Mësuesit me Covid nuk zëvendësohen, penalizohen nxënësit. Ministria nuk ka fond për të rekrutuar provizorisht arsimtarë

Jan 18, 2022 | 14:30
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA/ Varianti i ri i Covid19, si kudo tjetër, është shtrirë gjerësisht edhe në shkolla, duke infektuar mësues e nxënës.

mesuese

Por, nëse mungesa e këtyre të fundit reflekton të nxënit e tij për një periudhë dyjavore, mungesa e mësuesit nënkupton automatikisht edhe atë të nxënësve. Mësuesit po infektohen dhe nuk merren masa për t’i zëvendësuar.

Kjo ka vënë në alarm prindërit, që përveç vakumit të dijeve të fëmijëve, detyrohen të gjejnë dikë të besuar ose të lënë punën për t’i mbajtur fëmijët në shtëpi.

Një shqetësim të tillë e ka artikuluar edhe Sindikata e Pavarur e Arsimit Shqiptar, e cila pritet ta adresojë këtë problematikë në mbledhjen e nesërmen të Këshillit Kombëtar të Arsimit. Vitin e kaluar një mijë mësues shtesë u vunë në dispozicion për të mbushur boshllëqet e krijuara në shkolla si pasojë e pandemisë.

Madje, nevoja ishte aq e ngutshme, sa në momentin që krijohej një vend vakant provizor, email-i për punësimin vitin e kaluar (2020-2021) iu nisej jo një, por disa mësuesve përnjëherësh.

Ndryshe nga tani, vitin e kaluar mësimi zhvillohej me turne. Nga qindra-mijëra mësues e nxënës në sistemin parauniversitar, një përqindje e konsiderueshme e tyre nuk janë paraqitur në shkollë.

Në radhët e arsimtarëve bëhet fjalë për më shumë se 1500 të tillë. Sipas të dhënave të siguruara në rrugë zyrtare, java që kaloi u mbyll me 5.03 për qind mungesa nga totali i mësuesve, mbi 30 mijë. Por jo të gjitha lidhen me Covid-19.

Përqindja e të infektuarve me variantet e koronavirusit është më pak se 2, konkretisht 1.94%. Përqindja e mungesave është e përafërt nga ana e nxënësve, por ato për shkak të Covid-19 janë thuajse të papërfillshme në raport me totalin prej gati 480 mijë nxënësish në 9-vjeçare e gjimnaze.

Nga gati 5% mungesa, vetëm 0.17% e tyre lidhet me koronavirusin, sipas shifrave të Ministrisë së Arsimit. Përveç shifrave, MAS nuk ka një përgjigje se si procedohet në këto raste. Drejtoritë e shkollave raportojnë në zyrën arsimore mungesën, por nuk rekrutojnë dot mësues pa pasur një fond pagesash.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura