Misioni i opozitës demokratike

Jun 24, 2020 | 9:33
SHPËRNDAJE

ROMEO GURAKUQI 

gurakuqi

Largimi i Edi Ramës është mision shpëtimi për Shqipërinë, e kapërthyer nga devijuesit e rrugës së integrimit në Europë. Por ky largim do të jetë veç hapi i parë i një udhe të vështirë e të mundimshme, që do të orientohet për nga çmontimi i pasojave të depërtimit kapilar të “enteve pastruese”, të cilët mbështetën dhe mbajtën në “divanin” e një pushteti të pamerituem, pashain e Vilajetit të Tiranës. Për shkak të papërgjegjshmërisë, korrupsionit masiv, dobësisë së shtetit dhe strukturave të sigurisë kombëtare, 108 vite pas pavarësimit, Shqipëria është vendosur në rrezik nga Edi Rama dhe rrjeti i të humburve nga Shqipëria e Pashko Vasës, Kristoforidhit, Naimit, Samiut dhe Fishtës, të shpërndarë gjithandej në jetën politike dhe mediatike të vendit.

Prandaj, largimi i Edi Ramës nuk mund të jetë një rrotacion i thjeshtë pushteti, as një përllogaritje numrash në tavolinë. Largimi i tij duhet të jetë një program i mirëmenduem, i shkruem saktë, që do të synojë jo vetëm ridemokratizimin e vendit dhe ristabilizimin e rendit juridik, por demontimin e strukturave që mbajtën në këmbë regjimin e shtrirë të korrupsionit dhe synuan ta kthejnë Shqipninë dhe Kosovën në shtete jomiqësore me Europën dhe SHBA, siç dëshironte klika e Millosheviçit.

Për të realizuar këtë mision çmontues të klikës aktuale korrupsioniste dhe autoritariste, është e nevojshme të bëhet përcaktimi i një metode të saktë, që vjen për shkak të studimeve e konsultimeve të thelluara dhe paralele prej ekspertëve, të gjendjes sociale të vendit në çdo regjion, të skemës elektorale dhe administrative më të përshtatshme, të mënyrës së ndërtimit të koalicionit të panjollë antioligarkik, përdorimit racional të kohës dhe hapësirës korrektuese të deformimit të pangjashëm, që Rilindja i ka sjellë shoqërisë, tregut, institucioneve, ligjit, rendit dhe shekullarizimit të shoqërisë dhe politikës.

Nuk besoj se tezat entuziaste dhe mirëfilli sofiste mbi jehonat e vetvetishme të kambanave nga Uashingtoni dhe Brukseli mjaftojnë për të realizuar ndryshimin, që duhet të bëhet në këtë rast. Kambanat lëvizin jo rastësisht, për shkak të dëshirave tona, por për shkak të seriozitetit dhe qëndrueshmërisë së sjelljes, qartësisë programore, burimeve njerëzore të certifikuara.

Regjimet si ky i Rilindjes nuk mund të rrëzohen me tezat e ndenjura në pezull të spin doctors, që vetëm mund të korrektojnë përkohësisht disa sondazhe, por nuk bindin askënd nga shoqëria skeptike që kupton mjaft mirë thelbin e situatës ku ndodhemi.

Shqipëria shtetërore ka nevoje për operacion rrënjësor politik dhe kushtetues, pa prekur Reformën në Drejtësi. Ndërsa shoqëria që mendon dhe nuk voton, ka nevojë për besim dhe premtim për ndryshim rrënjësor dhe fshirje skenike të çdo kujtimi të kohëve të zeza të sundimit të ekipit të Rilindjes

8 vite të qeverisjes së grupit manipulator brenda PSSH kanë ngrirë jetën e Shqipërisë, kanë sjellë depresion total në shoqëri, rrënim të ekonomisë dhe mungesë shprese për popullin. Në Shkodër, ky regjim ka mbjellë, në mënyrë të kombinuar, edhe farat e përmbysjes së rendit të drejtimit dhe udhëzimit tradicional të jetës. Përjashtimi afatgjatë nga të drejtat kushtetuese të arsimimit, punësimit, pjesëmarrjes thelbësore dhe të barabartë ne pushtetin e lartë shtetërore të përfaqësuesve realë të Shkodrës, diskriminimi administrativ, financiar dhe investues, zhvendosja e drejtorive governative nga ana e qeverisë, ka bërë që pjesa më e madhe e bashkëqytetarëve të mi, të marrin rrugët e emigracionit pa kthim. Procesi integrues komunitar në administratën shtetërore, njohja e pozicionit të barabartë drejtues në udhëheqësinë shtetërore dhe përfaqësuese, ka lënë për të dëshiruar. Çdo ditë që kalon është thellim i tatëpjetës së Shkodrës, Veriut dhe Shqipërisë, që duhet ndalur, pa kryer eksperimente me njerëz plotësues dhe të rastësishëm.

Rrëzimi i qeverisë së Edi Ramës është emergjence kombëtare.

Për të realizuar demokratikisht rrëzimin e regjimit është shumë i rëndësishëm ndërtimi i koalicionit antiautoritar, në të cilin elita intelektuale, që ka një zë të dëgjueshëm sot në publik, duhet të ketë pozicionin e vet parësor, si konsulencë, si përfaqësi dhe si vendimmarrje në tavolinën e programimit ma të lartë.

Tanimë ka ardhur koha e rikrijimit të një komiteti të orientimit të politikave, në të cilin nuk ka shumë vend për propagandistë, por kryesisht për konstitucionalistë, politologë, ekonomistë, antropologë dhe sociologë, nga ata jorastësorët, por nga intelektualët që nuk iu bënë fasadë regjimit.

E nevojshme gjithashtu eliminimi i përzierjes së rendeve të pjesëmarrjes, varësisht kualiteteve të verifikueshme. Një klasifikim paraprak i kritereve, mbi të cilat do të ndërtohet modeli i ardhshëm reformator dhe qeverisës, është shumë i nevojshëm për të eliminuar yryshin e pretendimeve pa limite arsyesh.

Së fundmi, qartësia e orientimit strategjik dhe garancitë e plota dhe pa ekuivokë ndaj aleatit më të rëndësishëm të shqiptarëve, mbeten çelësi i suksesit të opozitës demokratike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura