Dita e Europës, Meta: Procesi i integrimit ne BE u zëvendësua nga Rama në procesin e korruptimit! “Ballkani i Hapur”, përpjekje për t’u largua edhe më shumë nga unioni

May 9, 2024 | 22:48
SHPËRNDAJE

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta me anë të një postimi në rrjetet sociale ka reaguar për 9 majin, Ditën e Europës.

Metaaa

Meta shkruan se për shkak të instalimit të një narkoshteti, kjo datë e gjen Shqipërinë edhe këtë vit shumë larg Bashkimit Evropian.

Ai shton se Edi Rama zëvendësoi procesin e integrimit europian në procesin e korruptimit të disa zyrtarëve ndërkombëtarë dhe nëpërmjet “Ballkanit të Hapur” bëri çdo përpjekje për të na larguar gjithmonë edhe më shumë nga Europa.

Postimi i plotë:

Dita e Europës, për shkak të instalimit të një narkoshteti, e gjen Shqipërinë edhe këtë vit shumë larg Bashkimit Europian.

Instalimi i një regjimi shtypës të lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor, të korruptuar dhe të inkriminuar në çdo qelizë, që urren demokracinë dhe pluralizmin politik, që ka kapur drejtësinë dhe ka shkatërruar shtetin ligjor, ka asgjësuar çdo mundësi dhe shans të barabartë për shqiptarët për të ndërtuar të ardhmen e tyre të sigurt europiane në Atdhe.

Drama e madhe e shpopullimit është dëshmia më e qartë se qëllimi i vetëm i  “Rilindjes” është zhbërja e çdo vlere europiane dhe dëbimi i kujtdo që mbron këto vlera në vendin tonë.

“Rilindja” edhe sot bëri “euro-krime” nëpërmjet ligjeve për të shndërruar Shqipërinë në një fermë surrogatesh dhe promovuar abortin, për ta shpopulluar tragjikisht vendin duke ju kundërvënë edhe Parlamentit Europian, që unanimisht i cilëson krime ndaj grave dhe nënave.

Edi Rama zëvendësoi procesin e integrimit europian në procesin e korruptimit të disa zyrtarëve ndërkombëtarë dhe nëpërmjet “Ballkanit të Hapur” bëri çdo përpjekje për të na larguar gjithmonë edhe më shumë nga Europa.

Por vokacioni dhe identiteti europian i popullit shqiptar është përcaktuar nga Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Partia e Lirisë, me 5 prioritetet për 4 milion shqiptarë plus, është e përkushtuar ndaj të vetmit objektiv dhe projekti gjithëpërfshirës për të cilin vendi ynë dhe i gjithë rajoni ka nevojë, anëtarësimin në Bashkimin Europian, duke e përshpejtuar nëpërmjet Planit Europian të Rritjes Ekonomike.

E vetmja rrugë që lartëson dinjitetin e çdo shqiptari dhe shërbimi më i mirë që i bëjmë Shqipërisë, dinjitetit të saj dhe mbarë kombit tonë është të punojmë realisht dhe konkretisht për integrimin europian të vendit duke përqafuar pikërisht mesazhin e 9 Majit, për t’u çliruar nga ky regjim dhe për të ecur më shpejt, pa pengesa artificiale, drejt çeljes së negociatave dhe anëtarësimit në Bashkimin Europian.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura