Mirënjohja e Malësisë

May 19, 2016 | 12:40
SHPËRNDAJE

gurakuqiROMEO GURAKUQI

Në mbrojtje të shqiptarëve që banojnë në Malin e Zi, të shkëputun nga Shqipnia prej vendimeve të Fuqive të Mëdha, më 1880 dhe më 1913 dhe 1921, Deputetja e Parlamentit të Shqipërisë, zonja Ledi Shamku Shkreli, ka adresuar një memorandum ndaj autoriteteve akademike të Republikës së Malit të Zi, vend kandidat për BE.

Është thjesht ai hap i parë që do të duhej ta bënin fillimisht institucionet shkencore dhe autoritetet në mënyrë të institucionalizueme. Në fund fare është një detyrë, në mbrojtje të qenies së kombit tonë europian, që don me rrnue në këto anë, me fqinj paqësorë dhe pa hile, në nji epokë të re integruese në kontinent. Por kjo epokë nuk duron falsifikime, sjellje dyfaqësore, provokime dhe aq më pak goditje të jetës normale të popullit shqiptar në Malin e Zi.

Memorandumi është një mbrojtje dhe protestë e argumentueme ndaj një provokimi të pangjashëm për shqiptarët e Hotit, Grudës, Trieshit, Kojes, provokim ndaj banorëve të Plavës, Gucisë, Rozhajës, Shestanit, Ljarjes, Krajës, Ulqinit, Anës së Malit, ndërmarrë tashmë jo nga politikanët malazezë, të cilët sigurisht që janë nxitësit nën rrogoz, por nga akademikët e një vendi aspirant për EU dhe NATO.

Provokimi i akademikëve sot realizohet në ditët kur po ndodh procesi i boshatisjes dhe sllavizacijas së plotë të Shestanit, Ljarjes, kur drejtimi politik i komunës së Tuzit është vendosur, për herë të parë në disa dekada, në duart e banorëve boshnjakë të ardhur rishtazi, si kolonë të sjellë nga pushteti, në rrethanat kur një politikë e fshehtë boshatisjeje ndaj popullsisë shqiptare të Malësisë është në përmasa gjithnjë në rritje.

Shqiptarët duhet të ndalin procesin e sllavizacijas, që bëri që Kuci dhe Palbardhi të mos flasin ma shqip, që disa shqiptarë të Plavës, Gucicë dhe Rozhajës të deklarohen sllavë, ndërkohë që janë shqiptarë me rranjë shekullore; që shkolla e mesme e Tuzit të mos adresohet si shkollë e shqiptarëve të Malësisë.

Provokimi i Akademisë malazeze të shërbejë si nxitje për të mbrojtur Shasin dhe kishat e tij të lashta arbnore, siç kanë bërë me aq mençuri brezi i ri i Ulqinit, Anës së Malit; të shërbejë si shtysë për të mbrojtur vendet historike në Shestan, siç kanë bërë me aq dashuri dhe mençuri shqiptarët e Krajës; të shërbejë për të ringritur Kullat në Koje, Triesh, Traboin, Vuksalekaj, Rapshë, Grudë, njëlloj siç është ngritur Kulla e Ded Gjo Lulit në Bardhaj; të shërbejë për t’i kërkuar shtetit shqiptar ngritjen e sistemit arsimor në Tivar të Vjetër dhe Dobrovodë, e kudo gjetkë ku fëmijët shqiptarë kanë nevojë për mësim në gjuhën amtare; mos i lëshoni kullat, burrat e Malësisë.

Komuniteti Malësor në USA duhet të grumbullojë fondet për ringritjen e kullave, piramidave shqiptare: ju bij të pamposhtun të Arbërisë, ju që keni ditur aq bujarisht e trimërisht, më 1998 dhe më 1999, të grumbullonit të ardhurat për Fondin “Vendlindja Thërret”, që bani të lindte UÇK-ja; ju që mbushët radhët e Divizionit Atlantiku dhe shkuat në mbrojtje të Kosovës martire, ju do të mbroni vendin nga Sllavizacija e heshtur. Kjo që ka bërë Akademia malazeze është një provokacija.

E kundërta ka ndodhur praktikisht me trevat shqiptare në Mal të Zi në shekuj: Sllavizacija. Çfarë duhet të presin ma politikanët shqiptarë të Malit të Zi, për t’u vendosur vetëm në një rresht: në rreshtin e vetëm të mbrojtjes së popullit të tyre të traumatizuem, pa përkrahje dhe të tradhtuem nga shqiptarët e kompromiseve të paprincipta?!

Çfarë duhet të presin ma shumë autoritetet shtetërore shqiptare e kosovare, që nuk protestojnë ndaj këtij provokimi antihistorik, të nxitur politikisht, ndaj popullit të martizuem shqiptar, që po ndrydhet e po shpronësohet, po dhunohet e shkombëtarizohet në Mali të Zi?!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura