Memorial në Vlorë për të përkujtuar 81 viktimat e tragjedisë së Otrantos

Jun 30, 2014 | 12:51
SHPËRNDAJE

Objektet e Katerit të Radës, pas mbërritjes në Vlorë
VLORE – Familjaret e 81 viktimave të Otrantos, që humbën jetën më 28 mars 1997 në ujërat e detit Jon, do të kenë një memorial për të afërmit e tyre. Këta të fundit kishin kërkuar herë pas here një memorial për të vendosur një tufë me lule për jetët e humbura në këtë tragjedi. Me iniciativën e Ministrisë së Kulturës, në bashkëpunim me prefekten e qarkut të Vlorës, Etjona Hoxha, si dhe ideatorit Agron Xoxa, një pjesë e anijes “Kateri i Radës” ka mbërritur në Vlorë. Bëhet fjalë për motorin e anijes dhe disa pjesë të veçanta të saj. Nënkryetari i Bashkisë së Brindizit, Xhuzepe Markionne, shprehet tepër i kënaqur me këtë bashkëpunim ndërmjet palës shqiptare dhe asaj italiane për ngritjen e këtij memoriali në Vlorë. “Shpresojmë t’ua zbusim sadopak dhimbjen atyre personave që humbën të dashurit e tyre më 28 mars të vitit 1997″, u shpreh Markionne. Ndërsa prefektja Hoxha, në fjalën e saj ngushëlloi familjarët dhe falënderoi të gjithë iniciatorët për idenë e ngritjes së memorialit. Pushime Çala, kryetare e shoqatës për tragjedinë e Otrantos, falënderoi në emër të familjarëve këtë iniciativë për ngritjen e këtij memoriali. Sipas saj, tashmë familjarët do të kenë një vend ku të qajnë dhe të kujtojnë të dashurit e tyre, ndërsa bëri thirrje për drejtësi. Ajo tha se ende nuk është vendosur drejtësia dhe nuk janë dënuar personat përgjegjës që morën jetët e 81 personave të pafajshëm, burra, gra dhe fëmijë. Më 28 mars të vitit 1997, gjatë largimit drejt Italisë me anijen “Kateri i Radës”, humbën jetën 81 persona, mes të cilëve 46 gra dhe fëmijë, ndërkohë që 34 të tjerë mbijetuan.                   q.b

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura