Ministri në detyrë, Xhaferri, “heq” Lesin

Apr 16, 2011 | 11:39
SHPËRNDAJE

Zv.ministri i Kulturës, Nikollë Lesi, ka akuzuar ish-ministrin Ferdinand Xhaferri, se ka falsifikuar datën e një shkrese, ku Suzana Turku autorizohet prej tij si ministre deri në emërimin e titullarit të tij të këtij institucioni.Dy javë më parë, në një mbledhje qeverie, kryeministri Berisha u shpreh se pas dorëheqjes së Xhaferrit dhe Bashës, të cilët do të jenë kandidatë në Durrës dhe Tiranë, ministra në detyrë do të jenë Nikollë Lesi dhe Avenir Peka. Gjatë mbledhjeve të fundit kanë qenë pikërisht këta të dy që kanë përfaqësuar Ministrinë e Kulturës dhe atë të Brendshme në mbledhjet e qeverisë. Por ish-ministri Xhaferri, në datën 29.03.2011 ka firmosur një autorizim që mban numrin e protokollit 2074, ku thuhet: “në mbështetje të ligjit nr. 9000, datë 30.01.2003 ‘për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave’, neni 6, pika 2, autorizoj Znj. Suzana Turku, zv.ministre në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të zëvendësojë ministrin deri në emërimin e ministrit të ri, sipas përcaktimeve të Kodit të Procedurave administrative”. Kjo letër, sipas zv.ministrit Lesi, ka mbërritur në Ministri vetëm dy ditë më parë, ndërkohë që deri në këtë moment i gjithë stafi ishte njohur me deklaratën e Kryeministrit se ishte pikërisht ai ministri në detyrë. “Unë kam marrë pjesë në dy mbledhje qeverie në cilësinë e zv.ministrit të Kulturës, ndërkohë që Kryeministri na tha që jeni ministra në detyrë. Kjo është e thënë publikisht nga Kryeministri. Kam respektuar të gjitha rregullat dhe ligjet një cilësinë e zv.ministrit dhe ministrit në detyrë, sipas asaj që tha Kryeministri. Ndërkohë që sot njihem krejt rastësisht dhe jo në rrugë zyrtare se ministër në detyrë është emëruar Zana Turku, kolege e nderuar, por që e firmosur me një urdhër që mban datën 29 mars, ndërkohë që kemi gjithë këto ditë që asnjë urdhër nuk ka pasur as për mua, as për Zana Turkun me shkrim”, u shpreh Lesi i kontaktuar nga gazeta. Ai akuzoi ish-ministrin Xhaferri se ka falsifikuar dokumentin, i cili është nënshkruar në 29 mars. “Mendoj se kjo është një shkelje e rregullave, por besoj që është edhe një falsifikim me protokollin e Ministrisë, që firmoset një shkresë në datën 29 mars, ndërkohë që në të vërtetë është firmosur dje dhe ka ardhur në Ministri. Përveçse është shkelje e rregullave, është edhe një fyerje për mua, sepse unë kam shkuar me këtë status në mbledhjen e qeverisë, ndërkohë që ish-ministri që tani ka ikur, firmos një shkresë që unë dyshoj se është e falsifikuar”, shprehet më tej Lesi. I pyetur nëse ka kontaktuar me Kryeministrit për këtë çështje, ai tha se do t’i drejtohet me një letër ditën e hënë. Zv.ministri shtoi në të njëjtën kohë se, sipas ligjit, nëse ministri largohet nga detyra me dorëheqje, nuk ka të drejtë të caktojë pasardhësin, atë e cakton Kryeministri. “Në të njëjtën kohë, ministri punon me urdhra, ndërsa në këtë rast ka nxjerrë autorizim”, përfundoi Lesi.

 

ADI SHKEMBI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura