Mirakaj rrëfen momentin e tmerrshëm në Kampin e Tepelenës: Kazani u hodh përpjetë bashkë me trupin e fëmijës

Apr 10, 2018 | 22:43
SHPËRNDAJE

I mbijetuari i Kampit të Tepelenës tregon në studion e emisionit ‘Studio e Hapur’, momentin më të tmerrshëm që ka parë në atë kamp. Momenti kur kazani u hodh përpjet së bashku me trupin e fëmijës.

Mirakaj: “Momenti më i tmerrshëm ka qenë kur kam parë kazanin duke u hedh përpjet me trupin e fëmijës së një mirditori. E ëma nxorri kazanin për me la rrobat, ndërsa fëmija po ngrohej në atë të ftohtë. Kazani hasi në një minë dhe u hodh në ajër bashkë me fëmijën që ndodhej pranë duke u ngrohur”.

Rrëfimi i dhimbshëm i Mirakajt: Ende kam në kokë kujën e fëmijëve, “oj nanë po na hanë shtrigat”

Në rrëfimin e tij në studion e emisionit ‘Studio e Hapur’, i mbijetuari i Kampit të Tepelenës, Simon Mirakaj tregon rreth vuajtjeve të nënave që shihnin fëmijët e tyre të torturoheshin.

Mirakaj: “Mbaj mend dy fëmijë të cilët u shtrinë barkas nën tela për të gjetur ndonjë frut, gordhicë ose dardha. Në momentin që fëmijët u ngritën u pikasën nga policia. Policia i kapi fëmijët dhe i lidhi në një shtyllë. I mbajti gjithë natën deri në mëngjes. Ata qanin të dy sepse i vendosnën afër çezmës dhe aty frynte. Edhe sot e kam kujën e tyre në vesh kur thërrisnin “Oj nanë po na hanë shtrigat”.  

Mirakajjjjj

I mbijetuari i Kampit të Tepelenës: Brenda 24 orëve vdiqën 30 fëmijë

Mbrëmjen e sotme në emisionin ‘Studio e Hapur’ është i ftuar, Simon Mirakaj, i mbijetuar nga Kampi Tepelenës.

Mirakaj në një ballafaqim me të shkuarën po flet për jetën në këtë kamp, moshën kur është dërguar në kamp dhe vuajtjet që ka kaluar atje.

Vasili: “Nuk është e thjeshtë ti rikthehesh këtyre kujtimeve. Dua ta shohim historinë tuaj në një këndëvështrim të veçantë. Sa vjeç ishit kur u internuar dhe sa ishit kur mbërritët në kamp”?

Mirakaj: “Kam shku 2 javësh. Jemi internu në 1945. Fillimishit jemi sistemu në kalanë e Beratit. Në 1949 na hoqën nga Berati dhe na sistemuan në ‘Toran’, na vendosën në stane bagëtish. Brenda 24 orëve kanë vdekur 30 fëmijë nga mungesa e ushqimit dhe mungesa e higjenës. Kjo situatë alarmoi ministrinë e Brendshme, dhe atëherë na hoqën nga kampi Toranit dhe na vendosën në kampin e Tepelenës. Në kampin e Tepelenës kam ndenjur nga mosha 4 vjeçare deri në moshën 8-vjeçare. Fëmija i regjistron ngjarjet dhe i mban mend të gjitha. Fëmijët janë engjuj dhe këta engjuj ishin të rrethuar me tela. E dhimbshme ishte për nanat të rritnin fëmijët mes telave. Kampi Tepelenës ishte i përbërë nga pleq, plaka, fëmijë”

Vasili: “E kuptonit çfarë po ndodhte dhe kur e kuptuat?”

Mirakaj: “E kam kuptuar në klasë të I. Na u dha mundësia të shkojmë në shkollë, por e kishim të vështirë të ngjisnim kodrën për të vajtur në shkollë, se nuk ushqeheshim. Pasi mbaroi mësimi në klasë të parë, mësuesi më ndali dhe më tha ‘A e do babain’? Po e dua i thashë. Nxirre dorën më tha. E nxora dorën dhe me tehun e vizores më godiste në dorë. Ai më thoshte thuaj që nuk e dua babain dhe unë i thosha e dua. Kjo rrahje vazhdoi për orë të tëra. Kur mësuesi më liroi, rrugës për të shku në kamp mua më rat ë fikët dhemë kanë mbajtur motra me vëllain.

Jam ba prind vonë dhe vonë e kam kuptu ndjesinë prindërore”.

Vasili: “Cili është kujtimi që mbizotëron kujtimet tuaja?”

Mirakaj: “Rrëfimet tona kanë një rëndësi për mu edhe për dëgjuesin sepse përcjellin mesazh. Ky është qëllimi i rrëfimit tim dhe kolegëve të mi. Mesazhi është që kjo histori të dëgjohet dhe të mos përsëritet ma”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura