Mes “kapriçios serbe për targa makinash” dhe çështjes kombëtare shqiptare në Kosovë

Nov 23, 2022 | 9:06
SHPËRNDAJE

GJERGJ KRISTO FRASHËRIGJERGJ KRISTO FRASHËRI

Rreth tri javë më parë (27 tetor), teksa dëgjova deklaratën e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, i cili papritur u shfaq i zhgënjyer dhe i shqetësuar prej vendimit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, mbi moszgjatjen e afatit për riregjistrimin e automjeteve dhe kalimin nga targat ilegale KM në ato RKS, më mbërtheu aty-për aty një shije e hidhur. Dozën e kësaj hidhësire ma shtoi edhe më tej qortimi, që zoti Hill i bënte udhëheqësit të Kosovës, se ai paskësh “injoruar” për këtë çështje thirrjet e SHBAve, të BE-së dhe ato nga QUINT-i. (“Amerikanët ‘të shqetësuar dhe të zhgënjyer’ me Albin Kurtin, gazeta “Tema”, 27 tetor 2022). Njëherazi m’u desh ta gëlltisja alergjinë që më dha reagimi i beftë me nota nervoziteti i ambasadorit amerikan, duke vërejtur me keqardhje, se tashmë edhe politikanë të sferës së lartë të SHBA-së qenkan infektuar nga e qara politike me kuje të nivelit ballkanik postbizantin të Serbisë – thua, se ajo do të pushojë së mbijetuari, po qe se nuk do të lejohen të mbahen më tej të ashtuquajturat “targa serbe” brenda Republikës së Kosovës. Këtë nuk e gëlltit kush në Ballkan, madje në gjuhët popullore tona seqëndiset si vallja – “bëje qimen trá”.

Kërkesa që “targat serbe të pranohen dhe të mbijetojnë” pa kufi kohorë brenda Republikës së Kosovës nuk ka aplikim të ngjashëm në praktikat e shteteve evropiane. Duket se pakica me kombësi serbe e shtetasve të Kosovës ëndërrojnë të “dallohen” të tillë nëpër rrugët e Kosovës prej targës serbe të makinës (!). Natyrisht, këtë “privilegj” ata nuk është e mundur ta gëzojnë në vende të tjera, si në USA, Gjermani, Francë, Itali apo gjetkë në botën e qytetëruar? Ajo rezulton të jetë thjesht një ëndërr nacionaliste e njërës palë për të provokuar një konflikt me palën tjetër. Nuk kuptohet deri në fund – është kjo kërkesë një simptomë “madhështie” apo “inferioriteti” e serbëve ndaj shqiptarëve?

Pikërisht kjo kapricio e Beogradit për mbajtjen e “targave serbe” brenda Republikës së Kosovës e ka vënë në dilema meditimi, Qeverinë e SHBA-ve dhe partnerët e saj ndërkombëtare deri aq, sa ta lodhin Qeverinë e Prishtinës duke i kërkuar asaj “të shtyjë me muaj procesin e riregjistrimit të automjeteve me targa serbe”, madje pa lënë të shihet ndonjë “dritë në fund të tunelit”. Të them të drejtën, deri kur dëgjova ultimatumin e ambasadorit amerikan të datës 27 tetor pata menduar, se kjo “çështja e targave serbe” është njëra prej kërkesave të nxjerra nga thesi i sugjerimeve që Aleanca Perëndimore ka thurur për të kurajuar Serbinë, për heqjen dorë së fundmi prej Republikës së Kosovës, përmes dialogut Beograd-Prishtinë nën kujdesin e Brukselit. Por tani pas tri javësh vërej se përkundrejt qëndresës këmbëngulëse të ligjëruar të Prishtinës, autoritetet qeveritare të Beogradit e kanë hallin gjetkë – të radikalizojnë situatën politike për vetë serbët rezidentë në Kosovë, duke i urdhëruar ata të braktisin institucionet e Kosovës së Veriut, si një kërcënim ndaj Perëndimit për destabilizimin e Kosovës.

1. Pse nuk zbatohet ligji i administrimit evropian mbi të drejtën e përdorimit të targave për rastin e Kosovës dhe të Serbisë?

E vërteta është së të dyja palët, Republika e Serbisë dhe ajo e Kosovës, duan të bëhen anëtarë të tavolinës së Evropës së Bashkuar dhe kanë vendosur të respektojnë ligjin evropian mbi të drejtat e nënshtetasve të tyre. Ky është një detyrim ligjor për t’u respektuar dhe jo për t’u kundërshtuar apo për të kërkuar përjashtime apo favorizime administrative ligjore.

Nuk po moralizoj, por po tregoj si shembull, se në fillim të viteve 2000 u pajisa me nënshtetësinë gjermane, duke e mbajtur njëkohësisht edhe nënshtetësinë shqiptare, siç i posedoj të dyja edhe sot. Prej vitit 2009 ngrita paralel një aktivitet pune në R. e Shqipërisë duke sjellë nga Gjermania midis pajisjeve profesionale edhe disa automjete në pronësi timen, prej aktivitetit tim atje. Kundrejt detyrimeve ligjore të parashkruara të ligjit të Shqipërisë, para se të plotësoheshin gjashtë muaj, i lashë të gjitha automjetet të vlerësoheshin, të zhdoganoheshin, të hiqeshin targat gjermane dhe të pajiseshin ato me targa të Republikës së Shqipërisë. Sot, kur ndonjërës prej tyre i duhet të udhëtojë për në Gjermani, Francë apo diku tjetër në vendet e BE-së, ajo ka të drejtë të qëndrojë atje me targat shqiptare deri gjashtë muaj pa u gjobitur. Kështu është edhe e kundërta. Makina me targa gjermane e regjistruar në Gjermani për përdorim permanent atje, kur udhëton ndonjëherë për në Shqipëri ka të drejtë të qëndrojë këtu me targat gjermane pa u gjobitur deri në gjashtë muaj. E njëjta ndodh edhe për miqtë e mi serbë rezidentë në Gjermani, kur ata udhëtojnë në Serbi me makinat e tyre me targa gjermane. Nuk besoj se shteti gjerman apo francez etj. do t’ia plotësonte Serbisë një kërkesë të ngjashme të tillë, siç i kërkon ajo me paudhësi Kosovës. Mos duhet ta kërkojnë për reciprocitet edhe shqiptarët rezidentë në Serbi, të pajisen me targa të R. së Kosovës?

Nuk shihet nuk gjendet arsye, që Perëndimi t’i imponohet politikisht Kosovës për shtyrjen e afatit të zbatimit të këtij rregulli administrativ evropian, apo për mënjanimin e këtij ligji evropian nga programi i Kurtit, apo për krijimin ekstra të një Minirepublike serbe (të ashtuquajtur “asociacion”), për të favorizuar kaq hapur kapriçiot nacionaliste serbe brenda Republikës së Kosovës. Këmbëngulja për plotësimin e kësi “kapriçiosh” të çon vetvetiu në ndezjen e konfliktit Serbi-Kosovë dhe më gjerë. Kësi kapriçiosh me doza nacionaliste mund të bënte njëlloj edhe Kosova për pakicat shqiptare që jetojnë në Serbi. Po atëherë do të dëgjonim menjëherë thirrjen me britma të Beogradit për shovinizëm! Mbetem të përkrah pa mëdyshje konsekuencën, qartësinë dhe përpjekjet e Kryeministrit Albin Kurti dhe të Presidentes Vjosa Osmani të Kosovës, për vendosmërinë bindëse të tyre në mbrojtje të ligjshmërisë evropiane, e cila mbetet rruga e paqes dhe të përparimit të vendit të tyre.

2. Dikujt po i dridhen leqet e këmbëve?

Kuptohet, se reagimi i beftë që shfaqën përfaqësues të politikës së qeverisë së SHBA-së kohët e fundit, duke e “këshilluar” me nervozizëm qeverinë e Kurtit, për të shtyrë afatin për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia dhe t’i konvertojnë ato në targat RKS – Republika e Kosovës, tregon se dikujt po i dridhen leqet e këmbëve. Është e drejta reale e Kosovës për të bërë rezistencë administrativo-ligjore përballë një kapriçioje të tillë të Serbisë. Sado që trumbetat mediatike të Perëndimit po bërtasin në kupë të qiellit, se “Rusia po mundet në Ukrainë”, e vërteta duket ndryshe – se ariu rus nuk ka rënë në gjumin e dimrit, derisa t’i marrë Ukrainës ato vise, për të cilat e ka bindur veten se i takojnë. Këtë nuk po e mbulon dot as propaganda foshnjore britanike mbi “dështimet e përditshme ruse” dhe as raportimet e shoqeve të saj mediatike perëndimore mbi “sukseset” e papara heroike të ushtrisë ukrainase ndaj asaj ruse. Kur nuk ke takat të ndalësh marshimin e Ariut, mbetet më e lehtë të shtypësh të drejtat kombëtare të një fëmijë të leckosur dhe të kafshuar prej shekujsh si Kosova.

Prandaj u derdh papritur me ngut me doza paniku, deklarata e Departamentit amerikan të Shtetit, se Shtetet e Bashkuara ishin të zhgënjyera dhe të shqetësuara, që qeveria e Kosovës refuzoi çështjen e “mbijetesës së targave serbe në Republikën e Kosovës”. Nuk mungoi as breshëria e diplomatëve kalorës të saj, midis të tjerëve edhe ironia herëpashere e lodhur e zotit Richard Grenell, se “rusët duhet të jenë shumë të kënaqur me Kurtin me këtë refuzim” (“Tema”, 29 tetor 2022); apo ligjërata groteske e të dërguarit special të ShBA-ve zotit Gabriel Escobar, i cili gjatë vizitës së tij të fundit në Prishtinë i kërkoi Qeverisë së Kosovës, shtyrjen e vendimit për targat për një periudhë 10-mujore (!) etj. Jemi përpara pyetjes, pse Kosova duhet të humbasë besimin te ligji evropian mbi “çështjen e targave” apo të “Listës serbe” dhe të përkulet prej “këshillimeve” të reja të politikanëve të veçantë të Departamentit Amerikan; që të shfajësohen këta të fundit dhe t’ia lënë fajin Kosovës – kur nesër Moska pasi të ketë mbaruar punë në Ukrainë të hedhë sytë nga Kosova? Kujt i trembet ShBA-ja, Serbisë, që po kërcënon sikur miu të kishte kapur NATO-n prej veshi? Apo i frikësohet Rusisë, e cila e njeh për bukuri mirënjohjen e thellë historike të Kosovës dhe Shqipërisë ndaj ShBA-ve dhe NATO-s?

3. SERBIA – NJË RUSI NË MINIATURË?

Kur dëgjon ministrin serb të Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, duke përkrahur dorëheqjen e serbeve nga institucionet e Kosovës (Lista Serbe), kupton se Serbia provokon sherr për destabilizimin e Ballkanit, ndoshta edhe luftë me shpresë se do të tërheqë Kosovën me forcë brenda Serbisë. Kjo energji vjen nga mbështetja që ajo i bën marshimit rus në Ukrainë. Duket i njëjti skenar, por kësaj radhe duke përdorur Kosovën si shkrepëse të Ballkanit. Vuçiç, si komandant i përgjithshëm i ushtrisë, ka lëshuar ndërkohë urdhër që Forcat e Armatosura të Serbisë, të vihen në gatishmëri (Vuçiç urdhëron ushtrinë serbe të vihet në gatishmëri. “Nuk duam luftë, por Perëndimi të ndalojë Kurtin”, gazeta “Dita”, 1 nëntor, 2022). Interesant të konstatosh alergjinë që e kap Serbinë, sa herë Kosova e provokuar nga kapriçiot serbe me “lista apo targa”, i jepet rasti të ligjërojë mbi respektimin e ligjeve dhe të kushtetutës evropiane të saj. Në këtë pikë doja të theksoja, se çmoj rezistencën e Kryeministrit dhe të Presidentes së Kosovës, që mbështeten në ligjshmërinë evropiane ndaj provokimeve serbe të nivelit mesjetar ballkanik. Jam kundër qëndrimeve “diplomatike” perëndimore që detyrojnë Kosovën për “shtyrje afatesh”, që të zbuten kaprioçiot e Serbisë. Gjendemi tashmë në metrat e fundit të finales së shtetit të Kosovës – kësaj vepre historike dhe dhuratë e paharrueshme e ShBAve dhe NATO-s, së cilës NÉ shqiptarët e Republikave të Kosovës, të Shqipërisë, të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe të Çamërisë i kemi mbetur ende borxh.

4. Por çfarë duhet të bëjmë ne shqiptarët e viseve ballkanike për të mbrojtur Kosovën?

Të mbështesim forcat përparimtare të saj, Kryeministrin Albin, Presidenten Vjosë dhe Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Konjufca, në përpjekjet e tyre për të investuar me intensitet në rritjen e kapaciteteve ushtarake mbrojtëse të vendit. Kurti me të drejtë, nuk ka ndërmend të impresionohet nga dredhitë dhe presionet e Serbisë, duke vendosur të respektojë ligjin evropian, domethënë as shtyrje afatesh për konvertimin e targave dhe as kapitullimin ndaj provokimit të “Listës Serbe”. Në parim vendimi i tij mirëkuptohet, qoftë nga specialistët e BE-së, po ashtu edhe nga ata të SHBA-së, sepse ai është në përputhje me marrëveshjet në Bruksel. Kurti i mori seriozisht sugjerimet e aleatëve ndërkombëtarë lidhur edhe me shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat, por ndërkohë është përgjigjur, se kjo nuk është një çështje për të shtyrë afatet, por një rregull administrativ ligjor për t’u zbatuar. Shtyrja apo anulimi i tij nuk sjell asgjë, as për Kosovën, as për Serbinë dhe as për Perëndimin (“Targat ilegale serbe, BE fton në Bruksel Kurtin dhe Vuçiçin: Për të gjetur një zgjidhje evropiane, “Balkanweb”, 18 nëntor, 2022). Mendoj se Rusia nuk do t’i japë të drejtë vetes, të ndërhyjë ushtarakisht në këtë rast në favor të kapriçiove të Serbisë. Ajo nuk ndërhyri as në luftën 1997–1999 kur ndodhi çlirimi i Kosovës nga sundimi shekullor serb. Pse do të ndërhyjë tani në Kosovën shqiptare të pavarur – për targat apo për listat e pakicës serbe, të cilat nuk kanë të bëjnë me prekjen e lirisë dhe të drejtave qytetare të tyre, njëlloj si shqiptarët në Kosovë?

Kosova është çështja më aktuale kombëtare që po përjetojnë shqiptarët. Mjerisht, konsekuencat e çështjes kombëtare nuk qëndrojnë vetëm te Serbia, por edhe nga vetë shqiptarët. E vlerësoj të pakuptueshëm qëndrimin e ishKryeministrit Haradinaj, i cili në këto momente të presionit serb, i kërkoi Kryeministrit Kurti “të tërhiqet nga vendimi për qortimin, gjobitjen dhe më pas bllokimin e makinave të serbëve të Kosovës, që nuk mbajnë targat e Republikës së Kosovës”. Ndoshta më mirë të ushtronte kritikën ndaj Beogradit dhe të mbështeste paralelisht Kurtin që shprehu me vendosmëri, se “Përpjekjet e Beogradit për destabilizimin e Kosovës do të dështojnë” (gazeta “Tema”, 6 nëntor 2022). Shuplakë të pamerituar merr udhëheqja e sotme e Kosovës herë pas herë edhe nga Shqipëria, nga heshtja e saj prej të vdekuri në momente kritike si kjo e “Targave dhe Listës Serbe”. Është një qëndrim si “ai që troket në derë, vetëm kur e merr uria”, i cili jo në pak raste përkthehet ndoshta gabimisht, si aprovim i qëndrimit politik të Tiranës në favor të Serbisë dhe të “miqësisë” Rama-Vuçiç etj.

Jo vetëm R. e Kosovës, por edhe ajo e Shqipërisë duhet të ngrehë ushtrinë e vet, pavarësisht se kjo e fundit është anëtare e NATO-s dhe e ka siguruar mbrojtjen e “bahçes së vet”. Kombi shqiptar në Ballkan ndodhet sot i ndarë në kufij në pesë shtete. Ushtria e R. së Shqipërisë ka dhe do të ketë edhe më shumë në të ardhmen detyrime kombëtare, për të mbështetur çështjen shqiptare në viset fqinje, të cilat nuk janë anëtarë të NATO-s. Nuk luhet sot “kukamçeftas” duke u fshehur mbas NATO-s kur bëhet fjalë për mbijetesën kombëtare të viseve shqiptarofolëse në Ballkan.

Republika e Shqipërisë e kishte një herë një ushtri të vetën, e cila u prish me komandë në pragun e fillimit të Luftës së Kosovës.

Si e gjithë pasuria kombëtare e Republikës sonë, e themeluar dhe e ndërtuar në Kohën e Diktaturës, edhe Ushtria e saj u rrënua me komandë brenda një aksioni të programuar (1997). Ishte i njëjti skenar si ai i Mbretit Zog (1939), asokohe për ta lënë pa armë popullin, të pambrojtur përkarshi zbarkimit të Italisë fashiste. Neve bashkatdhetarëve të Republikës së Shqipërisë të përgatitur ushtarakisht prej dekadash na u hoq mundësia të merrnim pjesë me ushtrinë e organizuar në mbrojtjen e Kosovës. Pati qytetarë që vodhën armë nga depot e shpërthyera të ushtrisë, por për hesap të vet, e shumta të vrisnin njëritjetrin, jo për mbrojtjen e Kosovës. Asnjëherë deri më sot nuk na ka deklaruar kush nga institucionet qeveritare, neve ushtarëve të dikurshëm të Shqipërisë së PPSH-së, se kush e ideoi dhe cili ishte qëllimi i kësaj tradhtie kombëtare – fakti që brenda një dite ushtria e RSH-së u bë inekzistente dhe që, u përvetësua e gjithë ajo pasuri e saj duke u zhdukur pa lënë gjurmë deri më sot. A nuk ishte kjo një tradhti historike e vetë shqiptarëve mbi çështjen e vet kombëtare?

Për Luftën e Kosovës u krijua me shpejtësi UÇK-ja shqiptare e Kosovës, por vendimtare për çlirimin e saj u bë ndërhyrja e fuqishme e NATO-s. Kosovarët luftuan për mbrojtjen e atdheut, ndërsa ushtria serbe ushtroi gjenocid ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës. Por me mbarimin e Luftës, udhëheqja e UÇK-së nuk mori asnjë dëshmi mbi gjenocidin e ushtruar serb. Siç rezulton deri më sot, udhëheqja e UÇK-së nuk mbajti asnjë farë dokumentacioni profesional mbi këtë veprimtari kriminale serbe, të mjaftueshme për ta paditur para gjykatës ndërkombëtare. Lufta quhet e fituar kur ke menduar dhe je në gjendje për ta mbrojtur me argumente drejtësinë tënde deri në mbarimin e saj. Kosova nuk njihet ende nga një numër vendesh si një shtet i pavarur dhe sovran. Jo vetëm kaq, por sot komandantë dhe udhëheqës të Luftës Çlirimtare të Kosovës që fituan luftën e drejtë çlirimtare të popullit të vet në fund të shekullit të kaluar (1997–1999), gjenden të burgosur në Hagë, qysh nga Kreu Thaçi me nëntë udhëheqës të tjerë. Akuzohen për krime! Kurse Serbia nuk akuzohet për gjenocid!? Me ekspertizën e gjenocidit në dorë, sot jo vetëm Serbia do ishte shpallur fajtore dhe përgjegjëse e Luftës së padrejtë që bëri, por do i rëndonin edhe krimet e gjenocidit. Ndërkohë gjyqi ndërkombëtar do e kishte çliruar Kosovën nga akuzat politike të sajuara dhe të manipuluara të “ekspertit” Dick Marty me shokë dhe Kosova do të ishte njohur botërisht si shtet që meriton pavarësinë dhe njohjen e saj si të tillë.

Ecim më tej: Por edhe Kosovës nuk i munguan tradhtarët e çështjes kombëtare. Në një kohë që Perëndimi po punonte të shpallte dënimin e Serbisë për ushtrimin e gjenocidit ndaj Kosovës dhe kjo e fundit të merrte shpërblimin që meritonte prej shekujsh – pavarësinë dhe njohjen e saj si shtet kombëtar, nuk mungoi Ibrahim Rugova, i cili pas Luftës, pranoi të vizitonte dhe t’i shtrëngonte dorën në zyrë Slobodan Milosheviçit, duke i treguar botës zyrtarisht dhe në mënyrë të dokumentuar, se ai vetë nuk shihte ndonjë gjenocid nga Serbia, por përkundrazi, ishte miku i Milosheviçit. Nga ana tjetër, udhëheqës korifenj të Luftës së Kosovës nuk janë sot në gjendje të dëshmojnë dhe të mbrojnë kontributin e tyre të drejtë në këtë Luftë, por qëndrojnë mbrapa hekurave dhe u është vënë në dyshim edhe pastërtia morale e veprës më se të drejtë që bënë. Sot pas 24 vjetësh kemi komandantë shqiptarë brenda hekurave në birucat e Hagës, të cilët nuk posedojnë kurrfarë dokumentacioni të mbrohen, ndaj akuzës se ata vetë kanë ushtruar veprimtari trafikimi, korrupsioni apo krimi gjatë luftës së Kosovës, etj. Nuk posedojnë as dokumentacion mbi dëshmitë që mund të kenë mbledhur ata vetë, mbi aktivitetin kriminal dhe gjenocidial të serbëve, të paktën aq sa të mbronin veten sot… Pas një lufte çlirimtare që udhëhoqën për popullin e vet, ende pas 14 vjetësh ata qëndrojnë në errësirë me aureola kartoni nëpër duar – në pritje të shpalljes – heronj, apo trafikantë…? Kjo nuk është pakujdesi apo nënvleftësim qytetar, por moskryerje të detyrës ndaj Atdheut.

Historia dëshmon se shqiptarët së paku në viset e tyre brenda R. së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, nuk kanë qenë asnjëherë në gjendje gjatë historisë të mbrojnë unitetin e tyre kombëtar dhe të zhvillohen si komb unik mbi vlerat e veta. Ende sot ata dhe të tjerët jetojnë të ndarë në pesë shtete në viset e tyre në Ballkan, sikur të jenë viktima të Ligjit 7501. Kjo është paaftësia jonë tradicionale kombëtare. Dhe ky është rezultati i tradhtive të njerëzve të paaftë që marrin besimin popullor për t’i udhëhequr! Fajin e kemi brenda vetes! “Jemi të fryrë me madhështinë e vetvetes” – thotë Migjeni, në vend të dijeve qytetëruese për të bashkëjetuar me urtësi e punë të bashkuar rreth çështjes kombëtare.

Këtë nevojë ka aktualisht Kosova sot prej Shqipërisë, që né t’i dhurojmë asaj menjëherë mbështetje urgjente dhe të dukshme politike, me dëshmitë dokumentare që posedojmë, në çlirimin prej kërkesave antiligjore kapriçioze të lartpërmendura të Serbisë. Ligjërata letrare panegjirike nga foltorja Strasburg-ut, me shpresë se do ta bëjmë të “qajë” sallën me juristë të zgjedhur ndërkombëtarë, duke recituar poemën mbi “vuajtjen shpirtërore të Thaçit me shokët e tij”, në vend që t’i paraqesim asaj salle dokumente juridike që hedhin poshtë Dick Marty-n etj., nuk e ndihmon as Kosovën, as çështjen tonë të përbashkët kombëtare, por bëjmë të kundërtën, mbledhim para këmbëve tona varfëri, tradhti dhe përçarje kombëtare të ngjashme me ato që folëm më sipër.

Ashtu si né qytetarët e këtij vendi humbasim sot pronat tona nga padija e kulturës juridike mbi manipulimet mesjetare të vjedhjes shtetërore, ashtu i tretet edhe kombit tonë shekull pas shekulli edhe pasuria e vet kombëtare e helmuar nga tradhtitë dhe vjedhjet historike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura