Meridian Ramcaj: Nga “Big Brother” në politikë, pse bëra këtë zgjedhje

Mar 23, 2017 | 15:56
SHPËRNDAJE

Ish-lojtari i “Big Brother 7” dhe menaxheri i njohur i lokaleve në Tiranë, Meridian Ramcaj, i është bashkuar partisë LIBRA të Ben Blushit, si anëtar i komisionit të etikës dhe garancive statutore brenda partisë.

Ashtu si Anaid Kaloti, ai po jep kontributin e tij në përgatitjet për fushatën zgjedhore të 18 qershorit. Po si po vazhdon jeta e tij pas famës që mori në “reality show”, lidhja e dashurisë dhe ambiciet në politikë e televizion, i rrëfen në këtë intervistë për gazetën “Panorama”:

meri2

Si shkon jeta dhe puna jote tani pas “Big Brother”, do të hysh në televizion, ashtu siç u fol në fillim?

Jeta pas “Big Brother” për mua vazhdon normalisht, me angazhimet e mia personale. Gjithnjë jam mbajtur në këmbët e mia dhe mbështetur në shpatullat e mia, apo familjarëve të mi. Së fundmi po hap një biznes privat. Kam pasur disa oferta për emisione të ndryshme dhe në qoftë se do të më ofrohej një projekt që më përshtatet dhe e bëj me dëshirë, pse jo?! Do ta bëj, përpos angazhimeve personale, pasi televizioni gjithnjë më ka tërhequr.

Të shohim pjesë të partisë “Libra” të Ben Blushit. Pse zgjodhe këtë parti të re për t’u angazhuar?

Zgjodha LIBRA-n duke menduar se është një risi. Është vërtet një drejtim politik, por i krijuar nga opinioni, eksperienca dhe mendimi i personave të çliruar nga zinxhirët e presionit të majtë, apo të djathtë. Pjesëtarë të LIBRA-s kanë karakteristikë bashkëbisedimin, janë individë të formuar dhe me tolerancë.

Çfarë sheh shpresëdhënëse te një lider si Ben Blushi?

Te Ben Blushi shoh një lider realist, tolerant dhe me vizion të largët, gjë që i mungon realitetit politik shqiptar. Gjatë periudhës së angazhimit me të, kam parë që e mbështet çdo grup- moshë, që nga studentët, të rinjtë intelektualë, individët me statuse të larta në shoqëri dhe pensionistët. Njerëz të zhgënjyer nga ngjyrat politike që kërkojnë vetëm një jetesë njerëzore, dhe jo luftë për ekzistencë në nivelet e llojit shtazor.

Ka të tjerë persona publikë që i janë bashkuar kësaj partie?

Po, ka shumë persona publikë…

Sa vizionar je në këtë përfshirje personale, ku do të arrish me ambiciet e tua në politikë?

Nuk kam ambicie të caktuara në politikë. Do të doja të kisha në dorë diçka për të ndryshuar sadopak për mirë jetesën e popullsisë shqiptare. Karrierën politike ua lë në dorë përshtypjeve të atyre që më rrethojnë. Në qoftë se feedback-u është pozitiv, atëherë do të përkushtohem për një kohë të gjatë.

Meqë sot në mbrëmje nis dhe spektakli “Big Brother 9”, sa afër produksionit je, dhe si të tingëllon rregulli që është vendosur për të ndaluar seksin?

Afër produksionit? Thuajse si çdo ish-banor, pasi mua s’më kanë pëlqyer kurrë servilizmat për të qenë afër dikujt. Mesa di unë, seksi do të lejohet, por me orare të caktuara. Me pak fjalë, seks “robot” ose film. E them këtë pasi njeriu bën seks kur e ndjen, dhe jo kur ta kërkon dikush.

***

Meridiani: Kam një lidhje të bukur, në asnjë moment nuk u tundova në “BB”

Meridian-13599868_102076837

Hyre në shtëpinë e “Big Brother” ndërkohë që kishe një lidhje të bukur jashtë. Tundohesh lehtë në atë shtëpi ndikuar nga rrethanat?

Po, është e vërtetë. Kisha dhe kam një lidhje shumë të bukur. Dua të sqaroj, që në asnjë moment nuk jam “tunduar” aty brenda, siç mund të jetë transmetuar jashtë, të paktën në lidhje me marrëdhënien personale. Kur marr një vendim, nuk më tundon asgjë. Por ka diçka që të manipulon qëndrimin tënd aty për tre muaj, i izoluar nga bota e jashtme. Bëhesh pjesë e një loje apo shakaje, ndërkohë që nuk e di se jashtë çdo gjë është transmetuar ndryshe.

Dashuria e vërtetë mund të lindë në atë shtëpi me aq pak persona dhe mundësi?

Jam i mendimit që dashuria e vërtetë mund të ndodhë kudo njësoj, nëse është ajo e duhura, si në një shkretëtirë me dy persona, ashtu edhe në një metropol me miliona banorë. Dashuria nuk ka limite apo kushte dhe nuk përzgjedh, besoj shumë e dinë këtë. Por sigurisht, në një format të tillë, duke pasur parasysh thelbin dhe eksperiencat e mëparshme, duhet qëndruar pak më realist.

Pas “BB” ti fitove sfidën e peshës, duke humbur 19 kg. Vazhdon të ruash kilogramët që arrite pas dobësimit?

Po, patjetër. M’u desh shumë impenjim në mbajtjen e një regjimi të shëndetshëm dhe shumë aktivitet fizik për të arritur ku jam sot. Ndihem shumë mirë, dhe do ta ruaj këtë regjim në vazhdimësi të jetës.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura