Meta: Kreu i SHISH, në lojëra politike

Dec 30, 2011 | 11:54
SHPËRNDAJE

Kreu i LSI, Ilir Meta

Kreu i LSI-së akuzoi kreun e SHISH-it dhe Prokurorinë se po i shërbejnë politikës.

“Videoja, Prokuroria e Përgjithshme mashtroi Kuvendin”

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, tha se kreu i SHISH-it është përfshirë në lojëra politike. Meta, në një intervistë dhënë për drejtorin e Informacionit në “UTV”, Çim Peka, deklaroi se LSI ka dhënë një kontribut shumë të suksesshëm për integrimin dhe qeverisjen e vendit.  I pyetur nëse LSI do të kushtëzonte aleancën me PD për një kandidaturë të saj për President, Meta tha se nuk ka vënë ndonjëherë kushte në bashkëpunim. “Mendoj se LSI nuk është dalluar për kushtëzime jo të principta. Ka disa gjëra ku ka kushte dhe ne e kemi treguar qartë se u qëndrojmë këtyre çështjeve, siç është çështja e integrimit. Ka pasur çështje për të cilat ne kemi mbajtur qëndrim të ndryshëm, siç ishte çështja e heqjes së drejtorit aktual të SHISH-it, për të cilin absolutisht PD ka pasur të drejtë, pasi është i përfshirë në lojëra politike, por që duhej një proces më i maturuar nga ana institucionale. Këto qëndrime i kemi mbajtur sepse mendojmë se disa interesa të caktuara, që kanë të bëjnë me integrimin, nuk duhen dëmtuar. Nga ana tjetër, ekziston përgjegjshmëria për të bërë një zgjidhje sa më të mirë, në mënyrë që ky problem të zgjidhet sipas Kushtetutës”, u shpreh Meta. Sipas tij, në lojëra politike është përfshirë dhe institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme, veçanërisht sa i takon videopërgjimit. “Problemi i madh është implikimi total i Prokurorisë së Përgjithshme në këtë çështje, e cila në mënyrë të qëllimshme jo vetëm ka manipuluar procesin, jo vetëm ka mashtruar Parlamentin, sikurse ka rezultuar edhe nga procesi gjyqësor, jo vetëm është përpjekur ta zvarritë në mënyrë të qëllimshme këtë proces vetëm për arsye politike, por njëkohësisht Prokuroria e Përgjithshme ka shkelur dhe vazhdon të shkelë çdo ditë në mënyrë të hapur ligjin, jo thjesht duke u bërë pjesë e një loje politike, por edhe shumë më tepër sesa kaq”, u shpreh Meta. Për kreun e LSI-së kjo parti do të vazhdojë të rritet dhe të jetë një forcë e tretë politike në zgjedhjet e ardhshme. “Edhe pas shtatë viteve nga themelimi i saj, LSI tregoi qartë se nuk ka asnjë forcë, as në tokë e as në qiell, ta sulmojë atë. Por ne nuk jemi këtu për të bërë sfida ndaj të tjerëve. Absolutisht ju konfirmoj që viti 2012 do të ketë si piedestal 100-vjetorin e pavarësisë dhe gjërat e tjera do të jenë tërësish kalimtare”, u shpreh kreu i LSI-së.

21 janari
Meta tha se në 21 janar jo të gjitha institucionet funksionuan. “Segmente të caktuara të shtetit, jo vetëm që nuk kanë funksionuar, por kanë funksionuar në drejtim të kundërt. ka një përgjegjësi edhe policia, pasi kur e merr vesh një strukturë politike se çfarë do të ndodhë dhe të mos e marrë vesh një institucion i sigurisë kombëtare, kjo është e patolerueshme që ata elementë që sulmuan policinë atë ditë nuk duhet të kishin hyrë fare në Tiranë. Ai tension i imponuar për orë të tëra synonte një produkt, për fat të keq me pasoja për jetën e  qytetarëve, sepse një protestë zhvillohet dhe secili më pas vazhdon punën e tij”, u shpreh Meta.

Meta: Afrimi me LSI, vendim i Islamit
I pyetur rreth mundësisë së afrimit të deputetit të çregjistruar nga Grupi Parlamentar socialist, Kastriot Islami, Meta e konsideroi këtë një çështje që i takon vetë Islamit për ta vendosur. “Aderimi në LSI nuk bëhet nga kryetari apo nga Kryesia e LSI-së. Aderimi është individual. Zoti Islami është një politikan me shumë kontribute në politikën shqiptare dhe fakti që është kaq prezent, kaq i kërkuar nga media, tregon që ka një audiencë tepër të gjerë, dhe kjo nuk do të ndodhte.”, u shpreh Meta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura