Meta ‘shkrin’ LSI-në e Pogradecit pas humbjes së bashkisë. Ndryshimet në qeveri i vendos Rama

Jul 4, 2015 | 10:34
SHPËRNDAJE

Kreu i LSI-së, Ilir Meta gjatë mbledhjes së parë të Kryesisë pas zgjedhjeve ka njoftuar riorganizimin total të strukturave të partisë në Pogradec, që sipas tij sollën një zhgënjim të madh me rezultatin e zgjedhjeve atje, me humbjen e Diana Miles. 

Meta gjate fjales ne mbledhjen e kryesise

Meta vlerësoi shumë pozitivisht rezultatin në këto zgjedhje, ku 260 mijë shqiptarë sipas tij votuan LSI, ku në 11 bashku u konfirmuan si forcë e parë dhe në shumë të tjera forcë e tyre, por ka pranuar se që nga e sotmja do të nisin analizat duke parë nga vetja. 

“Ne analizat i fillojmë nga vetja se nuk kemi frikë të shohim mangësitë tona. Për Pogradecin do nisim nga e para riorganizimin e gjithë LSI-së së Pogradecit. Atje është përgjegjësia e shumë faktorëve, do e kërkojmë nga strukturat tona atje që na sollën një zhgënjim të madh, jo në raport me ne, por qytetarët e Pogradecit, kështu që në fillim të javës do të nisim procesin e analizave me komitet të ri organizator për LSI e Pogradecit”- tha Meta.

Ai nuk na pa thumbur opozitën, që i quajti këto zgjedhje referendum. “Ne kishim thënë se zgjedhjet nuk i shihnim si politike dhe i qëndrojmë kësaj, të tjerët i vlerësuan si referendum dhe u gëzuan për fitoren që arritën për të cilën ne u urojmë suksese. Këto zgjedhje ishin progres i jashtëzakonshëm i LSI në nivel kombëtar, ka arritur të më shumë se dyfishojë votat në krahasim me 2011”- tha ai. 

Meta ka theksuar me tej se LSI ka nevojë të hapet dhe “elektorati i ri ka nevojë për përfaqësim më të gjerë e të metituar në gjithë strukturat e LSI “.

Do ketë ndryshime në Qeveri?

Ndryshime në strukturat e LSI do ketë sepse do reflektohen edhe rezultatet. Sa i takon qeverisë kjo është një pyetje që i takon në radhë të parë kryeministrit. Për ne është e rëndësishme që qeveria të jetë e fokusuar në realizimin e objektivave të saj dhe përveç tyre të ndjekë me vëmendje krizën financiare në Greqi. Besoj se kjo është një çështje që nuk ka asnjë arsye për tu nxituar.

Në analizën tuaj kë do korrigjonit urgjentisht?

Ne do reflektojmë në strukturat tona përfaqësimin e këtij elektorati të ri. Do vazhdojmë të jemi një forcë politike që fuqinë e saj e ka te normaliteti, te realizimi, te dëgjimi i qytetarit jo thjesht muajin e zgjedhjeve.

Cili është komenti juaj për KQZ që rrëzoi Vorën?

Ne i respektojmë vendimet e institucioneve edhe kur ato nuk na pëlqejnë. Është një fakt i njohur kudo tani, është fenomeni i importimit të votuesve fiktivë. Është një fenomen i ndyrë. Tashmë është e qartë se mbi 600 votues fiktivë janë importuar në mënyrë të paligjshme, duke abuzuar me ambiguitetin e Kodit zgjedhor. Aty del shumë qartë se diferenca mes dy kandidatëve është shumë më e vogël sesa numri i votuesve që nuk jetojnë në Vorë. Ky fenomen ka ndodhur edhe para 4 dhe 8 vitesh. Moralisht dhe politikisht kjo është e papranueshme. Ligjërisht LSI mund ta ndjekë këtë çështje në Kolegjin Zgjedhor, por na do ta vlerësojmë sepse në radhë të parë kemi të bëjmë me një mangësi të madhe të vetë Kodit Zgjedhor. Jam i bindur që shumë shpejt do jemi forcë e parë politike në Vorë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura