Ministria e Kulturës, tender për godinën dhe linjën e Galerisë së Arteve

Aug 15, 2018 | 10:38
SHPËRNDAJE

ALMA MILE / Ministria e Kulturës ka shpallur tender për Galerinë Kombëtare të Arteve, që mbi bazën e ligjit të ri “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, ka nisur të quhet Muzeu Kombëtar i Arteve të Bukura. Duke vënë në dispozicion një fond prej 12,5 milionë lekësh, MK fton të gjithë të interesuarit të ofrojnë një “shërbim konsulence”, duke paraqitur një projekt madhor, që ka si synim “riformatimin” e këtij institucioni, duke nisur që nga rikonstruksioni i godinës, te përmbajtja e muzeut.

Galeria-Kombëtare-e-Arteve-tirane-kulture-arkitektura-italiane-shekulli-i-20

Gjatë ceremonisë së përurimit të qendrës kulturore “Turbina”, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, bëri me dije hapjen e një fondi për rikonstruksionin e GKA, por nuk paska qenë për ndërhyrje konkrete, por për “blerje” idesh. Përmes këtij projekti, MK kërkon një “ndërhyrje rrënjësore” në çdo element. Sipas “qëllimeve” të Ministrisë, “Zbatimi i projektit pritet të përmirësojë në mënyrë cilësore hapësirat e këtij objekti duke sjellë një risi në aktivitetin e Muzeut Kombëtar të Arteve të Bukura.

Arkitektura dhe sistemet bashkëkohore duhet të gjejnë zgjidhjen më të mirë të mundshme. Nëpërmjet këtij projekti synohet: Krijimi i një hapësirë të re qytetare; Përmirësimi i mënyrës së komunikimit me vizitorin, duke rimodeluar volumin dhe lëvizjen; Krijimi i hapësirave për ekspozime të reja; Përmirësimi i sistemeve teknike; Zgjidhja e hapësirave të magazinimit dhe ruajtjes në kushte të përshtatshme të fondit të objekteve muzeore; Mundësia për të rritur kapacitetin e objektit; Përmirësimi i konfortit teknik”.

GODINA

Është e qartë se kishte ardhur koha që edhe godina e GKA t’i nënshtrohej një rikonstruksioni për përmirësimin e kushteve për ekspozimin, për ruajtjen e fondeve, për publikun, etj. Sipas kërkesave të MK, kërkohet një projekt që të realizojë një “riformulim arkitektonik”, restaurim dhe rikonstruksion të godinës, duke ia përshtatur edhe statusit të ri që ka tashmë institucioni, atë të muzeut. Me “riformulim arkitektonik” të godinës së projektuar nga arkitekti Enver Faja, nënkuptohet një shfrytëzim më i mirë i hapësirave të nëntokës dhe përreth godinës, një rikonceptim i hapësirave që nga ato të ekspozimit, te fondi, biblioteka, auditori, biblioteka, qendra për kërkim, koleksionet dhe hapësira për laboratorët e restaurimit, qendra e dixhitalizimit, krijimi i klasave edukative, “hapësira inteligjente” (që lejojnë mundësinë dhe kanë infrastrukturë për të marrë forma dhe trajta të ndryshme, të cilat mund t’u vihen në dispozicion edhe programeve të ndryshme të edukimit), ambientet e shërbimit si restorante, bare, salla mbledhjeje, suvenire, librari, hapësirat ndihmëse si gardëroba, kuti sigurimi, biletaria, etj..

Si një monument kulture i kategorisë II, ndërtesa në fjalë (do ta kemi të vështirë sa të mësohemi ta quajmë Muzeu Kombëtar i Arteve të Bukura-MKAB), një kujdes i veçantë do t’i kushtohet ruajtjes së verave të saj si pjesë e trashëgimisë kulturore. Fasada e saj do t’i nënshtrohet restaurimit, për këtë kërkohet një “analizë e gjendjes ekzistuese, projekti i konsolidimit, restaurimit dhe propozimi për forma më interaktive të komunikimit”. Rikonstruksioni parashikon ndërhyrjen në elementet e amortizuara strukturore të godinës, në sistemet elektrike, klimatizimit, kondicionimit, ndriçimit, mbrojtjes ndaj zjarrit, ujit dhe vandalizmit, etj.

PËRMBAJTJA

Interesant është fakti që Ministria e Kulturës ka hedhur në tender edhe rikonceptimin përmbajtjesor të institucionit, “narrativën e Muzeut dhe riformulimin e linjës muzeore”. Ende pa bërë publik vizionin e tij për institucionin që drejton, drejtori Erzen Shkololli, të cilit ende vijojmë t’i themi “i ri”, edhe pse muajt i lënë vendin njeritjetrit, Ministria e Kulturës, duket se ia heq të drejtën atij të vërë në jetë idetë e tij, duke ia besuar atë një privati. Gazeta “Panorama” i ka kërkuar një intervistë drejtorit Shkololli në lidhje me aktivitetin e institucionit, kalendarin, linjën muzeale, vizionin e tij, me të cilin, tek e fundit, fitoi edhe konkursin për postin e drejtorit, dhe ai ka premtuar se do të përgjigjet pas hartimit të kalendarit të institucionit.

Është një nga rastet e rralla, viteve të fundit, kur faqja e GKA nuk ofron asnjë informacion për projektet e ardhshme. Por me sa duket, drejtori priste fituesin e tenderit. Nuk e dimë sesi do të ndihet Shkololli për faktin që “konsulentët” do të ofrojnë ide edhe për ekspozitat, linjën muzeore, menaxhimin e koleksioneve, kategorizimin e tyre dhe edukimin përmes programeve kulturor; dhe sa do puqen këto mendime me platformën e tij fituese (nëse e ka pasur një të tillë).

Madje, edhe pse sipas informacionesh që qarkullojnë (pasi komunikimi me mediat e GKA, që prej muajit janar, ka qenë thuajse inekzistent), ishte mbledhur një grup ekspertësh për ringritjen e linjës muzeore, MK, i kërkon konsulentit, një “Projekt të detajuar të zbatimit për riformulimin e linjës muzeore. Të përcaktohet tipologjia e objekteve, me të cilat do të prezantohet muzeu, materialet grafike për interpretimin e narrativës dhe detaje të të gjithë elementeve përbërës të linjës muzeore, ekspozitorë, makete, harta (përpunimi i materialit hartografik në aspektin e përmbajtjes, konceptimit grafik dhe modelimit), komunikimi digjital, forma të tjera komunikimi (audio, video, me prekje)”. Sa u takon ekspozitave, ekspertët që kanë hartuar materialin mbi termat e referencës vënë si “kusht” që “Ekspozitat duhet të paraqiten në një mënyrë që i bën ato të kënaqshme, stimuluese dhe relevante për publikun e synuar të muzeut.

Ekspozitat duhet të jenë mbresëlënëse, estetikisht të bukura dhe të kënaqshme, etj.”. (Më këtë pikë nuk e kanë edhe aq keq, pasi jo rrallë na ka ndodhur të shohim ekspozita të padenja për emrin e institucionit. Me sa duket, për shkak të këtij problemi, MK ka bërë edhe përcaktimet sesi duhet të jetë një ekspozitë). Meqë konsulentët nuk do të duhet të bëjnë vetëm tulla e llaç, por hollë-hollë të ngrenë në këmbë vetë muzeun me idetë e tyre, kërkohet një të kenë një “skuadër multidisiplinare” që të ketë në përbërje studio arkitekturore dhe ekspertë për muzetë (muzeologë/ kuratorë arti). Afati për të interesuarit është data 20 gusht, një kohë e shkurtër për projektin e një institucioni kaq të rëndësishëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura