Mishel Platini: Ronaldo? Në moshën 33 vjeç si mund të largohesh nga Reali

Aug 30, 2018 | 13:26
SHPËRNDAJE

Mishel Platini rikthehet që të flasë për median, duke prekur disa tema të nxehta të finales së Botërorit “Rusi 2018”, ku në shënjestër ka vënë përdorimin e sistemit “VAR”, për të cilin ka qenë gjithmonë kundër, por në të njëjtën kohë edhe mbi temën më të nxehtë të verës pas Kupës së Botës, transferimin e Kristiano Ronaldos te “Juventusi i tij”. Për ish-shefin e UEFA-s, kjo lëvizje e portugezit larg Realit të Madridit mund të fshehë një intrigë të madhe prapa, por që ai nuk arrin ta kuptojë.

Michel Platini
RONALDO-JUVENTUS – “Më është dukur shumë e çuditshme që një lojtar në moshën 33- vjeçare, edhe pse quhet Kristiano Ronaldo, të largohet nga Reali i Madridit, për më shumë pasi ka fituar tre Liga Kampionesh radhazi dhe për të provuar një aventurë te re. Edhe mua, në moshën 32-vjeçare, më kërkuan shumë klube, por isha i lodhur nga futbolli dhe vendosa të tërhiqesha. Ronaldo nuk është dhe kjo duket qartë. Por, ajo që unë dua të kuptoj nga gjithë kjo lëvizje është: ka qenë Juventusi që e ka kontaktuar lojtarin apo ka qenë menaxheri i tij, Zhorzh Mendes që ka kontaktuar Juventusin? Gjithsesi, duke parë edhe shifrat që kanë lëvizur, nuk arrij kurrsesi që ta kuptoj këtë operacion”.

POLEMIKAT E “VAR”-it – Francezi Mishel Platini ka dashur që të prekë edhe Botërorin, më konkretisht duke hyrë në risinë e përdorimit të “VAR”-it, që sipas tij turbulloi mbi të gjitha finalen e Kupës së Botës, FrancëKroaci. “Më thoni pak, cila ishte drejtësia që vendosi teknologjia në Botëror, sepse unë nuk e pashë. Ato video në shumicën e rasteve ishin të sforcuara. Nuk solli drejtësi dhe këtë e konfirmoi finalja. ‘VAR’-i u përdor dhe për mua, goli i parë francez, i ardhur pas akordimit të një goditjeje dënimi, si rrjedhojë e një faulli që nuk ekzistonte nga ana e kroatëve. Pastaj, në golin e dytë, ishte regjia që lajmëron arbitrin, i cili shndërrohet në një marionetë. Fundja, edhe në atë rast, ishte dhe nuk ishte prekje me dorë e kroatëve…

platini

Në shpejtësi reale, por edhe me moviolën ‘normale’, nuk duhej akorduar penallti, por me lenten e supermoviolës, që e zgjat deri në 15 sekonda një episod 1- sekondësh, atëherë po, arbitri sheh diçka dhe vërshëllen penalltinë. E gjithë Kroacia proteston për prekje të pavullnetshme, ndërsa e gjithë Franca për prekje të vullnetshme. Sërish dy opinione të ndara… Ku është drejtësia e ‘VAR’-it këtu?! Më vjen keq, por vramë arbitrimin, sepse edhe me teknologjinë, mbetet sërish çështje interpretimi”, përfundoi Platini.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura