Mësuesi që rrihte nxënësit, flasin dy djemtë: Si e futën në kurth babanë

Mar 13, 2016 | 8:49
SHPËRNDAJE

Dy djemtë e Agim Muçës, Sokol e Alket Muça, emigrantë në Itali, kanë mbërritur dje pranë familjes, në fshatin Orzhanovë të Ostrenit, për të qenë në krah të nënës së tyre dhe për të ndjekur vlerësimin e masës së sigurisë të babait në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Dibër.

Vellezerit Muca
Dy djemte e mesuesit

“Jemi familje e nderuar dhe jemi befasuar për atë çfarë i ndodhi babait tonë. Babi dhe nëna jonë kanë më- suar disa breza fëmijësh në krahinë. Babai prej 40 vitesh ka ushtruar profesionin e arsimtarit dhe nuk është njohur kurrë si njeri i dhunshëm”, tha për “Panoramën” Alket Muça. Sipas tij, janë dy-tre banorë të fshatit që sajuan akuzën e dhunimit të nxënësve. Sipas tyre, Agimi ka pasur marrëdhënie mjaft të mira e korrekte me nxënësit.

“Në katër dekada pune, thotë Alket Muça, babai nuk është qortuar një herë. Ai dhe mami kanë qenë edukatorët më të mirë të krahinës së Gollobordës. Prej muajsh jemi njoftuar se babait do t’i ngrenë kurth për ta larguar nga puna, por ne nuk ia thamë, për të mos e shqetë- suar.

Në muajin shtator të vitit 2015, një miku im më ka thënë se ndaj babait do të ngrihen akuza e kurthe për ta larguar nga puna”, vijoi rrëfimin e tij djali i Agim Muçës. Ai nënvizoi se familja e tyre nuk ka pasur konflikte në fshat me askënd. “Ne, tha Muça, kemi pasur dhe kemi marrëdhënie shumë korrekte me të gjithë banorët e fshatit. Nëna ime doli në pension si mësuese e nderuar.

As konflikte pronësie nuk kemi pas me askënd. Qëllimi i akuzave të ngritura ka të bëjë me largimin e babait nga puna dhe zëvendësimi me dikë tjetër”. Sakaq, djali tjetër, Sokol Muça, përsërit herë pas here shprehjen se: “nëse babai ynë vërtet ka dhunuar nxënësit e fshatit, ne e dënojmë aktin e tij”.

Duke dashur të kundërshtojë deklarimet e banorëve të fshatit Orzhanovë, nxënësve dhe prindërve, Sokol Muça shprehet se vajza 13-vjeçare që është parë në ekranet e televizioneve kombëtare e lokale nuk është nxënëse e shkollës së ciklit të ulët Orzhanovë, por mëson në shkollën 9- vjeçare Ostren.

“E takuam vajzën që gënjeu në të gjitha televizionet dhe e pyetëm përse e bëri këtë gjë, përse mashtroi se ishte dhunuar nga babai ynë”, thotë Sokol Muça. Sipas tij, vajza e mitur është nxitur nga prindërit për të thënë të pavërteta në media, madje i ka pohuar atij se: “Mësues Agimi nuk më ka rrahur”.

Ai shton se ka grumbulluar prova e fakte dhe ia ka vënë në dispozicion avokatit të babait. “Kam vajtur në Qendrën Shëndetësore Ostren, në Spitalin e Bulqizës dhe kam marrë gjithë dokumentacionin që ato kanë. Na rezulton se askush nuk ka marrë mjekim apo ka pësuar dëmtime fizike nga Agim Muça”, thekson djali i dytë i familjes Muça. Ai shprehet se është vetë baba i katër fëmijëve dhe nuk e toleron të atin, nëse ai ka dhunuar fëmijët e fshatit.

“Nëse babai ynë ka dhunuar 12 nxënësit e shkollës fillore të Orzhanovës, ne e dënojmë veprimin e tij, por jemi të sigurt se e gjitha është një sajesë dhe kurth për ta larguar nga puna para daljes në pension”, tha Sokol Muça.

Dy djemtë e Agim Muçës janë të mendimit se ekstremistë të djathtë të zonës janë regjisorët e këtij “kurthi”, pasi mësuesi njihej në krahinë se kishte bindje të majta. Sokol e Alket Muça do të ndjekin sot seancën gjyqësore për masën e sigurisë të prindit të tyre. Madje, ata thonë se do të japin më shumë prova e fakte për mediat se gjithçka është e sajuar nga dy-tre bashkëfshatarë të tyre.

HASAN PASHA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura