Merkel respekton rregullat e qarkullimit, rrotullohet te sheshi “Nënë Tereza”. Tahiri: Mësim për të gjithë

Jul 8, 2015 | 15:41
SHPËRNDAJE

Eskorta e kancelares Angela Merkel në Tiranë ka respektuar edhe rregullat e qarkullimit rrugor, edhe pse në këto raste të veçanta, kur rrugët bllokohen për delegacionet zyrtare nuk është kusht i domosdoshëm respektimi i tyre.

Eskorta e Merkel

Por ndryshe nga delegacionet e tjera, Merkeli para takimit me Ramën dhe pas takimit me Nishanin ka bërë rrotullimin sipas rregullave në sheshin “Nënë Tereza”.

Në fillim erdhi nga sheshi “Skënderbej” dhe u rrotullua në sheshin “Nënë Tereza” përpara se të hynte në Kryeministri. Ndërsa të njëjtën gjë ka bërë edhe pas takimit me Nishanin. 

Ky fakt ka sjellë reagime dhe elozhe ndaj saj në rrjetet sociale. Madje ka tërhequr edhe vëmendjen e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit, i cili ka reaguar përmes një statusi në “Facebook”.

“Kancelarja Merkel dha shembull ekzemplar duke respektuar rregullat e qarkullimit rrugor edhe pse në delegacion zyrtar. Mësim për të gjithë”, shkruan Tahiri. 

 Ky fakt u ka bërë përshtypje edhe qytetarëve, të cilët e kanë komentuar pozitivisht në rrjetet sociale, madje duke bërë edhe paralelizma me zyrtarët shqiptarë, që në fakt në shumë raste janë në antitezë.

“Është gjermane ajo. T’ju vlejë edhe juve, politikanëve përpara të gjithëve që të drejtoni vendin tonë ashtu siç e meritojmë”, shkruan Boiken Sh.

“Këtë gjest e ka bërë që të ftillohen politikanët shqiptarë”, shkruan Granit G. “Bravo znj. Merkel duhet të mësojmë nga gjermanët”, shkruan Manjola P. Ndërsa Riza D.  shkruan: “Hapni sytë ju politikanët shqiptarë se kur kalon eskorta e tyre as populli nuk kursehet. Ikin si kafshë pa pikë respekti dhe kujdesi”. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura