Mitrovicë, digjet shtëpia monumentale e Xhafer Devës, ish-ministër i Brendshëm i Shqipërisë në ’43-’44

Mar 28, 2015 | 15:02
SHPËRNDAJE

Rreth orës 13:00 të së shtunës, ka marrë flakë shtëpia monumentale e Xhafer Devës në Mitrovicë. Ajo i takon shekullit XX.

Shtepia ne flake

Policia e Kosovës, nëpërmjet zëdhënësit për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i ka thënë portalit Koha.net se ende janë në mbledhjen e informatave, ndërsa më vonë do të dalin me detaje rreth kësaj ngjarje.

“Zjarrëfikësit kanë nderhyre dhe prej tyre presim që të dalin me konkludime”, ka thënë Zahiti për Koha.net, derisa nuk ka dashur të thote më shumë nëse kjo zjarrëvenie është e qëllimshme.

Djegia e monumenteve të mbrojtura me Ligjin për Trashëgimi Kulturore tashmë është bërë praktikë e shumë pronarëve, për t’i lënë vend ndërtimeve të reja. Vetëm në Prishtinë, kishte ndodhur me ish-hotelin Union, me ish-konsullatën ruse, e të tjera.

E kontaktuar nga Koha.net, Rrezarta Loxha, drejtoreshe e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, e ka quajtur tronditëse këtë ngjarje. Ajo ka thënë se është nisur për në vend të ngjarjes, për të parë nga afër se çfarë po ndodh atje.

Portali ka provuar të kontaktojë edhe Ministrinë e Kulturës, por të shtunën kjo ka qenë e pamundur.

Bazuar në përshkrimin e Databazës elektornike për Trashëgimi Kulturore, të Ministrisë së Kulturës, shtëpia e Xhafer Devës është e ndërtuar në qendër të qytetit, gjegjësisht në bërthamën e vjetër të qytetit të Mitrovicës, dhe atë mu pranë objekteve dhe institucioneve qendrore të qytetit.

Shtëpia u ndërtua në vitin 1930. Shtëpia në fillim të ndërtimit kishte karakter banimi.

Pas Luftës së Dytë Botërore, e tërë pasuria e Xhafer Devës ishte konfiskuar nga pushteti i kohës dhe kjo pronë kaloi në pronësi shoqërore. Pas konfiskimit, shtëpia shërbeu si ambulancë, e më vonë si strehimore për familjet e pastrehë.

Shtëpia e lartpërmendur, është ndërtuar nga Xhafer Deva, njëri prej personaliteteve më të shquara të këtij rajoni. Xhafer Deva, luajti rol kyç në periudhën kohore 1941–1944, në organizimin dhe mbrojtjen e popullatës shqiptare.

Gjatë një periudhe kohore Xhafer Deva ka mbajtur poste kyce – ishte prefekt i Mitrovicës si dhe Ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë Shqiptare (1943/44). Pas lufte si i përndjekur nga pushteti, emigron në SHBA, ku edhe vdes (1978).

Shtëpia ka destinim banimi dhe është me etazhitet B+P+2. Shtëpia e Xhafer Devës ka vlerë të jashtëzakonshme shoqërore, kulturore–historike dhe arkitektonike për tërë rajonin.

Për nga stili i ndërtimit, kjo shtëpi i përket arkitekturës moderne euro-perëndimore dhe shquhet me elemente të shumta dekoruese në eksterier. Si e tillë kjo është një ndër shtëpitë e para të këtij stili në Mitrovicë dhe Kosovë në përgjithësi.

Stili i ndërtimit të kësaj shtëpie, paraqet kthesë radikale të kalimit nga ndërtimi i objekteve me ndikim të arkitekturës të stilit oriental, në ndërtim të objekteve me stil të arkitekturës moderne europiane.

Sistemi i ndërtimit është masiv. Material kryesor i ndërtimit janë gurët dhe tullat e argjilës së pjekur të lidhura me llaç gëlqeror. Konstruksioni meskatësh është nga druri. Kulmi është dy ujor nga konstruksioni i drurit, i rrethuar me mur të kurorës, ndërsa mbulesa është me qeramidhe. Suvatimi i brendshëm dhe i jashtëm është bërë nga llaçi gëlqeror. Ndërtesa ka ruajtur gjendjen fillestare të ndërtimit.

Në objekt nuk janë bërë transformime të theksuara, përveç disa ndërhyrjeve në ndarjen e hapësirave të brendshme. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura