Mitrovicë, sulmohet me molotov makina e EULEX

Jul 31, 2013 | 14:25
SHPËRNDAJE

Një veturë e EULEX-it është sulmuar me koktej molotovi dhe gurë dje pas mesnate, në rrugën “Mbreti Petër”, në veri të Mitrovicës. Ndërkohë, dhjetëra serbë kanë bllokuar mëngjesin e të martës magjistralen Mitrovicë–Zveçan, duke penguar qarkullimin e automjeteve në të dy drejtimet. Raportohet se aty vërehen tre kamionë të mbushur me rërë, me të cilët është bllokuar rruga. Ky reagim i tyre ka ardhur pas arrestimit të së hënës nga EULEX-i, të dy personave, Zharko Veselinoviçit dhe Sllobodan Repiçit, të dyshuar për plagosjen e një punëtori të Zyrës Administrative të qeverisë së Kosovës në veri të Mitrovicës. Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, rruga vazhdon të mbetet e bllokuar, kurse situata e sigurisë paraqitet pa indikacione për ndonjë përshkallëzim. Pas arrestimit të dy serbëve, vetura e misionit EULEX, në patrullim të rregullt, u  ndalua në Zveçan nga një grup demonstruesish. “Kur oficerët e Policisë së EULEX-it provuan të bisedojnë me demonstruesit, ata janë gjuajtur me gurë, ku dy oficerë të Policisë së EULEX-it janë lënduar dhe një makinë u dëmtua seriozisht”, tha zëdhënësi i Policisë. Ky akt i dhunës u dënua fuqishëm nga misioni i BE-së. Më vonë, gjatë orëve të para të së martës, një automjet zyrtar me shenja të dukshme të EULEX-it është sulmuar me gurë dhe koktej molotovi, në qendër të qytetit në veri të Mitrovicës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura