Diasporën përmes një postimi në rrjetet sociale, ku tregonte arsyet e kësaj shpalljeje.

majko tender mos u nxeh

Sipas saj, qëllimi i këtij tenderi është në kuadër të një projekti që synon të nxisë njohuritë mbi gjuhën, trashëgiminë kulturore dhe historinë e qyteteve të Shqipërisë.

“Loja ‘Mos u nxeh’ është pjesë e koleksionit me mjete didaktike të hartuara nga Organizata jofitimprurëse ‘Trashëgimia Kulturore pa Kufij’, dhe bën pjesë në koleksionin ‘E ka kush e ka’, i mbështetur nga Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit në kuadër të programit kombëtar ‘Bëjmë Detyrat e Shtëpisë’. Ky koleksion synon, që nëpërmjet një serie libërthash dhe lojërash, të përfshijë fëmijë dhe të rritur në zbulimin dhe rizbulimin e trashëgimisë kulturore, si një urë lidhëse me botën që na rrethon.

Koleksioni përfshin lojën ‘Mos u nxeh’, përmes së cilës jepet informacion mbi gjuhën, trashëgiminë kulturore, gjeografinë dhe historinë e qyteteve kryesore të Shqipërisë. Koleksioni është hartuar me specialistë të trashëgimisë kulturore dhe në bashkëpunim me institucionet kulturore në vend. Koleksioni ‘Mos u nxeh’ është shpallur në vitin 2018 fitues i konkursit ‘Historitë Europiane të Trashëgimisë’, organizuar nga Këshilli i Europës dhe Komisioni Europian”, thuhej në reagimin e Qendrës së Botimeve për Diasporën.

REAGIMI I MAJKOS

Për këtë çështje ka reaguar sot edhe ministri i Shtetit, Pandeli Majko i cili sqaroi se dikasteri e tij nuk ka buxhet për të bërë tenderime.

Por në të njëjte kohë ai ka sqaruar se loja në fjalë ka për qëllim që realizimin e një programi plotësues mësimdhënie për fëmijët e diasporës.

Në mesazhin e tij, Majko nuk e ka kaluar pa ironi, teksa thekson se: “Me sa duket, ja vlen të organizohet edhe një lojë tjetër “MOS U MERZIT MOTER”!”

“Lajmi se Ministri i Shtetit për Diasporën ka bërë “tender novativ” për një lojë mos u nxeh është humor për pushuesit! Për informacion, Ministri i Shtetit për Diasporën nuk ka buxhet ndaj ka “fatin” te mos merret me tendera. Agjencitë përgjegjëse për diasporën (në rastin konkret Qendra e Botimeve për Diasporën) e menaxhojnë buxhetin e tyre mbi vendimmarrje te Këshillave drejtues të cilat përbëhen nga përfaqësues nga ministri te ndryshme. Për “lodrën” dhe “lodërtarët” e lojës në fjalë Qendra e Botimeve ka dhënë një sqarim publik qe prej katër ditësh në faqen e saj. Loja “novative” është veç një program plotësues i mësimdhënies në diasporë për fëmijët.

Me sa duket, ja vlen të organizohet edhe një lojë tjetër “MOS U MERZIT MOTER”!”, shkruan Majko.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura