Miranda Haxhia: Poezitë e Zogajt si një përkufizim i jetës

Feb 17, 2016 | 10:58
SHPËRNDAJE

Libri i fundit me poezi i Preç Zogajt ka disa kumte të reja, të cilat autori dëshiron t’i përndajë ndër lexues me anë të mjeteve që ai i ka fort për zemër në gjithë krijimtarinë e tij. Këto kumte janë koncepte filozofike, por të ngjyrosura me elemente të mirëfillta krijimtarie poetike.

 

ushtrimet e melankolise

Koha, jeta përtej konceptit fizik, dashuria, vdekja, identiteti (shqiptar, ose një mall për të theksuar patriotizmin brenda individit, deri në sakrificë) janë disa nga temat e librit. Preçi nuk i drejtohet dikujt, ai flet vetëm me vetëdijen e tij, përdor gjithfarë ndjesish për të vizatuar një autoportret përmes fjalës.

Libri është kompozuar në katër cikle apo katër libra të vegjël brenda një libri. Cikli i parë i kësaj strukture poetike me titullin “E paanë jeta, një klithëm është larg fundit”, është një lloj rekuiemi- i fortë, në të cilin, nga njëra poezi në tjetrën, autori, duke luajtur me kohën e foljeve, sjell një të shkuar dërrmonjëse, një të tashme të brishtë dhe një të ardhme që, e trishtë ta thuash, përfundon, ashtu si edhe fundet e disa poezive me një “dialog” apo një “pafrikë” ndaj vdekjes.

Hera-herës futen perifraza të frymëzuara nga legjendat-”S’do të dal më për gjah të ulët/ S’do të pi ujë dhjetë ditë, s’do të ha disa muaj:/ Do të provoj të lutem për shpirtin tim,/ Të shuhem, në mundsha, për shpirtin tuaj” (poezia “Thjeshtime”); apo “Përgjatë shekujve ditë për ditë/ gurët janë ligur e vijojnë të ligen,/toka është hequr e vijon të hiqet/ porosi e vjetër që vetë një zot/ do ketë harruar për ta anulluar” (poezia “Mirdita dhimbje”).

Këto legjenda rishfaqen edhe në poezinë “Do të thyhet rregulli” që është përshirë në ciklin e dytë të poezive të dashurisë. Preç Zogaj thërret poezinë për të ndier fuqinë e tij, edhe pse parathotë një fund – ai premton të “luftojë” siç dëften poezia “Në fushë të betejës”, në të cilën gjejmë vargje të mrekullueshme, si: “Kush do të të më thotë në vesh a në fytyrë/ të vërtetën, këtë shkëmb që shpërbëhet/ duke më goditur…”.

Në ciklin e parë veçoj gjithashtu poezitë “Monolog një” dhe “Monolog dy”, një shpalosje e trishtë e shqiptarizmit, jo karakteristikë e autorit, ku gjejmë shprehje poetike të një emocioni të fortë, si për shembull “kam një të çarë/ një si krisje, një si varrë/ mu në ballë”, apo “Kam një pllakë, si pergamenë në shpatullën e djathtë/ ku ther e ther sa herë bie shi/ jeli i vjetër i të parëve të mi”.

Cikli i dytë, “Ushtrimet e melankolisë”, që i ka dhënë titullin gjithë librit, nuk është më një monolog. Autori ka një personazh të përhershëm: Të dashurën. E përmes dialogut me të, dashuria merr formën e kohës, hapësirës dhe madhështisë. Pa harruar dhimbjen. Autori argëtohet me disa koncepte që ndihen në disa poezi: trishtimi se koha po ikën, se shenjat e një moshe tjetër vijnë vërdallë, se vdekja nuk është një fjalë tabù.

Çiltëria e poetit përball dy ndjenjat e para, dy elemente të patjetërsueshme në çdo kohë: ajo dhe poeti. Dashuria – ai dhe ajo. Koha- dashuria e tij. Në të gjitha pikëvështrimet, ndihet më shumë nga vetë ndjenja e dashurisë, një respekt pothuaj hyjnor për të dashurën, për kohën që i përkushton ajo poetit dhe “pesimizmi i fshehtë” që ngre mure të zymta në poezinë e këtij kapitulli, e pamundura në përjetimin e pasosur të ndjenjës së dashurisë. “Po ne jetojmë njëri pa tjetrin/ në të njëjtin qytet të veremit/ në të njëjtat rrugë/ në të njëjtën gjuhë…”

Një poezi që plotëson denjësisht ato që autori ka synuar të thotë, është ajo me titull “Pasi u deshëm atje” me vargje të tilla: “Si një kujtim prej peme/ si zemërim zemre/ flokët e tu në erë shkapërdarë/ duart e tua në ajër duke qarë… Karshi, krejt përkarshi vije dje dhe nesër/ As arrinte perëndimi, as pushonin dënesjet”. Edhe kjo poezi përfundon në një takim të “pafrikë” me vdekjen. Fundi i këtyre poezive është i mbushur me konceptin e pritjes.

Ajo vërtitet, mundon. Por është gjithmonë. Dhe pas një “mundimi” të gjatë në këtë pritje, poeti kalon në një lloj korridori poetik, në të cilin ndesh poetë, bisedon me të gjallë e të vdekur, me libra dhe vende ku shkruhen libra, si duket, për të kuptuar edhe lexuesi se poezia është armë e fortë kundër harresës, kundër trishtimit, kundër humbjes. “Me një libër poemash në xhep/ do të shkojë të mbledhë manushaqe/ në shpatin e shegëve për ty./Shkruar për t’u derdhur, gjaku/ po rrjedh qysh tani/ nëpër gishtat e mi.

Koha e ka rritur vërtet shpejtësinë, por besoj se të gjitha kohërat ndalen, kur flitet dhe shkruhet për nënën. Një llogari e shumëfishtë dashurie për nënën dhe brenga e pazgjidhshme mes birit dhe nënës. “Kisha flokë të zinj dhe këmishë çunaku/Po zemra ime rrihte dhjet vjet prapa/Nëna më përcillte deri te stacioni/Psherëtimë e shkulur nga gjoksi i saj ikja,/sikur prej mallit të saj fëmijë i rritur lindesha” (“Tërheqjet e nënës sime”). Siç e parathashë në krye të këtij refleksioni, poeti bart gjatë gjithë poezive një kumt që lidh jetën dhe vdekjen.

Por deshifrimi i pamëshirshëm i këtij kumti është i thënë në poezinë “Po shembet shtëpia e shpirtit tim”. E shkruar bukur, kjo poezi të trishton e të jep të panjohurën e fundit të arsyes së titullit të librit.

“Ushtrimet e melankolisë”, ky libër plot skrupuj, të fshehta e të nxjerra me aq sinqeritet e pasion nga autori Preç Zogaj, është një përkufizim i plotë i jetës. Me gjithë dinakërinë me të cilën ajo na vjen vërdallë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura