Mjedisi universitar shqiptar përtej çështjes së numrave

Oct 22, 2018 | 11:53
SHPËRNDAJE

ESMERALDA AGOLLI*/download Fillimi i vitit akademik, si ngaherë edhe këtë vit përcolli një atmosferë plot urime dhe entuziazëm. Sidoqoftë, këtij procesi i parapriu një debat tejet i rëndësishëm, i përqendruar së tepërmi në rënien e numrit të nxënësve dhe studentëve të regjistruar rishtas. Duke iu referuar diskutimeve në media, por edhe studimeve më të thelluara si ai i kryer nga Ilir Gëdeshi dhe Russell King mbi studentët shqiptarë të diplomuar jashtë vendit, por edhe pritshmërive të nxënësve shqiptarë në drejtim të edukimit të lartë, duket që fenomeni i braktisjes së auditorit shqiptar t’i ketë rrënjët te një mjedis pa shpresë, motivim dhe mundësi dhe që lë pak ose aspak hapësirë për t’i siguruar burimit njerëzor të kualifikuar punësim dhe vlerësim në kushte dinjitoze.

Në fakt, kushtet e mjedisit universitar shqiptar janë trajtuar fare pak në këtë debat. Duke qenë intensivisht e lidhur me mësimdhënien gjatë katër viteve të fundit akademike, brenda auditorit kam vërejtur disa çështje të tjera po aq të rëndësishme, të lidhura me ofertën e universitetit në mësimdhënie dhe kërkim shkencor. Metodologjia e mësimdhënies, vlerësimet dhe reflektimet mbi vijueshmërinë e studentëve dhe mënyrën e vlerësimit të dijes, gjithashtu edhe përshtatshmërinë e njohurive dhe aftësive të fituara me kërkesat dhe sfidat e periudhës së postdiplomimit janë disa prioritete që duhet të konsiderohen pjesë thelbësore e problematikës. Do të shtoja se këto aspekte duhet të jenë pjesë e debateve për arsye sepse lidhen jo vetëm me kushtet ku formohet ekspertiza, por edhe cilësinë dhe motivimin që marrin studentët për t’u angazhuar në profesion.

Metodologjia e mësimdhënies, por edhe kërkesat ndaj saj kanë pësuar disa ndryshime themelore në dekadat e fundit. Modeli formalist i dhënies së dijes përmes një figure qendrore dhe shpesh autoritare të pedagogut mbetet një praktikë jo më efektive. Në koherencë me zhvillimet e kërkimit shkencor, por edhe kërkesat e tregut të punës, mësimdhënia nuk duhet të jetë një proces i lidhur vetëm me përftimin e dijes erudite. Përkundrazi, përtej saj, kyç mbetet përftimi i aftësive për të menduar në mënyrë kritike dhe praktikimi i çdo koncepti në punë të pavarur (individuale ose në grup). Në kohën kur kudo sot diskutohet mbi pjesëmarrjen aktive të individit në vendimmarrje, konceptimin dhe formulimin e politikave në komunitet, studenti përtej përqendrimit në përftimin e aftësive në fushën e ekspertizës duhet të trajtohet edhe si një individ që nga auditori duhet të marrë parime të rëndësishme për të mësuar të veprojë dhe reagojë edhe si qytetar aktiv.

Një problem thelbësor në vijueshmërinë e studentëve, sidomos në lëmin e shkencave humane dhe sociale, mbetet sfida që studentët ndeshin në artikulimin e mendimit kritik dhe analizën argumentuese. Kjo është një mangësi e mbartur nga nivelet pararendëse të shkollimit dhe nuk tejkalohet as nga lehtësirat që mund të ofrojë një kurs i shkrimit akademik. Problemet teknike të lidhura me citimet e rregullta, formulimin e bibliografive apo edhe ndjekjen e një strukture të qartë të mendimit përmirësohen me kalimin e kohës. Megjithatë, referenca ndaj autorëve të ndryshëm kryhet në formë tejet përshkruese dhe shprehi të mendimit të pavarur mbeten tejet periferike. Ky është një problem që ndeshet në të gjitha nivelet e studimit apo shprehitë e mendimit të shkruar kritik si, shënimet bibliografike, esetë, projektet apo tezat kërkimore

Nga ana tjetër, shprehitë verbale të studentëve në formën e diskutimeve, debateve, punëve të laboratorit apo edhe të tjera mënyrave të ndërveprimit interaktiv si për shembull, trajtimet individuale të një problematike apo edhe diskutimet dysh (argument-kundërargument) janë dukshëm në nivel më të lartë. Edhe entuziazmi i tyre për këtë kategori të procesit të të nxënit është më i madh. Duke marrë në konsideratë këtë luhatje mes këtyre dy formave të të nxënit, një prej praktikave efektive që kam ndjekur ka qenë ndërthurja e shprehive të shkruara në diskutimin verbal. Format interaktive të të nxënit janë ndër më të pëlqyeshmet dhe kjo reflektohet edhe nga vlerësimet e studentëve mbi lëndën

Mësimdhënia e konsideruar vetëm përmes ofertës së dijes në kushtet e një lënde të përcaktuar nga një kurrikul e programit akademik ka disa probleme, të cilat sidoqoftë, me ndjekjen e disa praktikave lehtësuese mund të sheshohen. Por a mundet që mësimdhënia në mjedisin universitar të mbyllet te ky cikël?

Në mënyrën e vlerësimit të njohurive vend kryesor zë skema klasike me gjashtë nivele si: mësimi, kuptimi, aplikimi, analiza, vlerësimi dhe krijimi. Megjithatë, mënyra se si këto faza kombinohen me njëra-tjetrën në auditoret shqiptare nuk reflekton dy aspekte tejet të rëndësishme siç janë integrimi i dijeve dhe aplikimi i tyre në projekte konkrete kërkimore dhe shkencore. Integrimi i dijeve ka shënjuar një lloj përmirësimi të paktën nëpërmjet rishikimit të kurrikulave sipas sistemit të krediteve. Ç’ka mbetet ende për t’u adresuar dhe është një problem akut i mjedisit akademik është mungesa e rëndësisë që i jepet kërkimit shkencor dhe infrastruktura e dobët që investohet në këtë drejtim

Rastet më entuziaste, por edhe të suksesshme të përftimit të dijeve, teorike apo metodologjike, kanë qenë gjithnjë ato ku vetë studentët janë ndjerë të përfshirë personalisht në procesin e mbledhjes së të dhënave empirike dhe trajtimin e tyre. Edhe më tepër pozitive kanë qenë rastet, kur studentët kanë kryer projekte personale kërkimore te të dhënat e mbledhura vetë në terren. Në një prej intervistave të tij të fundit gjatë mandatit presidencial, Barack Obama përmendte se një prej mangësive të rrugëtimit të tij ishte pikërisht moskonsiderimi sa duhet i rezultateve shkencore në institucionet e vendimmarrjes. Sigurisht, në kontekstin tonë as që mund të presim që politika ta adresojë këtë. Sidoqoftë, nëse universiteti nuk e adreson nevojën akute për kërkim shkencor dhe nuk arrin të sigurojë dhe lehtësojë financimin mbi të në projekte të mirëfillta shkencore që synojnë mbledhje të dhënash empirike në terren, trajtim në kushte optimale laboratori, krijim të një fryme kohezive ndërdisiplinore nëpërmjet aplikimeve teorike dhe metodologjike, atëherë ne i heqim të drejtën vetes të përfaqësohemi me një prej zërave më kyç, që e vënë në funksion dhe gjallërojnë një institucion të arsimit të lartë. Në këtë situatë, si profesori edhe studenti mbeten të ‘prangosur’ në muret e klasës pa vendosur ndonjë marrëdhënie me terrenin dhe problemet e tij.

Sado shkencore mund të jenë konferencat apo simpoziumet, ditët e studimeve shqiptare e kështu me radhë, ato në kushte ideale do të përfaqësonin më së shumti fazën finale të një projekti kërkimor në kushte individuale, por aspak një realitet kërkimor shkencor ku procesi i punës dhe bashkëpunimi paraprihen nga formulimi dhe adresimin e një çështjeje, por edhe të gjitha hallkat e tjera të trajtimit të saj.

Për t’u kthyer te problematika e mësimdhënies, pikërisht mungesa tërësore e vëmendjes në projekte të mirëfillta kërkimore dhe shkencore e bën edhe pjesëmarrjen e studentit në këtë dimension të studimit thuajse të pamundur. Raste të suksesshme, por shumë sporadike janë përpjekjet individuale të profesorëve për të prezantuar projekte dhe përfshirë studentë. Nuk do të kishte mënyrë më të mirë të integrimit dhe praktikimit të dijeve sesa ajo nëpërmjet punës së pavarur në projekte kërkimore. Mungesa e vëmendjes ndaj kërkimit shkencor ka lënë boshllëk të jashtëzakonshëm edhe në zhvillimin e specialiteteve të reja brenda shkencës dhe tërë potencialin që do të kishte në mjedisin shqiptar lëvrimi i tyre. Në shkencat humane dhe sociale, studimet dhe kërkimet ndërdisiplinore i kanë dhënë hov fushave të reja kërkimore, si studimet kulturore, gjinore, të drejtat e njeriut, sociolinguistikë, muzeologji e shumë të tjera, të cilat për mjedisin tonë universitar ende mbeten pak të trajtuara.

Le të kthehemi te mënyra se si studenti mund të përdore njohuritë e fituara pas procesit të diplomimit. Mbetet mëse e qartë që formimi në dije të kategorizuara të përgjithshme (histori, arkeologji, antropologji) në një kohë kur lehtësirat për të vjelë informacion sa vijnë e rriten, nuk përben më thelbin e procesit të të nxënit. Kjo nuk do të thotë se formimi me dije është i panevojshëm, por do të thotë që studenti pas procesit të diplomimit të jetë në gjendje të dijë dobinë e integrimit të dijeve të marra në praktikë, të këtë mundësinë të formojë ekspertizë në fusha speciale dhe gjithashtu në mënyrë kritike dhe të pavarur të ndihet aktor i rëndësishëm në çdo proces ndryshimi shoqëror, ekonomik apo kulturor. Mangësitë që ka sot mësimdhënia reflektohen më së shumti në problemet që kanë studentët për t’u përshtatur me kërkesat e punëdhënësit. Në shumë raste kjo ndodh sepse ndonëse kanë harxhuar kohë të mjaftueshme në fakultet, prej tij nuk kanë përftuar aftësitë e duhura. Përgjegjësia e universiteteve kudo në Shqipëri mbetet të krijojë kushtet për një mjedis akademik të fuqizuar, i cili kuron problemet e brendshme të tij për të ndikuar bindshëm në shoqëri, duke krijuar një hapësirë tërheqëse dhe motivuese. Ky përmirësim mund të kuronte edhe uljen e numrit të studentëve

Në përfundim, me gjithë entuziazmin e fillimit të vitit të ri akademik, por edhe kënaqësisë apo pezmin që krijoi plotësimi apo boshllëku i kuotave, mësimdhënia më të gjithë dimensionet e mjedisit universitar mbeten një problematikë që nuk diskutohet mjaftueshëm e aq më pak të trajtohet me prioritetin e merituar. Marr shkas t’iu uroj suksese studentëve, me dëshirën për t’i inkurajuar të përgatiten edhe për t’i sfiduar të gjitha këto pengesa dhe vështirësi.

*Pedagoge në Universitetin e Tiranës

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura