Mendohet se i përket fund shekullit të parë/ Zbulohet mozaiku i rrallë gjatë gërmimeve për themelin e gjimnazit “Gjergj Kastrioti” i cili u shemb për shkak të tërmetit në 2019

Jan 17, 2024 | 16:41
SHPËRNDAJE

Katër vjet pas tërmetit të 2019, shkolla e mesme e cila mban emrin e heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti në Durrës është në fazë fillestare. Gjatë gërmimeve për themelin e shkollës në dritë doli një mozaik i cili u mbulua për ta ruajtur të padëmtuar.

WhatsApp Image 2024-01-17 at 4.34.21 PM

Zbulimi i një mozaiku të rrallë floreal që mendohet  se i përket fundit të shekullit të I dhe fillimit të shekullit të II, si dhe disa strukturave me objekt studimi për arkeologët ka ndryshuar edhe fatin e vijimit të punimeve. Sipas burimeve nga bashkia Durrës, pritet vendimi i Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore për vijimin e gërmimeve në atë që mund të kthehet në sitin më të ri arkeologjik të qytetit. Dosja me detajet e zbulimit është dorëzuar pranë KKTK-së dhe pritet vetëm vendimi, në mënyrë që arkeologët të rikthehen në kantier për të vijuar me gërmimet, mund të vijojnë 2 deri  3 muaj.

Përveç mozaikut, që tashmë është mbuluar, arkeologët kanë zbuluar edhe një pjesë muri 3 metër të lartë në anën lindore si dhe disa objekte të tjera

Pas zbulimit të mozaikut, që dyshohet se i përket një vile luksoze që ndodhej pranë amfiteatrit të Durrësit, gërmimet mund të nxjerrin në dritë zbulime të tjera arkeologjike, që mund t’i shtohen trashëgimisë së pasur kulturore të qytetit 3000-vjeçar.

Ecuria e mëtejshme e gërmimeve dhe zbulimet e mundshme që pritet të dalin në dritë do të përcaktojnë ecurinë e punimeve për ndërtimin e shkollës së mesme. Rreth 1 mijë gjimnazistë e zhvillojnë mësimin në turn te dytë në shkollën 9-vjecare Marie Kaçulini.

Një rast i ngjashëm ndodhi gjatë ndërtimit të shkollës 9-vjeçare “Eftali Koçi”, ku gërmimet arkeologjike bënë të mundur identifikimin dhe zbulimin e një trakti të konsiderueshëm të murit rrethues të Dyrrahut antik, që i përkiste shekullit V para erës sonë deri në shekullin IV të erës sonë.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura