MM: Akuzat, shpifje. Shitja e armëve, ligjore

Sep 29, 2012 | 17:55
SHPËRNDAJE

TIRANË- Ministria e Mbrojtjes ka reaguar pas akuzave të bëra nga deputeti i PS-së, Erjon Brace për atë që ai e ka quajtur korrupsion dhe monopol firmave serbo malazeze në shitjen e armëve nga kjo ministri.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e ministrisë, Lorisa Ylli ka deklaruar se akuzat kanë degjeneruar në shpifje, ndërkohë që ka theksuar se publikimi i dokumenteve sekrete përbën shkelje ligjore.

“Deputeti Braçe, i cili di të lexojë shpifjet shumë mirë, degjeneroi sot në shpifje dhe akuza për trafik armësh e municionesh të denja vetëm për një trafikant, sepse vetëm një mendje kriminale mund të imagjinojë dhe të dezinformojë në këtë formë opinionin publik. Shifra marramendëse qindra milionëshe janë fantazi të mendjeve të sëmura pasi nuk dalin dot nga municionet tona të vjetra. Këto municione po nuk u shitën do të shkatërrohen me paratë e taksapaguesve. Ministria e Mbrojtjes po punon për ta ulur koston e barrës së rëndë që Partia e zotit Braçe i krijoi vendit në 50 vjet”- tha ajo.

Sipas saj, Ministria e Mbrojtjes do të bëjë të gjitha përpjekjet që këto municione të shiten dhe me këto para të mbështetet procesi i demontimit të municioneve të tepërta e të rrezikshme që na la trashëgimi partia kriminale e zotit Braçe.

“Ky është një proces tërësisht ligjor, transparent dhe i hapur për të gjitha kompanitë vendase e të huaja që operojnë në tregun e mallrave ushtarakë.    Pastrimi i ushtrisë nga plehrat e komunizmit do apo jo zoti Brace do të bëhet. Sepse ky është një parakusht për integrimin dhe fuqizimin e ushtrisë sonë, pavarësisht se Partia Socialiste është e vendosur në rrugën e bllokimit të integrimit. Do të ishte e pafalshme që Ministria e Mbrojtjes të mos e kryente këtë veprimtari që sot konsiderohet si model botëror  ”- tha ajo.

Sipas saj, përpjekja e PS për të penguar përshtatjen me Aleancën do marrin përgjigjen e merituar, ndërkohë që “publikimi i dokumenteve sekrete është përgjegjësi kriminale që ky zotëri merr përsipër”.

“Ministri i Mbrojtjes është i vendosur të çojë deri në fund reformat e ndërmarra, reforma që po transformojnë imazhin e Forcave të Armatosura, si brenda vendit ashtu edhe në sytë e aleatëve e partnerëve tanë. Çdo përpjekje për të hedhur baltë mbi këto reforma është thelbësisht antikombëtare dhe cënim flagrant i Sigurisë Kombëtare. ”- tha ajo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura