Mësimi nga mençuria e gjyqtarit Learned Hand

Sep 16, 2021 | 9:18
SHPËRNDAJE

irena  beqiraj

IRENA BEQIRAJ

Po jetojmë një periudhë të çmendur “skepticizmi” ndaj Amerikës. Mesazhet e shumë zyrtarëve të saj duken butaforike. Por historia na tregon që përtej prodhimit të diplomatëve ekzuberant, që më shumë se artin e diplomacisë ushtrojnë artin e fotografisë, ka qenë ky popull, elitat intelektuale të të cilit kanë frymëzuar dhe nxitur ndryshimin. Ato kanë treguar pa ekuivok se cila është demokracia dhe liria që njerëzit duhet të synojnë duke emetuar mençuri, mendim të qartë, të përcjellë thjesht.

Popullit tim, sot më shumë se çdo mesazh “i koduar” i lëshuar nga zyrat e administratës amerikane, do ta ndihmonte mençuria e Learned Hand. Ai është në listën e shkurtër të gjyqtarëve më të mëdhenj amerikanë që nuk arritën kurrë në Gjykatën Supreme të SHBA. Në 1944, gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai mbajti një fjalim mbi “Shpirtin e Lirisë” para një turme të madhe në Central Park në New York City.

“Çfarë nënkuptojmë kur themi se para së gjithash kërkojmë liri? Nëse i mbështesim shpresat tona më së shumti mbi kushtetutat, ligjet dhe gjykatat, këto janë shpresa të rreme; më besoni, këto janë shpresa të rreme. Liria qëndron në zemrat e burrave dhe grave. Kur ajo vdes atje, asnjë Kushtetutë, asnjë ligj, asnjë Gjykatë nuk mund ta shpëtojë atë; asnjë Kushtetutë, asnjë ligj, asnjë Gjykatë nuk mund ta ndihmoje atë. Nëse liria qëndron në zemrat e njerëzve, nuk ka nevojë për Kushtetutë, ligj, Gjykatë për ta shpëtuar”.

Dhe cila është kjo liri që duhet të qëndrojë në zemrat e burrave dhe grave tona? Nuk është vullnet i pamëshirshëm, i shfrenuar; nuk është liri të bësh si të duash, ky është mohimi i lirisë dhe çon drejt përmbysjes së saj. Një shoqëri, në të cilën disa njerëz nuk njohin asnjë kontroll mbi lirinë e tyre, së shpejti bëhet një shoqëri ku liria është pronë vetëm e më të fortit, siç edhe kemi provuar fatkeqësisht.

Çfarë është atëherë fryma e lirisë? Atë unë nuk mund ta përcaktoj, por unë mund t’ju them vetëm besimin tim. Fryma e lirisë është fryma që kërkon të kuptojmë mendjet e njerëzve të tjerë; fryma e lirisë është fryma e cila të lejon të peshosh interesat e tyre krahas interesave të tua pa paragjykime; fryma e lirisë na kujton se asnjë harabel nuk duhet të bjerë në tokë pa u vënë re; fryma e lirisë është fryma e atij që, afro 2.000 vjet më parë, i dha njerëzimit atë mësim që njerëzimi nuk e mësoi kurrë, megjithëse nuk ishte në gjendje as ta harronte- më i dobëti duhet të dëgjohet dhe konsiderohet njësoj si i fuqishmi.

Është e dukshme që kjo liri edhe sot më shumë sesa një realitet i arritur është një ideal. Por çdokush nga ne e kupton skllavërimin mendor dhe shoqëror, në të cilën kombi ynë operon, në mungesë totale të frymës së lirisë që përshkuan Hand.

Ne duhet të mësojmë nga amerikanët frymën e lirisë, duke filluar me mbylljen e çdo dritareje, nga e cila vjen dëmi, pavarësisht sa e bukur duket pamja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura