Monodrama “Zonjushë Margarita” në Athinë, vlerësime nga artistët grekë

Apr 30, 2014 | 14:25
SHPËRNDAJE

Luiza Xhuvani në monodramën “Zonjushë Margarita”
“Zonjushë Margarita” shfaqet në Athinë. Pas tureve nëpër Shqipëri, fundjavën që lamë pas Teatri Shëtitës dha shfaqje në kryeqytetin grek. Bëhet fjalë për monodramën e Roberto Athayde me regji të Kiço Londos, interpretuar nga aktorja Luiza Xhuvani dhe skenografi e kostumografi të Berina Kokonës. Shfaqja u dha ne teatrin “ARGO”, ku u ndoq nga më shumë spektatorë nga ç’mbante salla e këtij teatri. Mes publikut kishte shqiptarë e grekë, aktorë, regjisorë dhe kritikë të teatrit, të cilët nuk nguruan të jepnin mendimin e tyre pozitiv për lojën e aktores Luiza Xhuvani, e cila me zonjushë Margaritën shënon ndoshta rolin e saj më të mirë, por edhe regjinë e Londos. “Para dy vitesh kam vënë në skenë, në Athinë, ‘Zonjushë Margaritën’ dhe e njoh shumë mirë këtë vepër. Shfaqja që pamë ishte një spektakël tepër i veçantë. Ishte një punë e përsosur jo vetëm prej regjisorit dhe aktores, por për të gjithë komponentët që marrin pjesë në të”, u shpreh regjisori Theodoros Grampas. Aktorja Titikasariguli nuk e fshehu entuziazmin ndaj lojës së aktores. “Në qoftë se kultura nuk është tregti, nuk e tregtojmë, nuk e përdorim, atëherë është ky rezultat. Kjo që pashë sonte tregon një kulturë që ka filluar që në fëmijëri”, u shpreh ajo. “Pavarësisht se nuk e njihja gjuhën dhe ky ishte një problem, veprën e kisha lexuar përpara shumë vitesh. Emocioni që më provokoi, tregoi vlerën e teatrit dhe se si brenda teatrit komunikojnë truri dhe shpirti i njeriut”, u shpreh aktorja Lila Kafandari. Nuk mund të mungonin në këtë shfaqje edhe artistë shqiptarë që prej vitesh jetojnë në vendin fqinj, si Nikolla Llambro e Karafil Shena, të cilët jo vetëm shprehën emocionin që një copë Shqipërie vinte në Athinë, por theksuan edhe domosdoshmërinë e organizimit të mëtejshëm të shkëmbimeve të tilla kulturore. “Doja të nënvizoja në këtë proces, që është një hap shumë i mirë ardhja e kësaj shfaqjeje këtu, qoftë edhe për një natë. Kjo duhet të kthehet në traditë. Ky lloj shkëmbimi kulturor, teatror do të ishte shumë i dobishëm. Të vemi dhe të vijmë. Do doja që kjo të ndodhte vazhdimisht, të vijnë më shpesh trupa nga Shqipëria dhe të vemi ne, më shpesh tek ata”, është shprehur aktori shqiptar Karafil Shena.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura