Minoriteti malazez: Pro censusit, s’jemi pjesë e shoqatës “Moraça-Rozafa”

Sep 30, 2011 | 11:31
SHPËRNDAJE

KORÇE/SHKODER – Procesi i regjistrimit të popullsisë sjell reagime të tjera të minoriteteve në vend. Minoriteti maqedonas në rajonin juglindor ka paralajmëruar bojkot të procesit të censusit dhe mosnjohje të rezultatit të tij. Sipas kryetarit të komunës Liqenas, Edmond Themelko, hapësira e shtrirjes së minoritetit maqedonas është mjaft e gjerë dhe vetëdeklarimi i kombësisë do të penalizonte me qindra persona, të cilët i përkasin minoritetit. “Ne kemi zona të tëra që i përkasin minoritetit maqedonas. Vetëm në zonën e Bellovodës janë 16 fshatra, familjet e të cilave ruajnë traditat, kulturën dhe flasin në gjuhën e minoritetit tonë. Vetëdeklarimi ata thjesht do t’i penalizojë, ndaj ne nuk do njohim rezultatin. Për shkak të sistemit komunist, ata kanë qenë të detyruar të kenë një kombësi që nuk është e tyrja dhe kjo nuk është përgjegjësi e qytetarëve. Për aq kohë sa nuk ndryshohet neni 20 i ligjit për regjistrimin e popullsisë, ne nuk e njohim atë si të vlefshëm”, deklaroi Themelko. Po dje, reagoi komuniteti malazez në Shqipëri, nëpërmjet shoqatës së tyre “Alba-Montenegro”, me seli në Shkodër. Ata janë pro procesit të regjistrimit, por nuk kanë dhënë një deklaratë përfundimtare se çfarë mendojnë për deklarimin e kombësisë apo të fesë së qytetarëve gjatë regjistrimit. Burhan Çuliq, kreu i shoqatës, deklaroi se anëtarët e saj u njohën me prononcimin e katër shoqatave të minoriteteve që mbështesin braktisjen e censusit. “Shoqata jonë nuk ka asnjë prononcim për këtë ultimatum”, u shpreh Çuliq. Ai kundërshtoi qëndrimin e shoqatës “Moraça-Rozafa”, e cila ka kundërshtuar censusin në emër të pakicës serbo-malazeze. “Jemi shumë të indinjuar nga qëndrimi i kësaj shoqate, e cila në vetvete ka për qëllim frenimin e deklarimit vullnetar, që do të bëhet për këtë qëllim. Po kështu, jemi të indinjuar nga riciklimi që i bëhet shoqatës ‘Moraça-Rozafa’, që nuk ka fare lidhje me pakicat malazeze, mbasi Serbia dhe Mali i Zi janë dy shtete të ndryshme”, thuhet në deklaratën e shoqatës, “Alba-Montenegro”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura