Mini-Shengeni si feniks i ditëve tona

Jan 26, 2022 | 8:35
SHPËRNDAJE

1200px-Genc_Pollo-700x465GENC POLLO

Takimi në Tiranë në dhjetorin e shkuar mes Ramës, Vuçiçit e Zaevit, në kuadrin e projektit të tyre Minishengen, që më vonë u riemërtua Ballkan Hapu!, ringjalli diskutimet mbi nevojën apo dobinë/dëmin e kësaj nisme.

Thelbi i këtij debati mbetet pse lipset të avancojë një nismë që përqafohet nga vetëm tri shtete, por jo nga tri shtetet e tjera në Ballkanin Perëndimor. Dhe pse duhet braktisur një nismë si Procesi i Berlinit/Tregu i Përbashkët Rajonal (TPR), e cila është e njëjtë në përmbajtje e synime dhe i përfshin që nga fillimi i saj të gjashta shtetet e Ballkanit Perëndimor; dhe që për më tepër ajo gëzon mbështetjen politike të Europës dhe SHBA-ve si dhe ka premtimin e Bashkimit Europian për financimin e projekteve të ndryshme në këtë kuadër, përfshi edhe ato infrastrukturore. Qeveritë në Beograd, Tiranë e Shkup, në përgjithësi i janë shmangur shpjegimit të këtij thelbi të çështjes. Ato kanë propaganduar vullnetin e mirë për bashkëpunim rajonal dhe dëshirën për të imituar autonomisht modele të Bashkimit Europian, si p.sh., të famshmet katër liritë e tregut. Entuziazmi i treshes Vuçiç, Rama, Zaev, nuk është zbehur, edhe pse studimet nga rastet e ngjashme në Azi e Afrikë dëftejnë se kur shtetet e vogla e të varfra realizojnë një bashkëpunim të tillë mes tyre, rezultati final është pak a shumë zhvillimi i ngadaltë. Me nuancën që ai shtet që është ekonomikisht pak më lart se të tjerët nxjerr përfitimin kryesor nga tregu rajonal i krijuar. Në rastin e Minishengen/Ballkan Hapu!, ky shtet qartazi do të jetë Serbia.

– Pse ndodhi braktisja e Procesit të Berlinit/TPR? Dhe pse ndodhi përqafimi i Minishengenit/Ballkan Hapu!?

Me shumë gjasë, përgjigjen e kësaj pyetjes së parë e ka dhënë Edi Rama në një takim për Minishengenin në Ohër para gati një viti. Ai tha se në mbledhjet e gjashtë shteteve për Procesin e Berlinit, ku vendimet merren me unanimitet, propozimit A i vinte veton shteti X dhe propozimi B pengohej nga shteti Y. Diçka të tillë sinjalizoi para një muaji edhe Komisioneri për Zgjerimin, Várhelyi, në video-konferencë me Ramën, Vuçiçin e Zaevin, të mbledhur në Tiranë. Ai tha hapur e jo me diplomaci se Tregu i Përbashkët Rajonal/Procesi i Berlinit, ishte penguar nga shtete të caktuar.

Burimet diplomatike shtojnë se pengimi, në fakt, vjen direkt dhe indirekt nga fakti që Serbia nuk ka njohur Kosovën. Kjo ka krijuar tensione në tryezën ku të gjashtët e Ballkanit Perëndimor uleshin për të negociuar Tregun e Përbashkët Rajonal; tensionet, si shpeshherë, përfunduan në pengesa.

Sa më lart mund të merret lehtësisht me mend. Edhe dëshira për të avancuar me integrime rajonale, edhe pse e debatueshme, është e kuptueshme; madje në mos 100% e lavdërueshme nuk është apriori e qortueshme.

Por e pakuptueshme, madje e paimagjinueshme normalisht, është “aleanca” që pranoi Rama për të ecur përpara me integrimin rajonal “të emancipuar” nga Brukseli. Në çdo rast, “aleanca” duhej të kishte ose Kosovën, ose Serbinë. Përjashtimisht o njërën, o tjetrën, përndryshe çdo minishengen do të pengohej njëlloj si TPR.

Me pak imagjinatë le të supozojmë se Rama do ta bënte Minishengenin tok me Shkupin e me Prishtinën. Beogradi, Podgorica e Sarajeva nuk do të pranonin të përfshiheshin, do të dëgjonim kritika për shqiptaromadhi dhe Zaevi i ngratë do të akuzohej (sërish) nga opozita si argat i shqiptarëve. Komisioneri i Zgjerimit mund të fliste në “Zoom” me tre kryeministrat për dobinë e integrimit. Dhe kaq! Jo ndonjë farë dobie, por edhe jo ndonjë dëm i madh. Edhe Serbia, Bosnja e Mali i Zi nuk do të pësonin gjë. Por duke bërë aleancë me Beogradin e Shkupin, Rama në radhë të parë dëmtoi Kosovën me pozitën ndërkombëtare ende të konfirmuar plotësisht; duke e ekspozuar si “mosbashkëpunuese” jo vetëm me Serbinë, por edhe me Shqipërinë; duke u dhënë kështu municion propagandistik keqdashësve të saj në rajon e më gjerë. Pse veproi kështu Rama, mbetet një pyetje e hapur e me shumë përgjigje.

– Loja “e lagu, s’e lagu” me përkrahjen ndërkombëtare

Ndonëse Komisioneri lëvdoi në dhjetor frymën bashkëpunuese mes tri qeverive të mbledhura në Tiranë, përsëri ai iu referua bashkëpunimit gjithëpërfshirës e tregut rajonal. Por meqë propaganda e tre qeverive e paraqiti atë përshëndetje si pikë kthese të BEsë që tashti e tutje po e përqafonte “Minishengenin/Ballkan Hapu!”, Brukseli reagoi. Në 23 dhjetor, zëdhënësja e Komisionit, znj. Pisonero, duke iu referuar takimit të Tiranës, në një deklaratë të posaçme, theksoi qartë se përkrahja e Komisionit Europian është vetëm për Tregun e Përbashkët Europian të dalë nga Procesi i Berlinit. Në të njëjtën linjë folën në janar Gabriel Escobar, i dërguar për Ballkanin i Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve si dhe Anna Lührmann, ministre Shteti për Europën në qeverinë gjermane, e cila vizitoi Tiranën javën e shkuar.

– Haxhi pishman apo haxhi shejtan?

Në 10 qershor 2021, në Tiranë, në fund të një takimi rajonal për integrimin europian, Rama i deklaroi Komisionerit Várhelyi se po i dorëzonte dosjen e Minishengenit në sqetullën e sigurt të Komisionit Europian. “Pour une fois”, siç thotë frëngu, (më në fund njëherë) Rama e tha gjënë e duhur, do të ketë menduar shumëkush.

Po pse dreqin Ramës iu prish mendja e pak muaj më vonë shkoi dhe e tërhoqi dosjen nga sqetulla e Komisionerit dhe po vazhdon si i ndërkryer me nismën problematike të Vuçiçit, këtë le ta gjejë vetë lexuesi i këtyre radhëve.

Post Scriptum: Pasqyrimi në mediat tona të qëndrimeve të BE-së e SHBA-ve meriton një studim si rast i triumfit të propagandës me trajta gati orwelliane. Një googllim i shpejtë të tregon se përshëndetja e Komisionerit Várhelyi në dhjetor në të gjitha websitet e lajmeve është shpjeguar si përkrahje e plotë e Minishengenit/Ballkan Hapu! si dhe si thirrje të tri shteteve, që janë ende jashtë, për t’u përfshirë në këtë nismë. Edhe më bizar është mbulimi i deklaratës së zëdhënëses Pisonero në 23 dhjetor: ndërkohë që synimi i deklaratës ishte fare qartë distancimi nga nisma Vuçiç-Rama-Zaev dhe shprehja e mbështetjes pro TPR/Procesi i Berlinit të tërë titujt, duke filluar nga ATSH, flasin për apel të saj për t’u bashkuar të tërë rreth Minishengenit/Ballkan Hapu! Edhe pse teksti i deklaratës në përgjithësi botohet i plotë (po kush e lexon deri në fund sot!).

Ndërsa përkrahja për TPR/Procesi i Berlinit nga i dërguari amerikan Escobar (intervistë me “Zërin e Amerikës”, 12 janar) e nga ministrja gjermane Lührmann (gjatë konferencës së shtypit në Tiranë, 18 janar dhe intervistë me “Deutsche Welle”, 22 janar), u injoruan tërësisht nga mediat shqiptare.

* Ish-ministër e deputet

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura