Minifutboll amator, Shqipëria debuton sot në europian. Kapiteni Hysenbelliu: Synojmë vendet e para

Aug 12, 2018 | 9:51
SHPËRNDAJE

Sot në Kiev të Ukrainës kombëtarja shqiptare e minifutbollit bën debutimin e saj në Kampionatin Europian. Shqipëria do të luajë kundër Kazakistanit në orën 13:00. Kjo është prezenca e parë në historinë e Shqipërisë në një event ndërkombëtar. Përfaqësuesja kuqezi është formuar nga lojtarë të kampionatit kombëtar të minifutbollit dhe në këtë event do të bëjë pjesë në grupin C, bashkë me Bosnjë Hercegovinën, Kazakistanin, Bullgarinë dhe Irlandën.

minifutboll

Në prag të Europianit, kapiteni i kombëtares, Fatmir Hysenbelliu, i cili është golashënuesi më i mirë i kampionatit kombëtar, flet rreth eksperiencës ndërkombëtare që është në prag. Autori i 22 golave gjatë edicionit të fundit, u shpreh kështu: “Qëllimi ynë nuk është thjesht të marrim pjesë dhe të shkojmë për pushime, por të shkojmë atje denjësisht dhe të synojmë vendet e para. Synoj mbase të dal atje edhe golashënues. Ky është një test për ne, sepse është viti i parë që organizohet ky lloj turneu. Normalisht që për mua është përgjegjësi e madhe, por kjo më bën edhe më krenar, të eci fort, të kem një performancë sa më të mirë dhe ndeshje pas ndeshjeje të rritem sa më shumë”, deklaroi kapiteni i kombëtares, Fatmir Hysenbelliu.

Ndërkohë, presidenti i Federatës Shqiptare të Minifutbollit Amator, Ervin Bytyçi, i cili aktivizohet edhe si lojtar deklaroi: “Kjo është hera e parë për ne, dhe shpresojmë që të jemi një surprizë e bukur e këtij kompeticioni, duke marrë nga ky event eksperiencën më të mirë të mundshme. Të qenit një skuadër e re, është një avantazh i mirë për ne, pasi kundërshtarët e kanë të vështirë të gjejnë informacion për ne. Ndjesitë në skuadër janë të ndryshme, pasi ka entuziazëm, shpresë për fitore, por gjithashtu ekziston frika e humbjes dhe dyshimi se si do të paraqitemi. Megjithatë, mbizotëron krenaria e të qenit skuadra e parë që ka arritur të marrë pjesë në një turne kaq të rëndësishëm në të gjithë historinë e minifutbollit shqiptar.

Do të thosha që është një nga eksperiencat më të rëndësishme për të gjithë lojtarët dhe një mundësi e mirë për vendin tonë që të ndihet pjesë e familjes së madhe të minifutbollit europian. Përzgjedhja e skuadrës nuk ka qenë shumë e vështirë, pasi kemi pasur vetëm 60-70 lojtarë në dispozicion dhe kemi marrë më të mirët prej këtij grupi futbollistësh”, tha kreu i federatës së minifutbollit.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura