Mesazhet e pa(koduara) të DASH

Sep 11, 2020 | 9:19
SHPËRNDAJE

PROF. DR. BAJRAM HYSA BAJRAM-HYSA

Ndërkohë që Kryeministri Rama proklamoi për 800 mijë vota në zgjedhjet e 25 prillit, duke u përpjekur të pështjellojë përsëri mjediset intelektuale dhe pushtuar sheshet, Departamenti Amerikan i Shtetit, në raportin e sapopublikuar, fshikullon ashpër karvanin e tij, me nëntekstin se në Shqipëri duhet një revolucion i vërtetë strukturor për të shmangur ngecjen e sistemit të tregut dhe funksionimin e demokracisë. Amerikanët po flasin me gjuhën e së vërtetës që Shqipëria të rendë pas zgjidhjeve origjinale dhe jo demagogjive të një pushteti privat autoritarist, që nuk i merr vendimet në emër të shoqërisë.

Mosfunksionim i rregullave të ekonomisë së tregut.

Sipas mesazheve të DASH, me korrupsionin endemik, mungesën e dëshirës për investime të huaja, mungesën e transparencës në prokurimet publike dhe tendera, rritjen e pakontrolluar të PPP-ve dhe problemet e pazgjidhura të pronësisë, janë shkatërruar rregullat e tregut dhe kontratat publike janë bërë shumë të vështira për t’u zbatuar. Investitorët amerikanë, thotë raporti, sfidohen nga korrupsioni dhe vazhdimi i praktikave informale të biznesit. Në Raportin e DASH sillet në vëmendje “Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit” sipas “Transparency International 2019”, që e renditi Shqipërinë në vendin e 106-të ndër 180 vende, një rënie prej shtatë vendesh nga 2018. Si pasojë, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut tani perceptohen si vendet më të korruptuara në Ballkanin Perëndimor. Shqipëria ra gjithashtu 19 pika në studimin e Bankës Botërore “Doing Business 2020”, duke u renditur e 82-ta nga 63-ta në 2019.

KORRUPSIONI DHE UNIVERSITETET

Këtij raporti, nga më të ashprit deri më sot, do t’i shtoja edhe korrupsionin dhe aferat politike në dëm të universitetit, farsën e zgjedhjeve të fundit në universitete, për vetë rolin shoqëror me peshë që kanë institucionet e arsimit të lartë në dobi të zhvillimit njerëzor afatgjatë. Universitet, me ndërhyrjet absurde qeveritare, duket se nuk janë më të prirura drejt rolit shoqëror që kanë, për t’u lidhur me botën e punës, me ndërmarrjet dhe shërbimet shoqërore, për t’u ofruar qeverive të dhëna shkencore themelore, për të cilat ato kanë shumë nevojë, sidomos kur u duhet të marrin vendime për probleme me rëndësi jetike.

Sot gjendemi në kushtet kur universitetet e kanë zbehur mjaft autonominë e tyre, duke rënë pre e klientelave dhe konjukturave partiake e qeveritare. A keni dëgjuar vitet e fundit që ndonjë nga universitetet tona të organizojë apo të nxisë debate të thelluara mbi problemet e mëdha kombëtare të së tashmes apo të së ardhmes? Universitet në gjithë botën demokratike luajnë rolin e lojtarit të të proceseve demokratike dhe atyre të tregut, pasi ato shfrytëzojnë autoritetin e tyre moral për t’i shpallur dhe pohuar të vërtetat me objektivitet të patundur, përballë qeveritarëve që marrin vendime. Universitet kanë një mision të lartë parësor, edukimin në kushtet e demokracisë, që demokracia dhe tregu të sjellin zgjidhje të drejta e afatgjata, që vetë qytetarët të marrin nisma kundër korrupsionit, ta ndëshkojnë atë jo vetëm me votë, por edhe forma të tjera civile. Ata janë ndërgjegjja kritike e shoqërisë, para të cilëve duhet të stepet çdo qeveri e korruptuar, ndaj duhet të përpiqen të mos e humbasin rolin e tyre në marrjen e vendimeve, në denoncimin e paligjshmërive dhe devijimeve, atje ku trajtimi politik tregon ngërçin dhe kufizimin e të drejtave të njerëzve për të marrë pjesë në jetën demokratike. Pra, universitetet tona duhet të udhëhiqen nga një ide e qartë mbi atë çka përfaqësojnë dhe jo të merren peng nga qeveria. Kush më mirë se universitetet mund ta analizojnë fenomenin e korrupsionit dhe mungesës së transparencës e konkurrueshmërisë, këtë problem tepër të ndërlikuar që po e çon vendin 30 vjet prapa? Bazuar në debate e këndvështrime të ndryshme, universitetet mund të parashtrojnë zgjidhje afatgjata, të cilat të jenë të vlefshme në shkallë lokale e kombëtare për sensibilizimet qytetare. Bashkësia universitare përfaqëson një forcë të madhe, të aftë të ushtrojë ndikim në rrjedhën e evolucioneve të tashme e të ardhme. Qeverisja aktuale kërkon terr informativ dhe nuk ofron mundësi të shumta komunikimi me qytetarët. Por kjo nuk do të thotë që universitetet të mbyllen e gozhdohen në hapësirat e ngushta “institucionale”, ku gardianë dhe tutorë të tyre janë militantë partiakë e puthadorë të neveritshëm. Ata duhet të përpiqen të ngrihen për të rifituar këtë kredibilitet shoqëror, të mbytur nga kredibiliteti klientelist qeveritar, nga zullumet e korrupsionit dhe pandershmërisë.

SISTEM I KALBUR INSTITUCIONAL

Raporti i DASH na kujton se tani gjendemi në një stad tjetër historik, ku nuk nevojitet thjesht luftë verbale kundër korrupsionit, por nevojiten urgjent rregullime të shumta të natyrës strukturore, për t’iu përshtatur kërkesave reale kombëtare. Dhe këto ndryshime pa dyshim vijnë vetëm më zgjedhje të lira e të ndershme, me alternativa konkrete si ato që promovon me forcë e besim PD dhe opozita, të cilat respektojnë të drejtat qytetare, tregun e lirë, shenjtërinë e pronës, vullnetin dhe aspiratat qytetare për mirëqenie dhe integrim europian. Vendi po përballet me një krizë shumëdimensionale që bëhet dita – ditës më e rëndë. Pra, është krijuar një rreth i mbyllur. Nga njëra ana mungojnë fondet për investimet direkte dhe hapjen e vendeve të punës, nga ana tjetër fondet për arsimin dhe kërkimin shkencor. Qeveria Rama nuk ka pasur në asnjë rast një strategji zhvillimi, ndonjë plan kombëtar ekonomik apo social-kulturor për t’u bërë ballë sfidave të zhvillimit dhe perspektivës kombëtare. Karvani i tij rilindës ka ecur në një rrugë pa krye.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura