Mexhit Haxhiu, “Peleja i bardhë” që Sigurimi i vuri shokun e ngushtë për ta spiunuar

Jan 18, 2017 | 14:20
SHPËRNDAJE

“Në jetë dhe në fushë kam qenë gjithmonë i dyzuar… i përbërë nga dy njerëz bashkë, ai dhe unë e dikush tjetër jashtë e larg meje. Dhe, secili nga ne, ka bërë jetën e vet veç e veç, por vuajtjet i kemi hequr bashkë, unë të atij dhe ai të miat. Jeta më ka lëkundur midis hijes dhe dritës, shpresës dhe mungesës së saj…”, thotë Mexhit Haxhiu.

Mexhit Haxhiu dhe Gerd Haxhiu

Një histori e rrallë për një ndër lojtarët e shquar të futbollit kombëtar, Mexhit Haxhiu. Vështirësitë e jetës, ndëshkimi i padrejtë, karriera me Flamurtarin dhe Partizanin, e deri te takimi pas gjysmë shekulli me babanë e arratisur. Çfarë bën sot ai që luajti një futboll të censuruar, gjithmonë i survejuar, ndonëse ishte ndër talentet e spikatura të kohës, por i listave të ndaluara? Ku dhe si jeton golashënuesi, mjeshtri i gjuajtjeve, i marrë tri herë ushtar te Partizani dhe transferimi në Lushnje për ta shkëmbyer me një agronom? Si dhe pse e goditi Revolucioni Kulturalo-Kinez Haxhiun, përjashtimi nga futbolli pas rikthimit në Vlorë dhe kur e kërcënonin të mos i shënonte gol Dinamos?

Futboll tek “Uji i Ftohtë”…

Futboll zbathur në xhade, në rërën e plazhit, qymyr, zhavorr, duke pirë ujë te pusi i Xha Brahimit për të shuar etjen, atje te fusha e parë e Rrapit të Ferrit tek “Uji i Ftohtë”… Madje dhe në rolin e portierit ka luajtur në fillimet e tij… Një top i vogël llastiku i blerë nga e ëma, pastaj me Qerimin, Nexhmiun, Xhevitin, Hasanin, Baçin, skuadra e “Rrapit” u shpall kampione e lagjes “Uji i Ftohtë”. Ai ishte vetëm 10 vjeç, por kapiteni i saj. I vogël në shtat, në moshën 15-vjeçare, mjekët e qytetit e ndaluan të luante pasi dyshonin për një anomali kardiake.

Në vështirësi ekonomike, trajnerët i jepnin një tallon për ushqim më tepër, pasi nga katër pjesëtarë të familjes, jetonin me një rrogë të nënës si punëtore në punë të rëndë. Shquhej pasi kishte zotërim të mirë të topit dhe ishte teknik. Pastaj aktiviteti me shkollat dhe Spartakiada Kombëtare në Durrës me pionierët. Përfaqësonte Vlorën edhe në basketboll e not në 50m stil i lirë në kampionatet e moshave në Currila të Durrësit. Luan me skuadrën e gjimnazit “Ali Demi” në aktivitetin lokal të shkollave të mesme, shpallet kampion dhe si shpërblim i japin një shumë prej 300 lekësh.

Mexhit Haxhiu

Me të rinjtë, zbulohet si talent. Ishte vetëm 175 cm i gjatë.

Prezantimin e parë e ka në vitin 1959, është muaji dhjetor, ndërsa aktivizohet me skuadrën e të rinjve të Flamurtarit që stërvitej nga V. Ndini bashkë me Saraçin, Thomain, Zeqirin, Dhëmbin, Davidin, Sulon. Asokohe luanin në ndeshjet e të rinjve me ekipin e parë që zhvilloheshin çdo të enjte para publikut. Mars i vitit 1960, fillon kampionati i të rinjve, dhe në fushën e vjetër “Flamurtari” (stadiumi ishte në ndërtim) luan kundër “17 Nëntorit B” të Xh. Demnerit.

U aktivizua vetëm 45 minuta dhe Flamurtari fitoi 1-0. Tërheq vëmendjen e trajnerit Pelinku, i cili, edhe pse është kontingjent i rinjve, e merr me ekipin e parë për takime miqësore, ato të kupave të gazetave etj. Pa mbushur 17 vjeç, e grumbullon me Flamurtarin për dy takime miqësore ndërkombëtare që do luhen në Vlorë. Me ëndrrën për t’u bërë si Boriçi dhe Pele, me numrin 9 në fanellë, shënon gola me të rinjtë, luan mirë, tashmë ai është lojtar premtues. Në vitin 1961, në takimin e tij të parë me skuadrën e Flamurtarit në Tiranë ndaj 17 Nëntorit, ka një ngjarje të rrallë, pasi një eklips diellor ndërpret takimin.

Ndëshkimi nga mësuesi i matematikës

Ka qenë me prirje në matematikë, por: “Mësuesi i kësaj lënde, Janaq Syko, pasi pyeti ‘kush është ky?’, rrudhi vetullat dhe më uli në vend sikur të isha fajtor dhe për çdo gjë që ndodhte më thërriste në drejtori duke më kërcënuar: ‘E dimë kush je ti, ku e ke babanë…’”, kujton Haxhiu. Ishte ky mësues, më pas instruktor në Komitetin e Partisë, që nuk iu nda kur shoqëronte skuadrën e kur filloi karrierën si trajner. Edhe pse nxënës i mirë, asnjëherë në tabelën e nderit dhe, për arsye politike, të afërm i kthyen kurrizin, madje familjarisht nuk e lejonin as të merrte pjesë në festat e vitit të ri, as në rini, as në mbledhjet e lagjes.

Pasi përfundoi të mesmen, as shkollë të lartë e as punë për dy vjet. Në një situatë të rëndë ekonomike në familje i dal përpara Manush Myftiut, gjatë një vizite në Vlorë, dhe i kërkuar arsimim e punë. Pasi informohet për babanë, ai nuk i kthen përgjigje. Pastaj kërkesa për punë që i drejton Sekretarit të Parë të Partisë së Vlorës, por edhe nga ai merr përgjigje negative. “Do të ishte Isuf Pelingu, trajner i skuadrës, që bashkë me prokurorin e rrethit, Enver Ickën, që më siguruan punësim”, kujton Haxhiu.

Thirret “gabimisht ushtar”

Sezoni 1961-’62, luan në kampionat, në Kupën e 50-vjetorit të Pavarësisë me Flamurtarin. Në verën e vitit 1963, kur emri i tij lakohej si një talent, në Vlorë shkojnë B. Fagu dhe L. Boriçi, të cilët, edhe pse Mexhit Haxhiu është i ri, e mobilizojnë të kryejë shërbimin ushtarak me Partizanin. “As nuk e kisha menduar, – rrëfen Haxhiu, – pasi ai ishte një klub ushtarak, dilte jashtë shtetit, çka kërkonte garanci politike, por në shtëpi më kishte ardhur fletëthirrja dhe isha caktuar në repartin 5310, atë të punës në Tiranë”.

Skuadra ishte grumbulluar te “Plepat” në Durrës për ndeshjen e Kupës së Kampioneve, por ndonëse kishte vetëm një javë stërvitje me Partizanin, komisari i klubit e thërret dhe i komunikon se ishte “marrë gabim ushtar” duke e çmobilizuar. Letra për biografinë e tij nga Vlora, pastaj urdhra që të mos luante me klub ushtarak, i kishin detyruar drejtuesit e klubit të Partizanit që të ndryshonin qëndrim. Kthehet në Vlorë, qëndron gati 1 muaj dhe sërish ushtar.

Te Partizani, për herë të dytë

Pas një eksperience njëjavore, nuk kalon as edhe një muaj, e thërrasin sërish ushtar. Muaji gusht, shkon në Korçë, ku Partizani ishte i grumbulluar. I panjohur për opinionin, ngjall interes aktivizimi i tij për mjedisin sportiv dhe shpejt u informua se vlonjati Haxhiu kishte ardhur përsëri te Partizani. Fillon kampionati 1963-’64, janë disa ndeshje miqësore ndaj 17 Nëntorit, Traktorit, ndërsa Boriçi e ka caktuar në formacion, vjen urdhri për ta zëvendësuar, ndonëse edhe përpjekjet e Besim Fagut si shef i klubit ishin të mëdha për ta futur në lojë.

E këshillonin të bënte nxehmjen në korridorin e stadiumit me çorape e me fanellën e një tjetri për ta futur në lojë pa u njohur nga urdhëruesit. Boriçi ka qenë ai që i ka vuajtur më shumë situatat që ishin krijuar rreth tij, duke hezituar t’i thoshte Haxhiut të mos zhvishej, pasi po zhvishej dikush tjetër. Ai e aktivizonte sistematikisht në ndeshje miqësore gjatë përgatitjeve në Korçë e Pogradec, por nuk luajti kundër Spartakut të Plovdidit në Kupën e Kampioneve më 1963, as edhe në Kampionatin e Ushtrive Socialiste në Hanoi, ndonëse kishte bërë fotot, marrë masën e kostumit, numrin e këpucëve, madje kishte bërë edhe vaksinat.

Jashari, Pano, Haxhiu

Luan një ditë para nisjes ndaj Skënderbeut. Nga kupola e partisë së ushtrisë ishte dhënë urdhri i prerë që të mos shkonte ai dhe T. Vaso, duke i sugjeruar të strehoheshin tek të afërm në Tiranë e të mos dukeshin në klub deri sa skuadra të kthehej nga Vietnami. Dy muaj stërvitje në vetmi, pa asnjë trajtim, madje natën e vitit të ri bashkë me Vason e festojnë me një “hallvë e ingranazh”.

Në Lushnjë, shkëmbimi me një agronom…

Duke parë se e ka të vështirë qëndrimin te Partizani, i kërkon Besim Fagut ta transferojnë në ekip rrethesh. Në shkurt 1964 e nisin në Gjirokastër, por e ndalojnë në Lushnjë, në repartin e punës në Dushk, duke e njoftuar se e kishin “shkëmbyer” me një agronom, ndonëse drejtuesit e partisë kërkojnë ta marrin në Vlorë. “Luaj vetëm një miqësore Traktori-Besa, kur një urdhër nga Ministria e Mbrojtjes se do të kaloja sërish te Partizani”, kujton.

Haxhiu (m) duke realizuar një gol me Flamurtarin

Ndërkohë, luan si organizator me Partizanin e sapokthyer nga Hanoi në Kupën e Republikës, realizon gola, kur vjen urdhri tjetër: Transferim në Vlorë, sërish biografia bëhet shkak, madje duke e zbritur nga autobusi i Partizanit që ishte bërë gati për t’u nisur në Gjirokastër. Ndërkohë, aktivizimin e tij me Flamurtarin nuk e lejonte rregullorja e FSHF-së, por në Vlorë shkon për vizitë një delegacion sportiv kinez dhe një “revoltë” e disa tifozëve u bënë shkak që kinezët të pyesin, çka i detyroi drejtuesit që për studentë e ushtarë të lejohej aktivizimi dhe ai rivesh sërish fanellën e Flamurtarit.

Në prill ’64 realizon dy gola në fitoren kundër Tomorit në Vlorë dhe në maj me një gol spektakolar në barazimin 1-1 me 17 Nëntorin e mbyll atë sezon futbollistik. “Vendi i pestë në renditje, por edhe aty nuk vazhdova gjatë, vetëm pesë muaj pasi Partizani më thërret, tashmë për të tretën herë”, rrëfen Mexhiti.

Nën vëzhgimin e Ballukut e Dumes

Shkak për transferimin e tretë të tij, u bë një turne në pranverën e vitit 1964, kur në Tiranë organizohej Kampionati i Korpuseve, ndeshjet e të cilit ishin të vështira, impenjative, pasi në përbërjen e skuadrave ushtarake kishte lojtarët cilësorë që ishin aktivë edhe në klubet kryesore. Haxhiu ishte titullar i “Granitit” të artilerisë të flotës bregdetare, një ndër skuadrat më të mira të turneut. Shënonte gola, ishte protagonist dhe ndeshjet ndiqeshin nga shumë ushtarakë, ndër të cilët edhe nga ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku e shefi i Shtabit, Petrit Dume. Me rastin e festës së ushtrisë, më 10 Korrik 1964, skuadra e garnizonit të Vlorës ku luan edhe Haxhiu mund thellë 6-2 Flamurtarin me katër gola të tij.

Transferimi i tretë

Midis polemikave, preferencave të gjeneralëve për të qenë lojtar i klubit, largimeve dhe afrimeve, pasi e kanë parë në turneun ushtarak, lind ideja që ai të vijë sërish te Partizani. Në prag të sezonit 1964-’65, Flamurtari fiton Kupën e Gazetës “Bashkimi” dhe ndeshjen e parë të kampionatit luan në Korçë ndaj Skënderbeut. Para takimit në hotel, një garnizon ushtarak i kërkon klubit që Haxhiu të mos aktivizohet. Por, drejtuesit vlonjatë, që nuk donin largimin e tij, kanë përdorur dredhinë duke paraqitur një tjetër futbollist te garnizoni me premtimin se nuk do ta aktivizojnë.

Pas kthimit nga Korça dhe kur e kanë parë se ka luajtur, një patrullë ushtarake e ka pritur para shtëpisë, duke i komunikuar se ka thyer urdhrin e ministrit të Mbrojtjes, pasi nuk duhet të luante në Korçë, sepse Partizani e kishte projektuar në formacion kundër FC Këlnit në Kupën e Kampioneve. Ndonëse faji ishte i atyre që e urdhëruan dhe jo i Haxhiut që nuk e dinte asgjë, duke qenë se ishte ende ushtar, ndaj tij u ushtruan sanksione, së pari mosaktivizimin e tij me Flamurtarin, as në stërvitje dhe as leje për të dalë nga reparti. Qëndron në Vlorë deri në dhjetorin e 1964-ës, luan disa takime ndër të cilat një pjesë loje në Durrës ndaj Lokomotivës ku e dërgojnë me një veturë, kur në fund të vitit transferohet për të tretën herë te Partizani, me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, por aktivizimi i vonuar i tij starton në mars të ’65-ës ndaj Vllaznisë.

Me Partizanin luan deri në shtatorin e vitit 1966 dhe ka qenë trajneri i Rexhep Spahiut, që me nuhatjen profesionale e ka vendosur si mesfushor qendre, po kështu edhe në kombëtare, ndonëse me Flamurtarin luante sulmues i majtë i avancuar. Haxhiu ishte një organizator i mirë, kishte intuitën i një sulmuesi, sidomos në goditjet e dënimit, apo ato nga distanca. Te Partizani bashkohet me Jankun, Deliallisin, Ndinin, Merjen, Dingun, F. Jorgaqin, S. Gjikën, M. Gjikën, Frashërin, M. Karriqin, O. Memën, M. Vason, Rragamin, Andonin, Bizin, Zahon, Shehun, E. Gjocin, A, Dizdarin, Sinjarin, Jasharin, Shllakun e në veçanti me Panon.

Në formacion nga anketimi, por edhe i survejuar

Në tetor 1964 shënon gol në një miqësore kundër Algjerisë, pas një asisti të Panos dhe ndonëse i vlerësuar nga trajneri Konçi, nuk e grumbullojnë për ndeshjen e radhës ndaj Holandës në Tiranë dhe asaj në Irlandë. I ardhur në Konvaleshencë për të njoftuar se kush do të udhëtonte drejt Irlandës së Veriut, kur e ka parë se nuk ishte në listë, Haxhiu i ka dalë para veturës së një udhëheqësi duke i kërkuar motivin, por “Të kesh besim te Partia”, ishte përgjigjja e tij.

Ndërkohë, në prag të sfidës ndërkombëtare për kualifikueset e Botërorit “Angli ’66”, gazeta “Sporti Popullor” shpall një anketim lidhur me formacionin e ekipit kombëtar për ndeshjen e 11 prillit ndaj Zvicrës në Tiranë: Janku, Deliallisi, Halili, Frashëri, Mema, Haxhiu, Shllaku, Vorfi, Bushati, Pano e Xhaçka janë ata që luajnë në “Qemal Stafa”. Aktivizohet me ekipin Shpresa në një miqësore në majin e ’65-ës kundër Kubës dhe sërish në formacionin e kombëtares në takimin e paharruar Shqipëri-Irlanda e Veriut, në barazimin historik 1-1 ndaj Xhorxh Bestit.

Shqipëri - I. Veriut: Shllaku, Janku, Halili, Frashëri, Kasmi, Rragami, Zhega, Mema, Rudi, Haxhiu, F. Andoni

Në pranverën e vitit 1966, Partizani është caktuar në Kupën Ballkanike dhe tre takimet e para do t’i zhvillojë në Varna të Bullgarisë me Çerno Moren, ndaj UTAH të Aradit në Rumani dhe me Fenerbahçen në Stambollit. Para nisjes, një takim i Petrit Dumes me lojtarë e drejtues duke i shtrënguar dorën edhe Haxhiut për t’i treguar se edhe ai do të udhëtonte me skuadrën. Por, sigurimi kishte ngarkuar një nga futbollistët, madje shokun e tij të ngushtë që ta vëzhgonte, i cili, sapo mbërritën në Varna, i vrarë nga ndërgjegjja, iu shfaq duke e këshilluar: “Më kanë porositur të ruaj ty, mos flit për asgjë!”.

Trajektorja banane, gola dhe emocione…

Goditjen e tij e kanë quajtur “gjuajtje leopard”, “ultrapotente”, ndërsa atë mbi mur “trajektorja banane”, pasi të tillë e ka pasur. Ka shumë gola të realizuar në karrierë në betejën për golashënues me Panon, Pilikën, Zhegën, Jasharin, Bushatin, Çeçon, Hykën, Përnaskën, Bizin, Kallucin etj. Kujton se golin e fundit me Partizanin e ka shënuar në miqësore ndaj Dinamos, me kokë nga 16 metra në shtator të ’66-ës.

Pastaj pesë penalltitë realizuar në Spartakiadën Kombëtare ndaj Vllaznisë, por rekordin nga pika e bardhë e ka kur nga 12 penalltitë e goditura ndaj Besëlidhjes për Kupën e Republikës luajtur në Vlorë më 1970, humbi 2 dhe u kualifikuan miqtë që realizuan një më shumë. Pastaj takimi në Shkodër, më 15 tetor 1972: Ka barazuar në 1-1 pas avantazhit shkodran, të cilët e thellojnë rezultatin në 3-1 kur mbyllen 45 minutat e para. Pastaj 4-1 dhe 5-1, aq sa në stadium nuk kishin numra për tabelën e golave, nëse do të ishte një goleadë. Por një gol i Haxhiut dhe një tjetër i Spiro Çurit me asist të Haxhiut ngushtojnë në 5- 3.

Flamurtari, shkurt 1972, para takimit me AS Tërgu Muresh, lart nga e majta: A. Sulo, C.Ahmeti, B. Nelaj, K. Çela, M. Zeqiri, K. Shakaj. Ulur majtas: S. Curi, Sh. Zile, M. Haxhiu, J. Saraçi, B. Xhaferri

Janë minutat e fundit, kur Haxhiu ka goditur befasishëm nga një distancë e largët gati 40 metra dhe gol në portën nga qyteti. Ka ankth në minutat e mbetura dhe përfundimisht 5-4 për Vllazninë, ku nuk mungojnë duartrokitjet e tifozëve shkodranë për mjeshtrin vlonjat. Por në Shkodër e ka edhe golin në majin e ’76-ës nga të fundit në karrierë. Pastaj në kampionat kujton atë kundër 17 Nëntorit: Partizani fiton 2-0 me gola të Haxhiut që realizon fluturimthi dhe një tjetër të Panos.

Ditën kur u “shemb” stadiumi

Sezoni 1965-1966 do të startojë me trajner Spahiun në vend të Boriçit. Janë takime miqësore dhe pas një humbjeje në Kavajë 0-3 me Besën, të nervozuar nga disfata, drejtuesit e lartë të Dikasterit të Mbrojtjes urdhëruan dërgimin në repartin e punë në kodrat e Kasharit për të hapur tunele disa futbollistë si dënim, ndër të cilët Haxhiun, T. Vason, R. Rragamin, Karriqin, Qoljen. Vetëm një javë punë për t’u rikthyer të lodhur në klub dhe rifilluar stërvitjen.

E fillon sezonin me gol ndaj Dinamos në miqësore, që vijon me të njëjtin rezultat 1-0 ndaj Lokomotivës sërish me Haxhiun shënues. Në “Qemal Stafa” do të luhet Partizani-17 Nëntori, është takimi që njihet si “shembja” e stadiumit “Partizani” kryeson me 12 pikë të plota në 6 ndeshje, ndërsa tiranasit kanë 10. Në një atmosferë të pajetuar më parë, Qolja realizon në minutën e 7-të nga porta e qytetit duke befasuar të gjithë.

Me fillimin e pjesës së dytë është dëgjuar një ulërimë tronditëse e madhe: “Asgjë nuk kuptuam çfarë kishte ndodhur, – kujton Haxhiu, – kur tifozët shpërthyen rrethimin e brendshëm dhe u hodhën në fushën e lojës dhe loja ndaloi. Pastaj u informuam se ishin shembur portativet e tribunës përballë që për fat nuk shkaktuan viktima. Loja rifilloi pas 20 minutash dhe me Jankun heroin e takimit, Partizani fitoi 1-0”.

Nga UVIL ZAJMI

* Speciale e shkruar për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi në print ose online.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura