‘Mësuesi përdhunues’, nxënësit: Mbyllej në klasë me 11-vjeçaren, rrinin në klasë për të korrigjuar provimet

Jun 5, 2015 | 12:06
SHPËRNDAJE

Në shkollën 9-vjeçare të fshatit Kryekuq të Divjakës, nxënësit kishin temë të ditës arrestimin e mësuesit më të vjetër të shkollës së tyre. Ndonëse të mitur, ata treguan dje se kanë vërejtur gjatë muajve të fundit se mësuesi Demir Hoxha qëndronte i vetëm në klasë me nxënësen 11-vjeçare A.K.

Fotografi e postuar ne profilin ne Facebook te Demir Hoxha

“Mësuesi qëndronte në pushim të gjatë ose në orët e fizkulturës në klasë, duke u thënë nxënësve se do të korrigjonte provimet apo diktimet dhe i kërkonte A.-së që të qëndronte me të e ta ndihmonte, pasi ajo është nxënësja më e mirë e klasës”, tregojnë ata.

Sipas nxënësve të klasave të pesta e të gjashta, pavarësisht se mësuesi i moshës 62-vjeçare qëndronte i vetëm në klasë me 11- vjeçaren në klasë, askush nuk kishte dyshuar se mund të ndodhte një gjë e keqe. Ata janë shprehur se mendonin se ai thjesht korrigjonte provimet dhe se nuk kishin menduar që mund t’i bënte gjë të keqe shoqes së tyre.

Nga ana tjetër, banorë të zonës dhe disa shitës ambulantë që shesin pranë oborrit të shkollës, janë shprehur se Demiri vinte shpejt në mëngjes, duke pretenduar se punonte me ditarin. Edhe pse nga jashtë shkollës ata kanë pikasur faktin se Hoxha qëndronte i veçuar nga mësuesit e tjerë, duke mos iu bashkuar aktiviteteve jashtëshkollore që ata zhvillonin.

Madje, mësohet se ai nuk kishte marrë pjesë në mbrëmjen e fundvitit të organizuar nga mësuesit e kësaj shkolle, mesditën e të martës së kësaj jave, duke u thënë se kishte disa punë në shtëpi për të kryer.

Por, pavarësisht asaj që dyshohet se ka ndodhur në shkollën e fshatit Kryekuq të Divjakës, si banorët e zonës, mësuesit dhe nxënësit janë të shokuar, pasi nuk besojnë që 62-vjeçari Demir Hoxha të kryente veprime të tilla.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura